Sport

Marmarinos i fokusuar më shumë tek e ardhmja sesa te fitoret me Luksemburgun dhe Sllovakinë

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll nuk ka opsion tjetër veç t’i fitojë dy ndeshjet e fundit të raundit të parë parakualifikues për Botërorin 2023 nëse dëshiron të kualifikohet në raundin tjetër. Se ky nuk është mision i lehtë e ka pranuar përzgjedhësi i Kosovës, greku Christos Marmarinos. Kosova të martën ka nisur grumbullimin për dy ndeshjet e Grupit B, të cilat i luan me Luksemburgun dhe Sllovakinë në Prishtinë.

Marmarinos të mërkurën do t’i bashkohet përfaqësueses dhe do ta nisë punën për t’u përgatitur sa më mirë për këto duele që zhvillohen javën tjetër.

Më 19 shkurt, Kosova përballet me Luksemburgun, kurse dy ditë më vonë do të luajë me Përfaqësuesen e Sllovakisë. Në fakt, të gjitha ndeshjet e mbetura të këtij grupi parakualifikues do të zhvillohen në Prishtinë, nën organizimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK). Kosova është e treta në grup me gjashtë pikë të mbledhura, sa i ka edhe Sllovakia në pozitën e dytë, derisa Luksemburgu është i fundit me pesë pikë të tubuara. Vendin e parë në grup e ka Islanda me shtatë pikë. Dy skuadrat e para do të avancojnë në raundin tjetër.

Kosova në katër ndeshje të zhvilluara ka dy fitore dhe po aq humbje. Përzgjedhësi Marmarinos të martën për KOHËN ka thënë se synimi është që të fitohen të dyja ndeshjet, ndonëse e ka pranuar se nuk do të jetë mision i lehtë. Megjithatë, tekniku grek pret paraqitje më të mira të Kosovës sesa në dy ndeshjet e shkuara që i zhvilloi në nëntor të vitit të kaluar, të cilat i humbi nga Sllovakia (91:67) dhe Islanda (86:62). Për dallim prej atyre ndeshjeve, në të cilat Kosova pati mungesa të theksuara, këtë herë ekipi pritet të jetë i kompletuar, pasi i përfshirë do të jetë edhe amerikani i natyralizuar Divine Myles, që muajin e shkuar u bashkua me Ponte Prizrenin. Është kthyer edhe kapiteni dhe lideri Dardan Berisha.

“Synimi është të fitojmë, por gjithashtu edhe të krijojmë bazë për të ardhmen e basketbollit të Kosovës. Për mua, fitore më e madhe është krijimi i bazës, edhe pse luajmë ta fitojmë secilën ndeshje, por duhet të fokusohemi edhe në planin tonë afatgjatë”, është shprehur Marmarinos. “Grumbullimi dhe përgatitjet janë shumë të rëndësishme për ta parë nga afër formën e lojtarëve. Për fat të keq kemi ca telashe, por me punë duhet t’i tejkalojmë edhe ato. Në mendjen tonë është ta përfaqësojmë shtetin në mënyrën më të mirë të mundshme, të përpiqemi maksimalisht dhe të luftojmë deri në sekondën e fundit”.

Marmarinos pranon se është një përparësi që ndeshjet do të luhen në Prishtinë, por thotë se i vjen keq që tifozët nuk do të lejohen në palestër për t’i përkrahur basketbollistët e tij, me atmosferën që krijojnë në tribuna.

Lojtarët e Kosovës të hënën janë testuar për COVID-19 dhe ekipi menjëherë është futur në karantinë për të mos rrezikuar që lojtarët të infektohen me koronavirus. Stërvitjen e së martës mbrëma e ka mbajtur stafi i ndihmëstrajnerëve të Marmarinosit, kurse prej të mërkurës do të fillohet me stërvitje intensive dhe përgatitje sa më të mirë për dy ndeshjet e fundit dhe më të rëndësishme të këtyre parakualifikimeve.

“Fakti që ndeshjet luhen në Prishtinë është shumë i mirë. Do të doja që edhe tifozët të ishin të pranishëm, sepse kanë rëndësi të madhe për ne, por situata me virusin na ka sjellë në këtë gjendje që duhet ta respektojmë maksimalisht për shkak të protokolleve. Federata po bën një punë fantastike duke na ofruar kushtet më të mira të mundshme që të jemi sa më të gatshëm për ndeshjet që i luajmë javën e ardhshme”, u shpreh Marmarinos.

Në listën e zgjeruar të përzgjedhësit Marmarinos, krahas basketbollistëve të zakonshëm, janë përfshirë edhe dy emra të rinj. Denis Zenelaj dhe Dion Sheqiri tashmë janë pjesë e grumbullimit të Kosovës dhe mbetet të shihet nëse do të përfshihen në listën përfundimtare të Marmarinosit, që do të publikohet javën tjetër.

“Ekipi është një përzierje e lojtarëve me përvojë dhe të rinj dhe në stërvitje do të shohim se cili prej tyre do të përfshihet në ekip për ndeshjet me Luksemburgun e Sllovakinë. Familja jonë e basketbollit është e madhe dhe ne kemi mundësinë të zgjedhim ata që janë në formën më të mirë dhe ata që do t’i përshtaten sistemit tonë të lojës ndaj secilit kundërshtar”, tha Marmarinos.