Sport

Shumë shqiptarë në Superligën turke, por pak po shkëlqejnë

Më 5 janar, Jetmir Topalli luajti ndeshjen e parë si titullar te skuadra elitare e Turqisë, Yeni Malatatyaspor. Paraqitja ndaj Sivassporit (2:2) ishte e fundit e Topallit për skuadrën solide të Superligës turke.

Në tetë ndeshjet e fundit, ish-sulmuesi i Shpresave të Kosovës qëndroi në stol te Malatayaspori, skuadër për të cilën ka shënuar një gol në dhjetë paraqitje që kur u transferua verën e kaluar nga Ballkani i Suharekës.

Por Topalli nuk është i vetmi futbollist shqiptar që nuk luan rregullisht në kampionatin e Turqisë, ku deri tash janë zhvilluar 24 xhiro. Janë plot 12 futbollistë shqiptarë që janë pjesë e klubeve të ndryshme të Turqisë.

Në dy ndeshjet e fundit te Konyaspori, në bankinë ka qëndruar Zymer Bytyqi, ndërsa në pesë ndeshjet paraprake, katër herë luajti nga një pjesë dhe një herë 15 minuta. Ai në pesë paraqitjet ka asistuar dy herë. Bytyqi me bujë ishte transferuar në Turqi dhe pritej shpërthimi i tij pas shkëlqimit në Norvegji.

Bytyqi thotë se ndërrimi i trajnerit te klubi i tij, ka bërë që të humbë vendin në skuadër. Ai iu bashkua Konyasporit në janar.

“Jam duke u ambientuar në skuadër. Me lojtarë dhe gjëra tjera jam mësuar, tash më duhet të mësohem edhe me mënyrën e futbollit në Turqi. Tash që e kemi ndërruar edhe trajnerin ka ndërruar edhe taktika. Me trajnerin e ri nuk më ka rënë të ushtroj shumë dhe nuk më njeh. Së fundi i ka përdorur më shumë lojtarët që kanë qenë më gjatë në ligën e Turqisë. Nëse vazhdoj të luaj mirë në stërvitje, pres të kthehem. Por i kam gjashtë ndeshje dhe tri asistime. Janë shifra të mira”, ka thënë Bytyqi të martën për KOHËN.

Pjesë e Konyasporit është edhe Sokol Cikalleshi që po luan rregullisht, por që ka shënuar vetëm një gol në 18 ndeshje. Edhe Erdon Daci është pjesë e kësaj skuadre dhe ndeshjen e fundit luajti dy minuta, ndërsa në nëntë paraqitje ka shënuar dy gola. Të dy golat i pati shënuar ndaj Galatasarayt.

Së fundi në kampionatin turk është transferuar edhe sulmuesi i Kosovës, Elbasan Rashani. Ai nuk ka luajtur asnjë ndeshje për ekipin e tij Erzurumspor. Ai pak ditë pasi iu bashkua skuadrës turke, u lëndua. Nuk dihet ende se kur do ta fitoj rastin të debutoj.

I lënduar është edhe Veton Tusha që ka humbur pesë ndeshjet e fundit te Denizlispori. Ai pati shënuar gol në debutim kundër Galatasarayt.

Ndërkohë, Idriz Voca ka luajtur dy ndeshjet e fundit nga 90 minuta, kurse më herët pati pak hapësirë. Në total ka luajtur 17 ndeshje për Ankaraguçu. Pjesë e kësaj skuadre është edhe Endri Çekiçi, që ka humbur vendin e titullarit. Në takimin e fundit luajti një minutë, pas kthimit nga suspendimi, ndërsa ka luajtur 16 ndeshje ku ka shënuar një gol dhe ka asistuar dy herë.

Shkëlqimin në Turqi nuk e ka gjetur as Kemal Ademi. Ai te Fenerbahçe këtë edicion luajti tetë ndeshje dhe ka asistuar vetëm një herë, ndërsa te skuadra e re Fatih Karagumruk në tri ndeshje nuk ka shënuar asnjë gol.

Pa angazhim në skuadër në ndeshjen e fundit ka qenë edhe Omar Imeri te Antalyaspori. Në shumicën e ndeshjeve nuk është ftuar. Ka luajtur vetëm tetë ndeshje.

Edhe Loret Sadiku te Kashimpasha nuk ka luajtur pesë ndeshjet e fundit. Ai dy ndeshje mungoi shkaku i lëndimit, dy ndeshje shkaku i suspendimit, ndërsa në ndeshjen e fundjavës nuk u ftua fare. Ka luajtur vetëm 16 ndeshje. Në një skuadër me Sadikun është Florent Hadërgjonaj që ka munguar vetëm një ndeshje. Nga 21 ndeshje të luajtura, Hadërgjonaj 19 i ka nga 90 minuta, kurse një ndeshje ka luajtur 70 minuta dhe një tjetër 55 minuta. Mbrojtësi i krahut të djathtë ka asistuar dy herë.

Menaxheri i tij, Erdin Shaqiri, ditë më parë për KOHËN ka thënë se Superliga e Turqisë është ligë e mirë për të bërë hapin e radhës.

“Superliga e Turqisë është një ligë e mirë për të bërë hapin për ligat e mëdha. Është një mundësi e mirë për lojtarët që dëshirojnë ta ngrenë formën. Kemi parë shumë lojtarë të mëdhenj që kanë shkuar të luajnë në Turqi. Interesimi gjithnjë është nga klubet e Turqisë, por edhe interesi i lojtarëve të luajnë për klubet në Turqi. Për shembull, Florenti është shumë i kënaqur dhe po luan rregullisht. Kjo po vërehet edhe te paraqitjet te Kosova. Ai është ndër më të dalluarit dhe me formën më të mirë fizike te Kosova”, ka thënë Shaqiri.