Sport

Lëndimet që lanë pjesëmarrësen e Olimpiadës së Rios pa gara që nga viti 2018

Prishtinë, 6 shkurt - Është viti i tretë që nuk është përfshirë në asnjë garë, si në nivel vendi ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Bëhet fjalë për pjesëmarrësen e Lojërave Olimpike "Rio 2016", Vijona Kryeziu. Paraqitja në Rio ishte e para për Kryeziun dhe garuesit e tjerë të Kosovës. Por, atletja e klubit “Rogana” beson se do të kthehet fuqishëm për ta siguruar edhe një pjesëmarrje tjetër në Lojërat Olimpike. Në Rio ajo shkoi me ftesë, ndërsa në të ardhmen pretendon ta fitojë normën olimpike. E, për ta arritur një gjë të tillë, Kryeziu premton angazhim qysh nga data 20 e këtij muaji.

“Kam dëgjuar diskutime të ndryshme se e kam lënë atletikën, por kjo nuk qëndron. Jam duke u munduar t'i lë prapa lëndimet. Së fundi e kam pasur një problem me thembër dhe jam duke bërë një pauzë aktive. Po mendoj prej 20 shkurtit t’i filloj stërvitjet. Për këtë fillimvit nuk besoj se do të ketë ndonjë garë. Po synoj të kthehem kah gushti ose shtatori, ose nga viti tjetër të nis me gara. Nga qershori i vitit 2018 nuk kam pasur asnjë garë, por stërvitje kam bërë. Në gara nuk kam pasur mundësi të marr pjesë, shkaku i lëndimeve", ka thënë Kryeziu të shtunën për KOHËN.

Për Kryeziun nuk është lëndimi i vetëm. Ajo lëndimin e parë e pati pësuar pas Lojërave Mesdhetare të mbajtura në Spanjë, "Tarragona 2018". Mbeti rreth tre muaj jashtë garave. U kthye, ndërsa në janar të vitit 2019, siç tregon ajo pas kthimit nga përgatitjet në Ulqin, ka pësuar një tjetër lëndim.

“Ky lëndimi i nyjës më ka zgjatur një vit e tre muaj. U ktheva sërish në stërvitje, u përgatita për garë, por fatkeqësisht pandemia nuk ma ka lejuar të marr pjesë në garat jashtë vendit. Dhe, në gusht të vitit të kaluar jam lënduar sërish, tani në thembrën e këmbës së djathtë. Kam bërë ekzaminim jashtë vendit, në Turqi dhe Serbi, për shkak se në Kosovë mjekët më kanë dhënë shpresa që do ta kaloj lëndimin por jo, jam detyruar të shkoj në Turqi dhe në Serbi, te dy ortopedë”, thotë ajo.

Se Vijona do të bëjë kthim të shpejtë në gara është i bindur edhe trajneri saj, Zijadin Kryeziu. Ai thotë se rezultatet e Vijonës vazhdojnë të mos preken edhe nga disa meshkuj te disa klube të atletikës. "Vijona nuk e ka lënë atletikën për asnjë moment, por ka pasur probleme me lëndime. Ka pasur ekzaminime të nyjës kosofeurale, terapi të rëndë, pastaj është kthyer në stërvitje vjeshtën e kaluar, por përsëri ka pësuar lëndim dhe është qe një kohë me ushtrime të lehta dhe terapi fizikale. Jemi duke bërë përpjekje të kthehemi në stërvitje të plotë, por jo për gara të nivelit shtetëror, pasi rezultatet e saj janë pothuajse të pakapshme edhe për disa meshkuj të disa klubeve. Nuk po flas për femra që janë larg rezultateve të saj. Pra, qëllimi është të kthehemi në stërvitje të plota, tash mbetet të shihet a do t'ia dalim me sukses t'i kalojmë këto probleme, por shkëputja nuk ka të bëjë asgjë me inkuadrimin e saj në FSK", ka thënë trajneri Kryeziu.

Ndërkohë, atletja nuk ka hezituar t’i numërojë sukseset e saj.

"Pesë vjet rresht jam zgjedhur atletja më e mirë e vitit. Mbaj gjashtë rekorde të Kosovës, kam arritur të gjitha normat evropiane dhe botërore për moshat U20 dhe U23, sepse në atë kohë unë kisha vetëm 17 vjet. Kam marrë pjesë në të gjitha ngjarjet sportive e deri te ngjarja më e madhe siç janë Lojërat Olimpike, diçka që për mua ka qenë e veçantë pasi kam qenë sportistja më e re nga ekipi i Kosovës. Po ashtu, edhe në sportin e atletikës kam qenë ndër më të rejat. Kam qenë gjysmëfinaliste në Kampionatin Botëror në Poloni për grupmoshën U20 në vitin 2016, gjë që ka ndodhur për herë të parë në histori të atletikës kosovare", ka shtuar Kryeziu.

Megjithatë, ajo pranon se pjesëmarrja në LO “Rio 2016” mbetet e arritura më e madhe në karrierën e saj sportive.

“Kam thënë më herët se ëndrra ime është pjesëmarrja në Olimpiadë dhe tash ëndërroj të marr pjesë në sa më shumë olimpiada, por me normë olimpike. Për medalje është shumë ta them, por për evropiane mund t’ia dal nëse nuk kam probleme me lëndime. Pjesa e punës që e bëj nuk më pengon. Më kanë kuptuar dhe më kanë liruar prej angazhimeve kur kam stërvitje për gara", tha ajo. Atletja 23-vjeçare ngul këmbë se sukseset do t'i kishte edhe më të mëdha, por janë lëndimet që e kanë penguar në karrierë. Megjithatë, ajo thotë se ka gjetur vullnet për të mos u dorëzuar asnjëherë dhe vetëm për një arsye: "Karriera më ka mbetur në gjysmë dhe misionin tim në sport nuk e kam përfunduar ende. E di që shumë sportistë do të ishin larguar pas kaq shumë lëndimesh, por unë nuk e kam në mend të dorëzohem asnjëherë. Dua të luftoj me këto lëndime dhe nuk dua të ma shuajnë ëndrrën dhe synimet që i kam pasur gjithmonë”, ka deklaruar Kryeziu.

E ëndrra e saj është të arrijë normë për Kampionatin Botëror dhe Olimpiadë si seniore.

“Nuk mendoj t’i përsëris rezultatet, por mendoj t’i përmirësoj ato dhe të arrij rezultate sa më të mëdha, pse jo edhe normë botërore dhe olimpike për seniore. Edhe pse kanë qenë rezultate jashtëzakonisht të mira, që më kanë vlerësuar edhe trajnerë të shteteve të tjera, unë asnjëherë nuk kam qenë e kënaqur dhe gjithmonë kam synuar të arrij sa më shumë. Besoj dhe shpresoj se do t'i arrij ato synime", ka thënë Kryeziu.