Sport

Klubet e Rusisë dhe Ukrainës “njohin” Kosovën në Antalia

Prishtinës, 27 janar – Prej dhjetë skuadrave të Superligës së Kosovës në futboll, pesë po e kryejnë fazën e fundit përgatitore në Antalia të Turqisë. Drita, Ballkani, Prishtina, Arbëria e Llapi janë ekipet të cilat krahas përgatitjeve, i kanë luajtur edhe disa ndeshje miqësore.

Përballja e ekipeve kosovare në qytetin bregdetar turk ka qenë kryesisht me skuadrat nga Rusia e Ukraina, dy vende këto që nuk e kanë njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës. Në veçanti, Rusia ka qenë ndër shtetet që ka paraqitur vazhdimisht pengesa për sportistët, ekipet dhe përfaqësuesen e Kosovës në konkurrencën e femrave. Federata e Futbollit e Rusisë nuk pranoi ta priste Kosovën në vendin e saj e as nuk udhëtoi drejt Prishtinës, duke preferuar që ndeshjet të luhen në terren neutral vitin e kaluar. Kosova luajti si vendase në Gjermani, kurse Rusia zgjodhi Turqinë për dy takimet që i fitoi në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian. Probleme kishte edhe në miqësore vitin e kaluar. Skuadra e Gjilanit e kishte mposhtur Yeniseyn nga Rusia 1:0. Ndeshja ishte transmetuar në kanalin “Youtube” dhe ekipi kosovar ishte paraqitur si ekip nga Serbia, ndërkohë në marrëveshje ishte shkruar si duel mes ekipeve nga Kosova e Rusia. Reagimi i Gjilanit kishte bërë që të përmirësohej “gabimi”.

Përderisa në ndeshjet zyrtare ekipet dhe sportistët kosovarë kanë pasur probleme me shtetet që nuk e njohin Kosovën, një gjë e tillë nuk mund të thuhet për duelet miqësore që po zhvillohen këtë vit. Në Antalia, ekipet kosovare pothuajse të gjitha ndeshjet i kanë luajtur kundër skuadrave ruse dhe ukrainase. Shtatë ndeshje ishin kundër ekipeve nga Rusia, katër nga Ukraina një nga Polonia dhe dy me skuadrat turke. Organizator i të gjitha ndeshjeve miqësore të ekipeve kosovare në Antalia është Amir Prepolli. Prepolli ka qenë edhe organizator i ndeshjes së Superkupës së Kosovës ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, që u luajt në Antalia dhe përfundoi me fitoren e ekipit nga kryeqyteti (3:1). Prepolli ka thënë për KOHËN se nuk ka pasur asnjë rast që ekipet ruse, ukrainase apo polake kanë refuzuar të luajnë me skuadrat kosovare. Ai thotë se shpeshherë ka ndodhur që ato vetë të kërkojnë përballje me ekipet kosovare.

“Nuk kemi pasur raste që kanë refuzuar të luajnë ndaj ekipeve nga Kosova. Gjithçka ka shkuar pa ndonjë problem deri më tani. Ka pasur edhe raste kur ekipet nga Rusia, Ukraina dhe Polonia më kanë kontaktuar dhe kanë kërkuar që të luajnë me skuadrat nga Kosova. Raportet janë shumë të mira dhe nuk ka asnjë problem. Pjesa politike nuk iu intereson fare. Këto janë ndeshje miqësore”, tha Prepolli.

Ballkani nga Suhareka ia ka dalë ta mposhtë Vorskla Potlavë e Ukrainës (2:1), CSKA Moskën U21 (3:0) dhe Jagiellonian e Polonisë (2:1). Kapiteni i Ballkanit, Visar Berisha, ka thënë për KOHËN se mosnjohja e Kosovës nga vendet e ekipeve me të cilat janë përballur nuk ka ndikuar aspak në luajtjen e këtyre miqësoreve.

“Normalisht, sporti është ambasadori më i mirë i çdo shteti dhe nuk besoj që ka ndikuar në asnjë ndeshje mosnjohja e shtetit tonë nga shtetet e tjera. Ndeshjet kanë shkuar pa më të voglin problem”, u shpreh Berisha. “Është e vërtetë që kemi bërë disa ndeshje miqësore, kryesisht me ekipet ruse, polake e ukrainase. Ndeshjet kanë shkuar shumë mirë, si për nga organizimi, ashtu edhe nga vetë zhvillimi i tyre. Ne si ekip kemi qenë shumë të motivuar dhe të organizuar në çdo ndeshje, pasi kemi luajtur kundër ekipeve me nam në ligat evropiane”.

Ekipi tjetër kosovar që është përballur në miqësore me skuadra nga vendet që nuk e njohin Kosovën është Llapi i trajnerit Tahir Batatina. Por llapjanët kanë luajtur edhe dy miqësore ndaj ekipeve nga Turqia. Llapi e ka mposhtur Obolonin e Ukrainës (2:0), kurse ka pësuar nga Tom Tomsku i Rusisë (2:0). Trajneri i Llapit, Batatina, ka insistuar se duelet në Antalia ishin shumë pozitive për ekipin e tij.

“Kemi kaluar shumë mirë. Na kanë pritur mirë, kemi shkëmbyer përvoja të mira me ekipet kundërshtare. Kjo na ndihmon shumë që kur të jemi në garat evropiane ta dimë se çka na pret. Ata janë befasuar me progresin e arritur në Kosovë për një kohë të shkurtër”, tha Batatina, duke shtuar se ekipit rus ashtu edhe atij ukrainas as që iu ka interesuar çështja politike. “Skuadrave ruse dhe atyre ukrainase nuk u bënte përshtypje politika. Ata kishin dëshirë të luajnë me ekipe nga Kosova”.

Prishtina është përballur me ekipin rus Chayka, nga i cili ka pësuar humbje 1:0.

Edhe Drita është dashur të luajë ndaj skuadrës nga Rusia, Nizhny Novgorod, por ndeshja është anuluar të mërkurën shkaku i të reshurave të shiut. Sipas njoftimit të Dritës, takimi do të zhvillohet të enjten. Arbëria i ka luajtur dy ndeshje miqësore, kurse e treta është ndërprerë shkaku i të reshurave të shiut. Ka humbur nga Akhmat Grozny i Rusisë (3:1), klub për të cilin luajti edhe futbollisti i Kosovës, Bernard Berisha. Ndërsa ka triumfuar ndaj Lokomotivës B të Moskës (5:0). Dueli ndaj ekipit Minaj nga Ukraina u ndërpre në fund të pjesëlojës së parë shkaku i motit dhe deri ato momente, rezultati ishte në favor të Arbërisë (1:0).

Deri më tani, vetëm Llapi është kthyer në Kosovë, ndërkaq në ditët në vazhdim pritet edhe ardhja e ekipeve të tjera nga Antalia.