Sport

Treshja e titullit të fundit besojnë se mund ta fitojnë sërish trofeun me Prishtinën

Descriptive Text

U kthyen te Prishtina në verën e vitit të kaluar me të vetmi qëllim -ta rikthejnë titullin e kampionit në kryeqytet, i cili mungon që nga viti 2013.

Behar Maliqi, Besnik Krasniqi dhe Enis Gavazaj ishin pjesë e ekipit kur për herë të fundit Prishtina e fitoi trofeun më të çmueshëm të futbollit kosovar. Ekipit më të trofeshëm në futbollin kosovar nuk i ka ndodhur asnjëherë që të mos fitojë titull kaq gjatë.

Maliqi, Krasniqi e Gavazaj e pranojnë se qëllimi i tyre është ta shpallin Prishtinën kampione dhe ta sjellin titullin në “Fadil Vokrri” pas tetë vjetësh. Për të arritur këtë ata po përgatiten maksimalisht. Nuk po i ndalin as bora e temperaturat e ulëta. Për të qenë edhe më të fortë, fazën e fundit do ta kryejnë në Antalya të Turqisë.

Maliqi ka thënë se pa marrë parasysh gjendjen në klub, Prishtina gjithmonë synon të gjithë trofetë.

“Prishtina gjithmonë, dihet, që pa marrë parasysh lojtarët, bordin dhe trajnerët, gjithmonë pretendon të dy trofetë. Kanë pasur shumë probleme, nuk kanë pasur fushë të vet dhe arsye të tjera që nuk janë shpallur kampion, por e kanë fituar Kupën, ani pse sukses llogaritet vetëm titulli. Shpresoj që këtë vit dhe vitet e tjera Prishtina të arrijë qëllimet që ka, të fitojë trofe”, tha Maliqi.

Mbrojtësi i krahut të djathtë, Besnik Krasniqi, thotë se ka ardhur te ekipi kryeqytetas për të fituar titullin e kampionit.

“Prishtina gjithmonë ka luftuar për titull. Ka qenë hera e fundit kur jemi bërë kampion dhe për atë qëllim kemi ardhur, shpresojmë ta arrijmë. Jemi duke e bërë një punë të mirë, ani pse jemi pak mbrapa, por do të vazhdojmë sikurse në ndeshjet e fundit që i kemi zhvilluar. Kam besim te skuadra që mund ta arrijmë titullin kampion”, deklaroi Krasniqi.

Për të njëjtin qëllim është kthyer edhe mesfushori ofansiv, Enis Gavazaj. Ai shpreson që të mos përballet me lëndime.

“Për atë punë edhe jemi rikthyer. Shpresoj që kjo faza e dytë të shkojë shumë mirë, pasi në fazën e parë kam pasur shumë dëmtime. Besoj që do të jetë fazë më e mirë dhe t’i ndihmojë sa më shumë ekipit”, tha Gavazaj.

Të tre e pranojnë se ekipi ka mbetur prapa në renditje, por besojnë se epërsinë prej nëntë pikësh që e ka Drita, mund ta shkrijnë deri në fund të kampionatit.

“Ka shumë ndeshje deri në fund. Me secilin ekip do të takohemi nga dy herë. Kampionati është i gjatë dhe liga është më ndryshe pasi janë vetëm 10 ekipe, secili ekip mund ta mposhtë secilin, kështu që mundësitë janë shumë të mëdha që të shpallemi kampion, nuk është distancë e madhe”, tha Behar Maliqi.

Te titulli beson edhe Besnik Krasniqi. Ai nënvizon se nëntë pikë nuk janë shumë.

“Nëntë pikë duket që janë shumë, por nuk janë shumë. Kemi edhe nga dy përballje me secilin ekip dhe besoj që mund ta arrijmë edhe titullin kampion”, tha Krasniqi.

Për Gavazajn, epërsia e nëntë pikëve nuk është e paarritshme.

“Shumë shpejt mund të shkrihen nëntë pikë dhe besoj që mund të arrijmë këtë qëllim”, deklaroi Gavazaj.

Maliqi, Krasniqi dhe Gavazaj flasin edhe për dallimin e Prishtinës nga koha kur është bërë kampione me ekipin aktual.

Sipas tyre, tani gjërat kanë ndryshuar dhe të gjitha klubet kanë investuar shumë për të arritur suksese, për dallim me atë kohë që ka pasur më pak investime.

“Mendoj që edhe atëherë, edhe tani ka lojtarë shumë cilësorë, dallon edhe koha, pasi tani jemi lojtarë krejt të tjerë, jemi vetëm tre që kemi qenë kur për herë të fundit jemi shpallur kampion. Edhe tani ka lojtarë shumë të mirë dhe shpresoj që t’i arrijmë qëllimet dhe t’i gëzojmë tifozët tanë, ‘Plisat’ dhe gjithë qytetarët e Prishtinës me trofe që e presin qe një kohë”, u shpreh Maliqi.

Për Besnik Krasniqin, në vitin 2013, ka qenë liga më ndryshe. Sipas tij, tani është më e fortë.

“Atëherë ka qenë liga më ndryshe, kurse tani është shumë më e fortë. Mendoj që edhe atëherë ka qenë e mirë, por tani kualiteti është më i lartë dhe ka ekipe më të forta. Atëherë kanë qenë 2-3 ekipe, kurse tani janë 5-6 që luftojnë për titull dhe mendoj që është liga më e fortë sesa atëherë”, deklaroi Krasniqi.

Ndërkaq Enis Gavazja mendon që edhe në atë kohë, por edhe tani ka lojtarë shumë cilësorë.

“Nuk e di, mendoj që edhe në atë vit, por edhe këtë vit ka lojtarë shumë të mirë dhe besoj që vetëm me e dhënë maksimumin, mund të arrijmë synimet”, u shpreh Gavazaj. Maliqi, Krasniqi e Gavazaj e kishin fituar me Prishtinën edhe Kupën e Kosovës.

Pas stinorit vjeshtor, Prishtina renditet e treta me 32 pikë, pas 18 ndeshjeve të luajtura.

Behar Maliqi dhe Besnik Krasniqi e kanë fituar titullin e kampionit edhe me Feronikelin. Të dy kanë luajtur edhe në Shqipëri te Partizani. Ndërkaq Enis Gavazaj ka qenë pjesë e Gentit në Belgjikë me të cilën skuadër e ka fituar titullin e kampionit. Në Belgjikë e ka veshur edhe fanellën e Rosselares.

Ka luajtur edhe te Enisei në Rusi e Dinamo Minski në Bjellorusi. Ndërkaq, e ka veshur edhe fanellën e Skënderbeun në Shqipëri dhe të disa ekipeve të tjera shqiptare. Gavazaj ka qenë edhe pjesë e Kombëtares së Shqipërisë.