Sport

Alioski mund ta vazhdojë kontratën me Leedsin

Foto: AP

Trajneri Marcelo Bielsa bën të ditur se Ezgjan Alioski ka vendosur të qëndrojë te Leedsi.

Alioskit i përfundon kontrata në “Elland Road” në muajin qershor, ndërsa është në bisedime me klubin për kontratën e re.

Futbollisti i krahut të majtë ka luajtur rregullisht nën drejtimin e Bielsas kur klubi e siguroi rikthimin në Premier League.

“Gjëja më e rëndësishme është se ai dëshiron të qëndrojë. Lojtari duhet ta zgjedhë klubin dhe më pas klubi vendos se a e dëshiron atë. Nëse Alioski e zgjedh Leedsin, Leedsi do ta zgjedhë Alioskin”, ka thënë tekniku argjentinas i Leedsit.

28-vjeçari Alioski, i cili iu bashkua klubit nga Lugano në vitin 2017, është duke kaluar në sezonin më të mirë me Leedsin. Ai ka qenë titullar në 16 ndeshje prej 21 në total.

Edhe vetë futbollisti ka insistuar se është i lumtur pasi luan në Premier League me këtë skuadër.

“Më pëlqen këtu”, ka thënë Alioski për BBC-në. “Të luash në këtë ekip, me këtë stil të lojës, është diçka e shkëlqyer dhe unë jam duke u përmirsuar çdo ditë. Po mësoj çdo ditë diçka dhe gjëja më e mirë është se në Premier League luan kundër ekipeve që në skuadrat e veta kanë lojtarët më të mirë të Evropës”, ka thënë reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut.