Sport

Rahoveci tërhiqet nga organizimi i Final 8 të Kupës së Kosovës për shkak të referimit

Klubi i basketbollit Rahoveci është tërhequr nga organizimi i Final 8 të Kupës së Kosovës për shkak të, siç ka thënë, referimit skandaloz në ndeshjen ndaj Pejës.

Të mërkurën, Peja fitoi në “Karagaçi” me rezultat 90:85, në një ndeshje të cilën bordi i Rahovecit e sheh si tendencë dëmtimi në vazhdimësi ndaj klubit.

Rahoveci po ashtu ka thënë se “më nuk do të tolerojë dhe lejojë të shkelet dhe nëpërkëmbët puna e shumë njerëzve që janë të përfshirë në klub, e sidomos atyre donatorëve që po japin nga djersa e tyre që klubi të vazhdoj funksionimin”.

“Bordi i KB RAHOVECI po ashtu kërkon nga drejtuesit e FBK-së që të kenë parasysh këto zhvillime për një ecuri të rregullt të kampionatit. KB RAHOVECI i ka dhënë shumë basketbollit kosovar viteve të fundit, madje ka qenë edhe shembull për organizim dhe atmosferë të paparë qe shumë vite në Kosovë. Për këtë arsye dhe për hir të basketbollit, edhe këtë vit në kohë pandemie ka vendosur që të marr organizim e FINAL 8 kupës së Kosovës, që ka kosto të lartë, mirëpo duke parë zhvillimet aktuale në raport me skuadrën tonë, kemi vendosur që të tërhiqemi nga organizmi i këtij kompeticioni për këtë vit. Bordi i KB Rahoveci, nuk e sheh të arsyeshme dhe e ka të pamundur të vazhdoj organizime të tilla në kohën kur po dëmtohet vazhdimisht dhe në momentet më të rëndësishme”, thuhet në reagim të Rahovecit.