Sport

Sulmuesi amerikan, Hoppe, pika e ndritur e Schalkes

erlin, 11 shkurt (AP) – Matthew Hoppe duket sikur sapo ka filluar. Sulmuesi 19-vjeçar amerikan shënoi “hat-trick” në ndeshjen e tij të tretë si titullar te Schalke dhe vazhdoi me gola edhe në dy ndeshjet e tij të ardhshme për ekipin gjerman. Me këta pesë gola Hoppe është tashmë shënuesi kryesor i Schalkes këtë sezon. Ai është pa dyshim shpresa më e madhe e ekipit për të shmangur rënien nga Bundesliga pas rezultateve të dobëta këtë sezon.

Schalke është në vendin e fundit në Bundesligë, me vetëm një fitore në 20 ndeshje të luajtura. Nëntë pikë larg zonës së sigurt me 14 ndeshje për t’u luajtur, Schalke ka nevojë për një fitore ndaj Union Berlinit të shtunën për të rindezur çdo shpresë për mbijetesë.

“Synimi më i madh është të përpiqemi dhe të ndihmojmë Schalken të qëndrojë në Bundesligë. Ky është fokusi im më i madh tani”, insistoi Hoppe. “Unë dua të vazhdoj të shënoj gola duke ndihmuar ekipin në çdo mënyrë që mundem”.

Sulmuesi 19-vjeçar është përqendruar në lojën e tij, duke kërkuar vazhdimisht mënyra për t'u përmirësuar, i sigurt se puna e vështirë përfundimisht do të shpaguhet për ekipin.

“E dija që nëse do të vinte një mundësi unë do të isha gati për të. Unë mendoj se thjesht i bëra gjërat e vogla siç duhet”, tha Hoppe, i cili u promovua në ekipin e parë në nëntor të vitit të shkuar.

Hoppe, i cili ende nuk ka luajtur për ndonjë ekip përfaqësues të të rinjve amerikanë, ka marrë një rrugë të pazakontë për në Bundesligë. Sulmuesi u bashkua me ekipin U19 të Schalkes nga Akademia e lidhur me Barcelonën në Arizona në vitin 2019. Ai shënoi tre gola në 17 ndeshje kampionale për ekipin U19 të Schalkes në sezonin e tij të parë në Gjermani, pastaj një në 16 paraqitje për ekipin rezervë.

“Unë shënova një gol dhe që atëherë ata më thirrën në stërvitje me ekipin e parë dhe luajta mirë”, tha Hoppe.

Lojtarit iu dha shansi i tij për të bërë përshtypje në ekipin e parë pas dëmtimit të sulmuesit portugez Gonçalo Paciencia. Ai bëri debutimin e tij në Bundesligë kundër Borussia Moenchengladbachut më 28 nëntor. Hoppe që atëherë i ka bërë dhjetë paraqitje për ekipin e parë.

“Ëndrra ime qëkur isha i ri ishte të isha një lojtar i mirë në Evropë. Kur isha duke luajtur në Akademinë e Barcelonës m’u dha mundësinë të shkoja në Spanjë. Unë gjithashtu isha në gjendje të shkoja në La Masia. Kjo më dha një përvojë”, tha Hoppe për vizitën e tij në Akademinë e famshme të gjigandit spanjoll.

Agjenti i tij organizoi prova në klube të tjera të Evropës dhe Hoppe bëri përshtypje në Schalke.

“Ata ishin në gjendje të më ofronin një vend në ekip dhe unë e pranove menjëherë”, thotë ai.

Hoppe u bë amerikani i tretë që shënoi në tri ndeshje rresht në kampionatit gjerman pas Eric Wynaldas me Saarbruckenin në vitin 1992 dhe Clint Mathisit me Hannoverin në vitin 2004. “Hat-tricku” i tij në fitoren 4:0 ndaj Hoffenheimit më 9 janar e shpëtoi Schalken nga poshtërimi i barazimit të rekordit të ligës që e mban Tasmania Berlini me 31 ndeshje rresht pa fitore.

“Pasi i shënova ata gola, ishte e vështirë të besoja në fillim”, tha Hoppe. “Por unë mendoj se me ata gola besimi im u rrit dhe isha në gjendje të tregoja aftësitë e mia me ekipin e parë”.

Amerikani duhet të përfitojë nga transferimi i Schalkes, sulmuesi veteran Klaas Jan Huntelaar. Huntelaar më parë ka luajtur për Ajaxin, Real Madridin e Milanin para se të shënonte 126 gola në 239 ndeshje të Bundesligës gjatë aventurës së tij të mëparshme në Schalke. Por holandezi 37-vjeçar është dëmtuar dhe deri më tani ka vetëm një paraqitje, atë ndaj Werder Bremenit ku u inkuadrua nga bankina. Lëndimi nuk e ka ndaluar Huntelaarin të ketë një ndikim në ekip dhe te Hoppe në veçanti.

“Ai ka qenë në disa stërvitje. Ai më fliste dhe më thoshte disa gjëra të vogla dhe disa gjëra të mëdha për të cilat mund të punoj. Mendoj se është e rëndësishme për mua. Është mirë të kesh një lojtar si ai, sepse përvoja e tij mund të më ndihmojë shumë”, tha Hoppe.

Huntelaar mbetet i dëmtuar për vizitën në Union të shtunën, por Hoppe është gati të plotësojë mungesën e tij.