Sport

Lekndreaj kërkon titullin me Prishtinën

Descriptive Text

Prishtinë 13 shkurt – Daniel Lekndreaj është optimist se aventura e tij në basketbollin e Kosovës do të mbyllet me titullin e kampionit. Lekdreaj vitin e shkuar iu bashkua Sigal Prishtinës, ekip që këtë edicion tashmë ka rrëmbyer dy trofe: Superkupën dhe Kupën e Kosovës. Megjithatë, të dyja këto suksese ekipi kryeqytetas i arriti pa Lekdreajn. Në Superkupë, Lekndreaj nuk ishte pjese e Prishtinës dhe po priste që edicionin 2020/21 të fillonte në Shqipëri, kurse në Kupë ai mungoi në gjysmëfinale dhe finale për shkak të lëndimit. Tani, Lekndreaj beson se do ta ndihmojë Prishtinën në parket drejt titullit të kampionit dhe pret që të mos ketë telashe me lëndimet. Ai beson se Prishtina ka ekip për ta fituar edhe trofeun e tretë këtë edicion në basketbollin kosovar, që do të ishte një sukses i madh.

“Fillimisht, dëshira ime e madhe ishte të luaja në ‘Final 8’, andaj dhe provova të luaja pa e tejkaluar lëndimin, por ishte shumë e vështirë. Sigurisht, që do të kisha dëshirë të ndihmoja ekipin drejt këtij suksesi. Por, sidoqoftë, besoj se do të kem ndeshje të mjaftueshme për të ndihmuar klubin drejt një trofeu tjetër, atë të titullit të kampionit”, tha Lekndreaj, i cili luajti vetëm në çerekfinale të “Final 8” të Kupës së Kosovës kundër skuadrës së Pejës. “Besoj se mund të fitojmë titullin e kampionit, pasi kemi kualitetet e nevojshme për t’u ballafaquar me cilëndo skuadër në Superligë”.

23-vjeçari ka arritur të ambientohet shumë shpejt te Prishtina, duke u shndërruar në njërin prej lojtarëve kryesorë të ekipit. Basketbollisti i Përfaqësueses së Shqipërisë po luan te Prishtina me një mesatare prej 16.5 pikëve, 7.5 kërcimeve dhe 2.8 asistimeve për ndeshje. Megjithatë, Lekndreaj (192 cm) thotë se meritat më të mëdha për paraqitjet e tij të mira te Prishtina i kanë bashkëlojtarët që e kanë ndihmuar të ambientohet në mënyrën më të mirë të mundshme në kryeqytet.

“Jam pjesë e klubit gati prej fillimit të kampionatit dhe jam ambientuar shumë mirë me skuadrën. Jemi një ekip që secili prej nesh jep më të mirën për të ndihmuar skuadrën të shënojë fitore. Kam pasur paraqitje të mira deri më tani dhe shpresoj të vazhdoj edhe në pjesën tjetër të sezonit ta jap kontributin tim për ta ndihmuar ekipin”, u shpreh Lekndreaj, që luan krah-qendër.

Ish-basketbollisti i Vllaznisë së Shkodrës pret që të rikthehet shpejt nga lëndimi për t’i ndihmuar bashkëlojtarët e tij në parket. Ai beson se kur të rifillojë sezoni, që aktualisht është në pushim për shkak të ndeshjeve të Përfaqësueses së Kosovës, do të jetë plotësisht i gatshëm. Për Lekndrejajn ky është edicioni i parë që po luan në Superligën e Kosovës në basketboll dhe thotë se kampionati është shumë cilësor, me ekipet që pothuajse janë të barabarta. Ai kryesisht ka luajtur në Shqipëri, pasi krahas Vllaznisë karrierë ka bërë edhe te Partizani i Tiranës dhe Goga Basket. Lendreaj vendosi që karrierën ta vazhdojë në Kosovë për shkak të situatës me koronavirus, e cila ka bërë që të gjitha aktivitetet e basketbollit të Shqipëri te pezullohen. Ai është vetëm njëri prej disa basketbollistëve nga Shqipëria që shkaku i kësaj situate kanë vendosur të luajnë në Kosovë: Julian Hamati e Endrit Hysenagolli (Bashkimi), Frenki Lilaj (Ylli), Robert Shestani (Vëllaznimi). Lekndrejaj, që në të kaluarën ka pasur mundësi në Ligën Ballkanike të luajë ndaj skuadrave kosovare, e ka vlerësuar lart kampionatin kosovar.

“Niveli i kampionatit është shumë i lartë, pasi të gjitha klubet kanë bërë përforcime. Të gjitha skuadrat në radhët e tyre kanë basketbollistë cilësorë, çfarë e bën edhe më të vështirë. Kampionati është i baraspeshuar, do të jetë e vështirë, por ne do të luftojmë deri në fund për ta fituar titullin e kampionit”, potencoi Lekndrejaj.

Prishtina, pas 19 ndeshjeve të zhvilluara në Superligën e Kosovës në basketboll, është në vendin e gjashtë me 25 pikë të mbledhura. Kryeqytetasit kanë gjashtë fitore dhe 13 humbje në pjesën e rregullt të kampionatit, në të cilën kanë mbetur edhe nëntë xhiro të pazhvilluara.