Sport

Garës për të parin e KOK-ut, i shtohen edhe dy kandidate

Prishtinë, 10 shkurt – Në pesë ka shkuar numri i kandidatëve për të parin e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK). Pas presidentit aktual të KOK-ut, Besim Hasani, dhe Ismet Krasniqit, kryetarit të Federatës së Karatesë së Kosovës (FKK) e kryetarit të Federatës Skitare të Kosovës (FSK), Milaim Kelmendi, në garë për president të ri të KOK-ut, do të hyjnë edhe Linda Shala e Afërdita Fazlija. Kjo e fundit që mban postin e zëvendësdrejtoreshës në Departamentin e Sportit, ka thënë se kandidimi i saj vjen si kërkesë e federatave, ndërsa Shala është propozuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës, ku e mban postin e nënkryetares.

Koha e mbajtjes së zgjedhjeve për president të ri në KOK është caktuar fundi i muajit mars. Data nuk është caktuar ende, por numri i kandidatëve për të parin e KOK-ut po rritet dhe tashmë ka shkuar në pesë.

“Konsideroj dhe mendoj që me pozitën time në krye të KOK-ut mund të ngrit nivelin e organizimit të KOK-ut, në nivel më të lartë. Besoj që do të kem përkrahje. Të qenët grua e konsideroj një avantazh këtë garë, duke e marrë parasysh frymën olimpike që vjen nga organizatat e mëdha për përfaqësimin e denjë të femrave. Kam filluar të përgatit programin. Konsideroj se gara do të jetë më e fortë se kurrë. Përvoja ime në sport, menaxhim dhe në shumë sfera të jetës, kulturës dhe artit më japin hapësirë të ngriti nivelin e organizimit të një institucioni të rëndësishëm edhe në nivel më të lartë. Jam kandidate e FBK-së, dhe jam e gatshme për këtë sfidë. Fakti që vij prej një prej federatave më të mëdha në Kosovë, është një avantazh”, ka thënë Shala të mërkurën për KOHËN.

Image

Ajo ka theksuar se shumë shpejt do ta publikojë edhe programin me të cilin pret t’i bindë asamblistët për ta votuar. Madje, Shala ka thënë se institucioni më i lartë sportiv duhet të udhëhiqet nga një femër.

“Do ta publikoj së shpejti programin, për të pasur edhe një trajtim edhe më të veçantë për sportistët. Kur kemi vendosur në federatë për kandidaturën time, definitivisht kemi llogaritur në përkrahjen e të gjithëve. Nuk është lehtë, sepse gara do të jetë e fortë dhe me shumë kandidatë. Përfundimisht, do të jetë një garë interesante. Unë tashmë kam filluar ta përpiloj programin tim që do të jetë shumë atraktiv dhe përkrahës për komunitetin sportiv në Kosovë”, është shprehur Shala.

Ndërkohë, Fazlija ka theksuar se tash për tash nuk ka se çfarë të komentojë. Mirëpo, ajo ka theksuar se ishte kërkesë e federatave sportive në vend që ajo t’i futet garës për të parin e KOK-ut.

“Ka interesim nga federatat, por unë nuk kam ndonjë deklarim për momentin”, ka thënë shkurt Fazlija për KOHËN.

Image

Fazlija është edhe përzgjedhëse e përfaqësueses “A” të femrave në futboll, ndërsa për kohë të gjatë punon në Departament të Sportit, degën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në fakt, aktualisht, KOK-u udhëhiqet nga Besim Hasani, që po ashtu ka konfirmuar kandidaturën edhe për një mandat tjetër. Hasani në krye të KOK-ut është që nga viti 1996. Ai është edhe kryetar i Federatës së Karlingut të Kosovës, i zgjedhur në vitin 2011, ndërsa ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i Federatës së Karatesë së Kosovës dhe Sportit të Kosovës.

Në të kaluarën, Hasani ka fituar bindshëm garën me kundërkandidatët e tij duke pasur përkrahjen e madhe të asamblistëve. Por, për mandatin e ri vlerësohet se do të jetë garë e ngushtë. Shumë anëtarë të federatave që do të kenë të drejtë vote janë ende të pavendosur se cilit kandidat do t’i japin përkrahje, ndërsa fushata ka nisur më herët. Zgjedhjet ishte kërkuar të mbaheshin pas Lojërave Olimpike që mbahen gjatë verës në Tokio e ku Kosova pretendon të shkojë me më shumë se pesë norma olimpike. Madje, kërkon që nga Tokio të kthehet edhe me medalje olimpike. Nën drejtimin e Hasanit, Kosova e ka fituar një medalje olimpike. Është xhudistja Majlinda Kelmendi që në vitin 2016 në Rio fitoi medaljen olimpike. Se kush do ta udhëheqë ekipin e Kosovës në Tokio do të mësohet pas zgjedhjeve që do të mbahen në mars.

Si Kelmendi ashtu edhe Krasniqi janë të bindur se do të jenë ata udhëheqës të ekipit olimpik drejt Tokios.

Hasani në krye të KOK-ut është tashmë 24 vjet, ndërsa ka thënë se ka ende çka t’i japë komunitetit sportiv. Por, edhe Krasniqi e Kelmendi më herët për KOHËN kanë thënë se para asamblistëve të Komitetit Olimpik të Kosovës do të paraqiten me një program të fortë. Kelmendi është një prej katër nënkryetarëve të KOK-ut.

Kelmendi në krye të Federatës Skitare të Kosovës erdhi në vitin 2016. Nga viti 2006 deri në vitin kur u zgjodh kryetar i FSK-së, ishte nënkryetar.