Sport

Musiala zgjedhë Gjermaninë para Anglisë

Pas më pak se 24 orëve që u bë futbollisti më i ri te Bayern Munichu që ka shënuar gol në Ligën e Kampionëve, mesfushori i ekipit U21 të Anglisë, Jamal Musiala konfirmoi të mërkurën se në nivelin senior do të luajë për Gjermaninë.

Musiala, i cili të premten mbush 18 vjeç ka shtetësi të dyfishtë (angleze-gjermane), shënoi gol të martën mbrëma në fitoren 4:1 të Bayernit në udhëtim kundër Lazios për t’u bërë lojtari më i ri nga këto dy shtete që ka realizuar në këtë garë.

Musiala i lindur në Stuttgart gjithashtu ka pasur të drejtën për të luajtur edhe për Anglinë pasi në moshë të re u zhvendos në Londër dhe si lojtar u zhvillua në akademinë e Chelseat përpara se t’i bashkohet Bayernit në vitin 2019.

Ai debutoi me Përfaqësuesen U21 të Anglisë në nëntorin e vitit të shkuar, por në fund vendosi që në nivelin senior ta përfaqësojë Gjermaninë.

“Në fund, thjesht i dëgjova ndjenjat e mia dhe mendoj se ky vendim është 100 për qind i duhuri. Nuk ishte vendim i lehtë se kam një zemër për Gjermaninë dhe një tjetër për Anglinë. Gjermania është shteti ku kam lindur dhe kam filluar të luaj futboll derisa në Angli jam rritur dhe kam shumë miq”, ka thënë Musiala.