Sport

Me vëllezërit Sahiti në përbërje, Shibeniku i ka krahët e sigurt

Prishtinë, 4 mars – Suad Sahiti është 26-vjeçar. Është katër vjet më i madh sesa Emiri. Por, Suadit tani i duhen disa këshilla nga vëllai i vogël, Emiri.

“I kam treguar se si luan ekipi”, ka thënë Emir Sahiti të enjten për KOHËN.

Suadi thotë se ka njohuri të mjaftueshme për klubin e ri, Shibenikun, me të cilin të enjten nënshkroi kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2023. Ai thotë se i ka ndjekur të gjitha ndeshjet e skuadrës kroate. Tek ajo e gjen vëllain e vogël.

“Sigurisht se shkak është bërë vëllai, Emiri”, ka thënë Suad Sahiti.

Për Suadin dhe Emirin është ndjenjë e bukur që pas pesë vjetësh do të luajnë përsëri së bashku. Pesë vjet më herët të dy mbulonin krahët e sulmit te Rabotniçki i Shkupit. Suadi 26-vjeçar në krahun e majtë, kurse Emiri 22-vjeçar në të djathtin. Atëbotë të dy ishin lojtarë të ekipit bazë të Raboniçkit, një prej klubeve më të suksesshme në Maqedoninë e Veriut.

Bashkë prej minutës së parë presin të luajnë edhe te Shibeniku. Për Emirin, vendi i titullarit në anën e djathtë të sulmit nuk vihet në diskutim, meqë po kalon formë të mirë. Ai në 20 ndeshje ka shënuar gjashtë gola dhe ka asistuar një herë. Emiri është i huazuar deri në fund të këtij edicioni te Shibeniku nga skuadra tjetër kroate, Hajduku i Splitit. Suadi ka marrë numrin 77, kurse Emiri ka numrin 7 në fanellë.

“Jemi rrugës për në Pula”, tregon Emiri. Bashkë me ekipin është edhe Suadi, që shpreson të debutojë qysh të premten në ndeshjen që Shibeniku e luan në udhëtim ndaj Istra 1961. Shibeniku është në vendin e gjashtë në kampionatin kroat me 26 pikë, ndërsa Istra 1961 në vendin e fundit (10) me 14 pikë.

Gjasat janë të mira që edhe Suadi të luajë. Thotë se është në formë të mirë fizike. Te Shibeniku ai u transferua si lojtar i lirë pasi u largua nga skuadra e Bosnjë-Hercegovinës, Zrinjski Mostar, skuadër për të cilën luajti gjashtë ndeshje në të gjitha garat.

“Është ndjenjë shumë e mirë të jesh me një ekip bashkë me vëllain. Jemi sërish bashkë dhe jam i lumtur. Jam i grumbulluar për ndeshjen që e luajmë nesër. Unë jam gati ta jap kontributin tim në çdo kohë kur trajneri të vendosë”, ka theksuar Suad Sahiti.

Në fakt, historia e vëllezërve Suad e Emir Sahiti është e veçantë. Suadi ka lindur në Beograd, kurse vëllai i tij i vogël, Emiri, në Zemun të Serbisë. Vëllezërit me origjinë nga Medvegja janë rritur në Kosovë. Madje, bashkimi i tyre te Shibeniku nuk është për herë të parë. Në të kaluarën, në Kosovë, Suadi e Emiri kanë qenë pjesë e Ramiz Sadikut. Ndeshje zyrtare së bashku nuk kanë pasur, por vetëm miqësore.

Suadi karrierën si futbollist e kishte nisur te 2 Korriku i Prishtinës, pastaj ka kaluar në radhët e Ramiz Sadikut. Ka qenë për gjashtë muaj edhe pjesë e skuadrës Marseille, pastaj është kthyer në Hajvali dhe si 19-vjeçar u transferua në Rabotniçki.

Për dallim nga Suadi, Emiri karrierën e kishte nisur në Ramiz Sadiku. Ka luajtur afër tetë muaj në Ramiz Sadiku dhe më pas ka kaluar në radhët e Prishtinës. Te Prishtina ka luajtur për U-15 dhe U-17. Si 16-vjeçar ishte transferuar në ekipin e parë të Rabotniçkit.

Suadi dhe Emiri kanë pasur rast të jenë në një ekip përfaqësues, te Shpresat e Shqipërisë ose Maqedonisë. Por, Emiri vendosi të luajë për Shpresat e Shqipërisë, kurse Suadi për ato të Maqedonisë së Veriut. Suadi në nëntor të vitit 2017 luajti në miqësoren që Kosova e zhvilloi ndaj Letonisë. “Dardanët” e patën fituar ndeshjen 4:3 në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

“Edhe po të luanim në të njëjtin krah do të ishte mirë për konkurrencë. Jemi lojtarë profesionistë dhe duhet në çdo ndeshje ta japim maksimumin dhe ta tregojmë veten. Unë besoj se Suadi shumë shpejt do ta zërë ritmin, vetëm se i duhet të njoftohet pak më shumë me ekipin. Ne duhet ta japim më të mirën së bashku dhe besoj se do të jemi tandem këtu te Shibeniku”, ka thënë Emiri, që nuk e di se ku do ta ketë të ardhmen pas këtij edicioni.

“Unë jam deri në fund të këtij edicioni i huazuar nga Hajduku, me të cilin kam edhe një vit kontratë. Më mbetet të fokusohem deri në fund të këtij sezoni dhe pastaj menaxheri im të bisedojë çka është më mirë për mua”, ka thënë Emiri.

Ndërkohë, Suadi ka plane të mëdha te Shibeniku.

“Unë dua të përgatitem sa më mirë dhe ta zë formën 100%, që të jem gati në çdo sfidë që më del përpara”, ka thënë Suadi.

Suadi e Emiri tregojnë se në të kaluarën pas çdo ndeshjeje kanë ndarë edhe kritika për njëri-tjetrin.

“Shumë herë i kemi treguar njëri-tjetrit se ku janë bërë gabimet dhe ku ka mundur më mirë, por edhe e kundërta. I gjithë debati bëhet në frymë sportive dhe pozitive. Emiri është një lojtar i talentuar dhe shumë shpejt do të luajë në ndonjë skuadër të madhe”, ka thënë Suadi.

Njëjtë mendon edhe Emiri për Suadin. Ata ndihmojnë shumë njëri-tjetrin, në çdo kohë.

“Vetëm xhelozi mes nesh nuk ka”, thotë Emir Sahiti.