Sport

Shoshi, “arma” shtesë e Pejës në plejof

Prishtinë, 11 shkurt – KB Peja të mërkurën njoftoi për angazhimin e qendrës amerikane, LeRon Dendy. Por transferimi i madh i ekipit pejan do të realizohet pak para fillimit të garave të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Plejofi pritet të fillojë në muajin prill.

Qendra Lis Shoshi pritet të jetë “arma” shtesë e KB Pejës nën trapez, në tentim për ta fituar titullin e kampionit. Reprezentuesi i Kosovës, Shoshi, së shpejti do të zyrtarizohet te KB Peja. Këtë e ka konfirmuar kryetari i klubit pejan, Fatmir Gashi, të enjten për KOHËN.

Sipas Gashit, Shoshi tashmë ka filluar të stërvitet dhe po e merr veten pas lëndimeve që i ka pasur në periudhën e fundit, kështu që do të jetë plotësisht i gatshëm për garat e plejofit.

“Po, është e vërtetë që Lis Shoshi do të jetë pjesë e Pejës për plejof. Ai ka kohë që ka nisur të stërvitet dhe do të jetë gati për të luajtur”, është shprehur shkurt Gashi.

Shoshi (211 cm) nuk ka luajtur prej verës së vitit 2019 për shkak të dy lëndimeve të njëpasnjëshme. Më 28 korrik të vitit 2019, Shoshi në ndeshjen miqësore të Kosovës dhe Shqipërisë e lëndoi krahun dhe prej asaj kohe më nuk ka luajtur.

Në fakt, Shoshi ishte lënduar pak para se t’i bashkohej ekipit të Bundesligës së Gjermanisë, s. Oliver Wuerzburg, me të cilin kishte arritur marrëveshje. Pas intervenimit kirurgjik në krah, Shoshi brenda një periudhe të shkurtër u detyrua të bënte edhe një intervenim në shpinë dhe kjo bërë që ai ta humbasë komplet edicionin 2019/20 pa e regjistruar asnjë ndeshje.

Megjithatë, faza finale e këtij edicioni pritet të shënojë kthimin e Shoshit, pas një mungese prej më shumë se 18 muajve, për të vazhduar rrugën që e la në gjysmë.

“Jam në fazën e fundit që t’i kaloj të gjitha barrierat fizike e mentale, që të marr dritën e gjelbër për të luajtur dhe besoj edhe që t’i lë këto fatkeqësi prapa”, ka thënë Shoshi në një intervistë për KOHËN në fund të muajit të shkuar.

Para lëndimit të krahut të djathtë, basketbollisti pejan, i gjatë 211 centimetra, ishte në ngritje të madhe në karrierë. Pas zhvillimit te Howard College dhe Little Rock në SHBA (2013 – 2017), Shoshi kishte nisur karrierën profesionale te Sigal Prishtina. Më pas kishte luajtur në Lituani te Pieno Zhvaigzhdes. Ndërsa edicionin 2018/19 e kaloi te Maccabi Ashdod në Izrael. Pas paraqitjeve të mira erdhi marrëveshja me skuadrën gjermane.

Mungesa e Shoshit është ndier edhe në ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës që nga gushti i vitit 2019. Ai është prej lojtarëve të paktë shtatgjatë që shfaq stabilitet dhe është prej bartësve të lojës te “Dardanët”, të cilëve do t’u mungojë edhe në ndeshjet e javës tjetër që i luajnë në Prishtinë në kuadër të raundit të parë parakualifikues për Botërorin 2023, kundër Luksemburgut (18 shkurt) dhe Sllovakisë (20 shkurt).

Megjithatë, kthimi në parket me fanellën e Pejës, do të jetë sinjal i mirë për Shoshin por edhe ekipin pejan që këtë sezon e nisi me synime për ta fituar titullin dhe kupën. Pas humbjes në Kupë, te Peja mund ta shpëtojnë këtë sezon vetëm me titullin e kampionit dhe krahas Shoshit në ekip është edhe kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha.

Aktualisht Peja zë vendin e tretë në tabelë me 31 pikë të mbledhura, sa i ka edhe Rahoveci që është i katërti. Dy vendet e para i mbajnë Golden Eagle Ylli dhe Ponte Prizreni, me nga 32 pikë të mbledhura. Deri në fund të pjesës së rregullt të këtij edicioni kanë mbetur edhe nëntë xhiro të pazhvilluara kurse Superliga është në pushim për dy javë shkaku i ndeshjeve të Përfaqësueses së Kosovës.

Shoshi nuk është lojtari i vetëm i Kosovës që këtë edicion ka vendosur ta mbyllë në Superligën vendore. Para tij në basketbollin kosovar janë kthyer edhe reprezentuesit Erjon Kastrati e Gëzim Morina që janë bashkuar me Yllin dhe amerikani i natyralizuar Divine Myles që është pjesë e Ponte Prizrenit. Me kthimin e Shoshit te Peja i vetmi lojtar i Kosovës që bën karrierë jashtë kufijve do të jetë Mikaile Tmushiq. Ai është pjesë e ekipit nga Mali i Zi, Podgorica. Amerikanët e tjerë të natyralizuar, Shawn Jones e Scott Bamforth, po ashtu luajnë jashtë Kosovës.

Shoshi në moshë të re ishte pjesë e basketbollit pejan. Ai është nga Peja. Ishte larguar nga ky qytet në moshë të re.

“Lisi që shkoi në SHBA me Lisin që u kthye nga SHBA-ja kanë të përbashkët vetëm emrin”, kishte thënë Shoshi i pyetur për avancimin që kishte bërë në SHBA.