Sport

Derbi në Suharekë

Descriptive Text

Dy skuadrat e para në tabelë, Golden Eagle Ylli dhe Ponte Prizreni do të përballen mes vete në ndeshjen derbi të xhiros së 22-të të Superligës së Kosovës në basketboll që nis të shtunën.

Fituesi i këtij dueli do të shkëputet për një pikë në pozitën e parë pasi aktualisht të dy skuadrat kanë pikët e barabarta në tabelë, nga 35 sosh.

Ylli është i parë për shkak të koshdallimit më të mirë sesa Ponte Prizreni që renditet i dyti.

Kjo ndeshje luhet të shtunën prej orës 19:00 në palestrën “13 Qershori” të Suharekës.

Megjithatë, xhiroja do të hapet në të njëjtën ditë por prej orës 17:00 me ndeshjen ndërmjet Vëllaznimit dhe Rahovecit, që do të luhet në Gjakovë. Vëllaznimi në këtë duel futet pas dy fitoreve rresht, me Prishtinën dhe Pejën kurse trajneri Branimir Paviq shpreson në një rezultat pozitiv.

“Na pret një ndeshje e vështirë, me Rahovecin që është favorit për titull. Shpresoj të vazhdojmë me paraqitjet e mira si në ndeshjet e fundit dhe të marrim një rezultat pozitiv”, tha Paviq, ekipi i të cilit zë vendin e fundit në tabelë me 27 pikë.

Ndërkohë, të dielën do të zhvillohen edhe dy ndeshjet tjera dhe të fundit të kësaj xhiroje. Prej orës 17:00, Trepça që ka një seri prej katër fitoreve rresht e pret në shtëpi skuadrën e Bashkimit që i ka humbur dy ndeshjet e fundit. Ndërsa, prej orës 19:00 do të luhet ndeshja ndërmjet Prishtinës edhe Pejës që i ka regjistruar tri humbje rresht.