Sport

Qerimi shpreson të mbetet gjatë në krye të Kosovës

Bujar Qerimi nuk e kishte menduar se do t’i kalonte 30 vjet të jetës së tij në Belgjikë. Qëndrimin në Belgjikë e kishte menduar vetëm dy vjet, aq sa edhe e kishte kontratën me skuadrën e Herstal, klub me të cilin e ka fituar kupën si hendbollist.

Gjatë nuk e ka as kontratën me Federatën e Hendbollit të Kosovës (FHK), që ia ka besuar postin e përzgjedhësit të ekipit A për katër ndeshjet e fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2022”. Por, ai shpreson ta udhëheqë suksesshëm Kosovën për shumë vjet. Të mërkurën, FHK-ja njoftoi se Qerimi do të jetë në krye të Kosovës. E, synimi i Qerimit me Kosovën është ngritja e nivelit dhe shpejtësisë.

Është i bindur se do t’ia dalë mbanë duke u bazuar në përvojën si hendbollist, e më vonë edhe si trajner. Së fundi, ai ishte seleksionues i ekipit U20 të Belgjikës. Punën me të rinjtë në Belgjikë, Qerimi e bën që prej vitit 2009. Megjithatë, ai pranon se drejtimin e Përfaqësueses së Kosovës në hendboll e ka marrë në një situatë të vështirë, të cilën e ka krijuar pandemia e koronavirusit. Qerimi në krye të ekipit “A” të “Dardanëve” erdhi pas vendimit që Bordi i FHK-së ka marrë si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19. Për shkak të kufizimeve në udhëtim, përzgjedhësi i deritashëm, Taip Ramadani, e kishte të pamundur që të udhëtonte nga Australia e të ishte në krye të ekipit. Për këtë arsye, Ramadani ofroi dorëheqjen e tij për t’u zëvendësuar me Qerimin.

Qerimi thotë se ishte pikërisht Ramadani ai që ka kontaktuar disa herë, duke insistuar që ta marrë drejtimin e Kosovës.

“Kemi pasur kontakte të shpeshta me Taipin. Jemi miq dhe kemi diskutuar shumë. Më ka pyetur se a jam i interesuar për ta drejtuar Kosovën. Unë jam një person që nuk imponohem, por respektoj vendimet e të tjerëve. Sigurisht që Taipi ka kontaktuar me drejtuesit e Federatës dhe sekretarin Izet Gjinovci dhe kështu filluan më pas kontaktet edhe me mua. Unë pranova me kënaqësi këtë përgjegjësi dhe do të punoj maksimalisht, edhe pse është situatë e komplikuar për shkak të koronavirusit”, ka thënë Qerimi të mërkurën për KOHËN.

Qerimi është emër i njohur i hendbollit kosovar. Si lojtar në Kosovë ka qenë pjesë e Borcit të Ferizajt. Borci, nga viti 1974 deri në vitin 1989, ishte në piedestalin e hendbollit të ish-Jugosllavisë. Ishte klub që arriti katër herë të bëhej anëtar i Ligës së Parë të ish-Jugosllavisë dhe në një edicion të garave ishte kandidat edhe për tri vendet e para që siguronin daljen në arenën ndërkombëtare. Kurse, kulmi ishte finalja e Kupës së ish-Jugosllavisë në vitin 1979, kur Borci humbi finalen nga skuadra e Borac të Banjallukës, 28:26.

Përvojën e fituar si lojtar, e së fundi edhe si trajner në Belgjikë, Qerimi thotë se do të mundohet ta shpalosë edhe te Kosova. Kosova më 10 mars e pret Rumaninë në Prishtinë, ndërsa më 14 mars luan ndaj Rumanisë si mysafire në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2022”. Në fund të prillit e pret Malin e Zi, kurse në fillim të muajit maj luan si mysafire kundër nënkampiones së botës, Suedisë.

“Shumë lojtarë nuk kanë stërvitur dhe nuk kanë punuar si duhet shkaku i situatës me koronavirusin. Unë i njoh lojtarët e Kosovës vetëm përmes xhirimeve të ndeshjeve. Por, ne së bashku do të mundohemi të bëhemi gati për dy ndeshjet e muajit mars. Nuk kemi shumë kohë, por synimi është që ta vazhdojmë rrugën e nisur nga Taip Ramadani. Sipas mundësive do të mundohemi së bashku ta ngremë nivelin e Përfaqësueses”, ka theksuar Qerimi. “Qëllimi është të kemi rezultate sa më të mira dhe ta bëjmë një skuadër që jep maksimumin për 60 minuta. Në çdo ndeshje do të mundohemi ta japim më të mirën. Do të kemi një kombinim të gjeneratave, të rinjtë dhe ata që janë më me përvojë te Kosova. Nuk do ta kemi lehtë përballë kundërshtarëve, por do të tentojmë të bëjmë një fitore ndaj tyre”.

Ai ka thënë se duhet të shfrytëzohen maksimalisht kapacitetet që i ka Kosova për këto ndeshje eliminatore. Fokusi i Qerimit është te ndeshjet e para kundër Rumanisë, në të cilat do të debutojë edhe zyrtarisht në krye të Kosovës.

“Rumania është një përfaqësuese që ka lartësi dhe ne duhet ta shfrytëzojmë që nëpërmjet shpejtësisë t’i bëjmë ballë. Duhet të mundohemi që me kundërsulme dhe shpejtësi ta bëjmë më të mirën. Unë do të mundohem që gjithë potencialin tim ta shpalos para lojtarëve të Kosovës. Nuk do t’u iki përgjegjësive dhe do të mundohem që t’ua mundësoj zhvillimin dhe ngritjen e nivelit këtyre djemve së bashku për disa vjet, apo edhe kush do të jetë pas meje ta ketë një skuadër kualitative”, është shprehur 62-vjeçari. “Do ta shoh kur të ulem me drejtuesit e federatës, sepse tani mund të llogarisim vetëm në planin afatmesëm dhe të shkurtër. Për plane afatgjate duhet menduar më vonë, duke nisur që nga gjeneratat e reja”.