Sport

Lara Gut-Behrami stoliset me medalje të artë në Botërorin e Cortinas

Lara Gut-Behrami, skitarja 29-vjeçare nga Zvicra, e ka fituar medaljen e artë në një ngjarje të madhe. Ajo përfundoi para bashkëkombëses, Corinne Suter, ndërsa ish-kampionia Mikaela Shiffrin u stolis me medaljen e bronztë.

Bashkëshortja e futbollistit të njohur shqiptar, Valon Behramit, ishte e para në podium pas suksesit të arritur në Kampionatin Botëror të femrave në disiplinën Super G që po mbahet në Cortina të Italisë.

Paraprakisht, Gut-Behrami kishte fituar pesë medalje në Kampionatet Botërore të skijimit alpin.

29-vjeçarja të enjten para garës ishte favorite e madhe, pasi kishte fituar katër herë në ngjarjet e Kupës së Botës në Super G në fillim të vitit 2021.

Ajo e përfundoi garën me 0.34 sekonda para Suterit, ndërsa gjithë pistën në Olympia delle Tofane, e kompletoi për një minutë, 25 sekonda e 51 të qindtat.

Ish-kampionia Mikaela Shiffrin mbeti prapa për 0.47 sekonda.

“Në të kaluarën, gjithmonë kam dashur ta fitoj të artën dhe nuk ndodhi asnjëherë, por sot ishte hera e parë që e dija se jeta ime nuk do të ndryshonte nëse do të fitoja apo jo”, ka thënë Gut-Behrami për FIS TV. “Nuk kam skijuar për ta fituar medaljen e artë, por për të treguar se çfarë mundem të bëj dhe ka qenë dallim i madh nëse e krahasoj këtë vit me edicionet e kaluara. Po ashtu, më në fund e di se sa vlej. Nuk qëndron ajo se nëse fiton medalje të artë vlen karriera jote dhe nëse nuk fiton, nuk vlen asgjë”, nënvizoi Gut-Behrami.

Kjo garë në Itali e zhvilluar të enjten, pas tri ditësh shtyrje për shkak të motit jo të përshtatshëm.

Garat në ski në konkurrencën e femrave në Cortina do të zhvillohen sërish të shtunën më 13 shkurt, në disiplinën e lëshimit.