Sport

Qitësi Ibrahimi po synon të godasë në shenjë për “Tokio 2020”

Descriptive Text

Urata Rama nuk arriti ndonjë sukses në debutimin e Kosovës në Lojërat Olimpike, ato “Rio 2016”. Por shenjëtarja nga qyteti i vogël i Kosovës, Vitia, u bë e para që përfaqësoi sportin e shenjëtarisë në ngjarjen më të madhe sportive.

Vitia mund t’ia japë Kosovës edhe një garues për Lojërat Olimpike që mbahen në Tokio gjatë verës së këtij viti. Bëhet fjalë për shenjëtarin 33-vjeçar, Drilon Ibrahimi. Ibrahimi është qitësi me rezultatin më të mirë në pushkë ajrore. Ai së fundi është duke u stërvitur në poligonin e qitjes në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Poligoni i qitjes nuk i mungon edhe në Viti, por thekson se në Prishtinë është i nivelit evropian dhe se ia mundëson të rritë efikasitetin.

Ibrahimi pranon se është e vështirë pjesëmarrja në Lojërat Olimpike me normë. Por ai shpreson të marrë ftesë për pjesëmarrje në Tokio, ashtu siç kishte marrë edhe Rama në Rio.

“Nuk jemi në majën e garuesve, por jemi kah mesi. Për normë olimpike shpresoj ta arrij, apo të marrim ftesën si Urata Rama që ka shkuar nëpërmjet ftesës. Shpresat më të mëdha për pjesëmarrje i kam edhe unë përmes ftesës. Shpresoj edhe Kosova ta ketë një ftesë, nëse vjen ftesa jam unë ai që do të marr pjesë në Lojërat Olimpike”, ka thënë Ibrahimi.

Për mundësinë që të marrë pjesë në Lojërat Olimpike, Ibrahimi thotë se ka punuar goxha, ndërsa aftësia për qitje nuk i ka munguar që nga dita e parë. Me sportin e qitjes merret që nga viti 2004.

“Ka qenë e rastësishme marrja me qitje. Kam dëgjuar që në qytetin e Vitisë është një klub i qitjes. Kam qenë merak në armë, por armë nuk kam pasur asnjëherë. Vendosa edhe unë ta provoj veten. Atë ditë që kam shkuar më dhanë një pushkë për gjuajtje me dhjetë plumba. Trajneri më shpjegoi si të gjuaj. Nga dhjetë plumba goditjen më të vogël e kisha 2. E rëndësishme për trajnerin ishte që të gjuaja në figurë. Prej dhjetë goditjeve pata rezultat nga 2 e lart. Aftësinë time të qitjes e vuri re trajneri i cili më pati thënë që urgjentisht të regjistrohem në klub. Ishte hera e parë që kisha armë në dorë, as ajrore e as të zjarrit. Nga janari i viti 2004 nuk i jam ndarë më këtij sporti”, ka thënë Ibrahimi.

Ai tregon se fillimi ka qenë i vështirë, pa kushte adekuate për këtë sport. Por thotë se nuk e ka ndërprerë me shpresën se do të t’u ofrohen kushte edhe garuesve të këtij sporti. Edhe sot u mungojnë pajisjet e nivelit më të lartë.

“E kemi filluar me pushkë ajrore, nuk kemi pasur armë standarde siç i kemi tash. Kemi bërë gara në nivel shtetëror dhe nga viti i parë kam hyrë në rend të medaljeve dhe gradualisht kam arritur të jem i pari. Nuk mbaj mend kur kam dalë i dyti. Shenjëtaria një kohë e ka pasur një rënie, por tash jemi duke e masivizuar siç ka qenë më herët”, është shprehur ai. “Pushkët nuk janë niveli i fundit, kanë dalë edhe më të reja. Këto i përdorim kohë të gjatë. Këtu është poligoni i mirë krahasuar me poligonin që e kam në Viti. Është koha për të arritur suksese, por duhet punë, sepse pa punë shtesë nuk mund të arrish suksese”.

Mungesa e trajnerit

Ibrahimi ka rritur intensitetin e punës, meqë në muajin maj do ta ketë Kampionatin Evropian.

Në fakt, Evropiani është dashur të mbahej në Lohja të Finlandës nga 26 shkurt deri më 8 mars, por është shtyrë e po ashtu është zhvendosur në Osjek të Kroacisë, shkaku i situatës me koronavirus.

pranon se garuesit nga Kosova nuk janë të nivelit botëror. Por atë synim kanë.
“Do të kishim mundur të arrinim më shumë, nëse kishim pasur ndonjë trajner profesionist. Shenjëtaria nuk ka tifoz, nuk ka atmosferë. Është sport i heshtur, i qetë. Në fillim ka pasur ndoshta 100 garues, kurse ka pasur më vonë rënie. Nga garuesit e vjetër mund të them se jemi 5-6 garues, kurse 3-4 vjetët e fundit ka nisur të masivizohet për të arritur nivelin tonë e pse jo edhe për të na kaluar”, ka deklaruar ai.

Image

Ibrahimi është marrë vetëm me këtë sport. Por të gjitha sukseset i ka arritur pa ndihmën e dikujt tjetër. Ai kurrë nuk ka pasur trajner profesional.

“Shqipëria ka trajner të mirë, kam kontakte të mira edhe me shenjëtarët e tjerë dhe mundohem që në forma të ndryshme të marrë këshilla. Është sport që duhet të jesh i vendosur. Pa pasur vendosmëri nuk mund të arrish”, ka shtuar ai.

Ibrahimi nuk e mendon njëherë pensionimin. Thotë se nuk do ta mendojë edhe për shumë vjet. Por kur ta lërë, thotë se do të nisë t’i mësojë të tjerët.

“Do të kryej kurset për ta marrë edhe licencën e trajnerit. Përvoja e bën të veten. Kosova ka nevojë shumë për trajner dhe patjetër që duhet të bësh diçka”, thotë Ibrahimi.

Stërvitjet pas dhjetë orë pune si shitës ambulant

Ibrahimi nuk është garuesi i vetëm në Kosovë që nuk ka trajner. Edhe pse pa trajner, thotë se ka arritur rezultate të mira. Ai kujton kur dy vjet më parë në një garë në Muenchen të Gjermanisë ka mbledhur 599.4 pikë, ndërsa minimumi i arritjes së pikëve për normë olimpike është 595.

Sportisti nga Vitia shpreson që rezultatet nuk do t’i mungojnë edhe në të ardhmen, ndonëse thotë se ka mundur të arrijë edhe më shumë, nëse do të kishte mbështetje edhe më të madhe. Të hyrat nga ky sport i ka vetëm nga bursa e ndarë nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Ai krahas angazhimit në sport, të përditshme e ka edhe punën si shitës ambulant.

“Nga ora 8 e mëngjesit deri në ora 18:00 punoj, kurse nga ora 19:00 deri në ora 22:00 bëj stërvitje të rregullta. Jam shitës ambulant. Sigurisht se më pengon, sepse është lodhje, pasi për të pasur rezultate kulmore duhet ushtrime 3 orë para dite 3 pasdite, por nuk e kemi atë luks. Punën e bëj për nevoja personale”, ka shtuar Ibrahimi.

Ibrahimi shpreson që sportistët e gjeneratave të reja të kenë mbikëqyrje më të madhe nga shteti.

Edhe pse me telashe të natyrave të ndryshme, Ibrahimi ka synime të mëdha.

“Synimi im është të arrij të futem në tetëshen e parë në gara. Tetë të parët shkojnë në finale dhe atë e kam ëndërr, por Lojërat Olimpike janë ato që çdo sportist i ëndërron”, ka thënë Ibrahimi.

Për të fituar pikë olimpike për Lojërat Olimpike që mbahen në Tokio, janë në garë edhe Urata Rama dhe Lumturie Rama. I suksesshëm në këtë sport është edhe Nexhat Sahiti.