Sport

Fitorja ndaj skuadrës elitare polake jep shenja për Ballkanin që po vjen

Prishtinë, 18 janar – Në ditën e tretë të qëndrimit në Antalya, Ballkani ka marrë sinjale pozitive për stinorin pranveror në Superligën e Kosovës në futboll. Ballkani i Suharekës të hënën fitoi 2:1 ndaj skuadrës Jagiellonia, që renditet e shtata në kampionatin polak. 2:1 në të mirë të Ballkanit përfundoi ndeshja.

Polakët shënuan për 1:0 në minutën e 55-të nëpërmjet Fedor Cernych. Armend Thaqi barazoi shifrat në minutën e 70-të, ndërsa vetëm tre minuta më vonë realizoi Arbër Prekazi.

Jagiellonia startoi me përbërjen më të fortë, ndërsa gjatë ndeshjes, njëjtë si Ballkani bëri ndryshime. Fitorja ndaj skuadrës së kampionatit polak është mirëpritur në kampin suharekas.

Ballkani, që për trajner tashmë ka Bledi Shkëmbin, qëndroi fillimisht për përgatitje në Durrës. Prej të shtunës po përgatitet në Antalya të Turqisë.

“Ishte një ndeshje ndaj një kundërshtari të fortë, sidomos në aspektin fizik. Ne u munduam që t’i zbatojmë ato që trajneri i kërkoi prej neve. Rezultati ka qenë në plan të dytë, sepse edhe ngarkesa e stërvitjeve ka bërë që të jemi të lodhur, gjë që është normale. Nga këndvështrimi ynë ishte një ndeshje që u luftua shumë nga secili futbollist. Një fitore ndaj një ekipi me vlerë shumë më të lartë se ne, është punë e mirë nga secili prej nesh. Na pret punë e madhe në këtë fazë që të jemi maksimalisht të përgatitur të gjithë lojtarët dhe natyrisht si skuadër”, ka thënë Thaqi për KOHËN.

Ballkani është pretendent i fuqishëm për titull të kampionit. Renditet i dyti me 38 pikë, tri më pak se Drita që prin.

Te Jagiellonia nuk e kanë pranuar lehtë humbjen nga skuadra kosovare. Në bazë të rejtingut dhe përvojës, Jagiellonia ka qenë favorite e madhe.

“Nuk jemi aspak të kënaqur me rezultatin. Ne luftojmë për fitore në çdo ndeshje dhe me këtë ide u futëm edhe në këtë ndeshje me Ballkanin. Kundërshtari ishte më efektiv, megjithatë edhe ne i patëm rastet tona që nuk i shfrytëzuam. Humbja na dhemb, por mendoj se kemi marrë një mësim prej saj”, ka thënë trajneri i Jagiellonias, Bogdan Zajac, pas miqësores me Ballkanin.

Përballja me skuadra si Jagiellonia është prej gjërave që ofron përgatitja në Antalya të Turqisë. Këtë qytet bregdetar dhe qendrat afër tij e zgjedhin shumë skuadra evropiane për përgatitje.

Menjëherë të martën Arbëria e Dobrajës luan miqësore me Akhmat Groznin, skuadër që garon në elitën e Rusisë. Të dielën Llapi luajti me ekipin e kategorisë së dytë turke, Tuzlaspor, dhe barazoi 1:1.