Sport

Ushtarja e Britanisë ëndërron ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike të Tokios

 

Prishtinë, 11 shkurt – Leonora Brajshori është garuesja e vetme të cilën Federata e Peshëngritjes së Kosovës (FPK) e ka paraqitur për pjesëmarrje në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes, që prej 3 deri më 11 prill është paraparë të mbahet në Moskë të Rusisë. Përgatitjet për Evropian, Brajshori po i kryen në kampin e ushtrisë së Britanisë.

Brajshori garon në kategorinë deri 55 kilogramë, ndërsa që prej vitit 2013 është e angazhuar me detyra në ushtrinë britanike. Prej vitit 2013 ka nisur të merret edhe me ngritje të peshave.

Brajshori synon të arrijë sukses në Evropianin e Moskës, kurse ëndrra e saj e madhe është pjesëmarrja në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” që për shkak të pandemisë së koronavirusit janë shtyrë për verën e këtij viti.

Ëndrra për pjesëmarrje në Olimpiadë për Brajshorin është goxha e shtyrë. Ajo nuk ka nisur të merret me këtë sport në moshë të re.

“Kam marrë pjesë në kampionatin botëror në vitin 2018, Evropian 2019, Kupën e Botës 2019 dhe në vitin 2020. Në ‘Womans’s Grand Prix’ kam dalë e dyta, por synimet e mia janë të kualifikohem në Olimpiadë dhe ta përfaqësoj Kosovën. Është ëndërr për mua. Tani së fundmi kemi pasur telashe me stërvitje shkaku i situatës me koronavirus. Salla në ushtri herë është e hapur e herë jo për ushtrime. Megjithatë, është goxha më mirë situata se muaj më parë”, ka thënë Brajshori për KOHËN.

Brajshori është e lindur në Prishtinë, në korrik të vitit 1985. Nga Kosova është larguar në vitin 1992.

“Kemi ardhur në Angli si refugjatë. Kam dëgjuar rrëfimin e largimit tonë, sepse unë vetë kam qenë 6-vjeçare. Kemi bërë rrugë për tri ditë me kamion. Në Angli jam marrë me disa sporte të tjera, por jo garuese. Kanë qenë për mua rekreative, ndërsa talenti për peshëngritje më është zbuluar këtu në ushtri. Është kryetari i Federatës, Astrit Hasani, që ma ka mundësuar të garoj për Kosovën. Kam fituar përvojë tashmë dhe në të ardhmen dua të bëhem trajnere për femra për peshëngritje. Nëse do të ndodhte në Kosovë do të ishte më mirë”, ka theksuar Brajshori.

Leonora me sport ka nisur të merret në ushtrinë britanike, në vitin 2013. Me pesha ka nisur fillimisht në “powerlifting”, ndërsa më vonë në peshëngritje.

Asaj i është mundësuar nga ushtria britanike që të përkushtohet në tentim për të arritur normë për Lojërat Olimpike "Tokio 2020". Pas Olimpiadës së ardhshme do t'iu kthehet detyrave të ushtrisë për një vit. Ajo do të lirohet nga angazhimet e saj në ushtri edhe për përgatitjet për Lojërat Olimpike të vitit 2024.

“Për secilin sportist paraqitja në Olimpiadë është një e arritur e madhe. Për mua do të ishte njëjtë dhe unë do të mundohem maksimalisht t’ia dal ta realizoj ëndrrën time”, ka thënë Brajshori.

Normën olimpike aktualisht e ka siguruar vetëm mundësi Egzon Shala, ndërsa Kosova synon që në Olimpiadë të paraqitet me më shumë garues me normë. Ka bindje se Kosova do t’i fitojë së paku pesë norma olimpike nga xhudistët. Në Lojërat Olimpike, në Rio, në vitin 2016, Kosova u kthye me medalje të artë olimpike falë xhudistes Majlinda Kelmendi.

Sporti i peshëngritjes ka kohë që bën përpjekje për rritje në Kosovë. Por vazhdon të mbetet jo shumë i zhvilluar. Numri i garuesve po ashtu është i vogël. Në mungesë konkurrence, Brajshori e ka pasur rastin të garojë në ngjarjet më të mëdha. Por rezultatet e saj të deritashme janë larg prej atyre që kërkohen për normë olimpike.