Sport

I lindur dhe rritur në Zvicër, Hasani do të luante me kënaqësi për Kosovën

Prishtinë, 30 janar – Një talent tjetër i futbollit me prejardhje nga Kosova, po rritet në Zvicër. Në moshën 17-vjeçare, me mjaft sukses po paraqitet për ekipin FC Aarau, që bënë gara në kategorinë e dytë të futbollit zviceran. Bëhet fjalë për Binjamin Hasanin, prindërit e të cilit janë nga Komuna e Vushtrrisë. Për KOHËN, Hasani ka thënë se për të gjitha arriturat e tij, meritat u takojnë prindërve.

“Kam lindur në Olten Kanton Solothurn të Zvicrës më 22 prill 2003. Jetoj me prindërit dhe dy vëllezërit. Prindërit i kam nga Komuna e Vushtrrisë. Me vendbanim jam në Erlinsbach dhe që nga mosha shtatëvjeçare kam filluar të luaj futboll. E kam përfunduar shkollën fillore deri në klasën e gjashtë, kurse nga klasa e shtatë e deri me tani jam në gjimnaz ku kam vijuar shkollim special, Sport Program. Deri këtu kam ardhur me përkrahjen e prindërve”, u shpreh fillimisht futbollisti kosovar.

Për nëntë vjet, Hasani ka qenë pjesë e kategorive të reja të FC Aaraut, kurse që nga janari i këtij viti, ai është bërë pjesë e rëndësishme e ekipit të parë. Momentin e debutimit me ekipin e parë, insiston se nuk do ta harrojë kurrë.

“Kam filluar të luaj në FC Erlinsbach. Kurse që nëntë vjet jam pjesë e Aaraut. Kam luajtur për të rinjtë e këtij klubi, kurse nga 18 janari jam pjesë e ekipit të parë. Ka qenë vështirë, por unë me punën që kam bërë për nëntë vjet te Aarau, ku kam qenë edhe kapiten, ma kanë vlerësuar talentin dhe më kanë ofruar kontratë. Me ekipin e parë kam debutuar në moshën 17-vjeçare dhe kam arritur të shënoj një gol deri me tani. Momenti i debutimit do të jetë i paharruar për mua. Jam krenar që kam arritur ta bëj hapin e parë të rëndësishëm në karrierë time”, theksoi Hasani, i cili është paraqitur deri me tani në gjashtë ndeshje. “Në gjashtë ndeshje të luajtura, ekipi ka rezultate pozitive pasi ka regjistruar pesë fitore dhe një barazim. Në ndeshjen e tretë si mbrojtës kam shënuar edhe golin”.

Para se ta vazhdonte kontratën me Aaraun deri në vitin 2023, Hasani kishte edhe oferta të tjera. Ai tregon arsyen se pse vendosi të mbetet të klubi ku është rritur.

“Kam pasur oferta, por kam vendosur të mbetem te Aarau deri në vitin 2023. Arsyeja është shkollimi, matura dhe respekti i madh që kam për këtë klub”, shtoi ai.

Te Aarau ka edhe futbollistë të tjerë shqiptarë: Liridon Balaj, Shkëlzen Gashi, Donat Rrudhani, Arijan Qollaku dhe Ersan Hajdari. Hasani pohon se të gjithë në ekip e kanë pritur shumë mirë dhe ka raporte shumë të mira me lojtarët nga Kosova.

“Po, ka futbollistë shqiptarë te Aarau. Më kanë mirëpritur shumë mirë, kemi raporte të shkëlqyera. Gjithashtu bëjmë edhe humor dhe kemi respekt të madh për njëri tjetrin”, u shpreh Hasani.

Në fund, Hasani e pranon se po t’i jepej mundësia, do ta veshte fanellën e Kosovës. Deri me tani, ai nuk ka luajtur asnjë ndeshje me Zvicrën.

“Me Zvicrën nuk e kam asnjë ndeshje, por nëse më jepet mundësia, atëherë me kënaqësi do të luaja për Kosovën, sepse është vendlindja e prindërve të mi. Unë e dua Kosovën”, tha Hasani. “Ëndrra ime është të rritem si lojtar, të forcohem dhe të jem pjesë e një ekipi elitar të Zvicrës, kurse më pas t’i bashkohem ndonjë klubi të madh evropian”.

Para se t’i bashkohej ekipit të parë, Hasani ka luajtur edhe tetë ndeshje me ekipin U21 të Aaraut dhe ka shënuar një gol. Prej këtij muaji, ai është shndërruar në një lojtar të rëndësishëm të Aaraut, ekip që drejtohet nga trajneri Stephan Keller. Hasani është vetëm njëri prej talenteve që i ka Kosova nëpër vendet e tjera evropiane që po zhvillohet. Ai dhe të tjerët, në të ardhmen mund të jenë shumë të rëndësishëm për “Dardanët”.