Sport

Inzaghi thotë se fitorja ndaj Romës do ta ringjallte sezonin e Lazios

Trajneri i Lazios, Simone Inzaghi, ka thënë se fitorja e tretë rresht të premten në derbin kundër Romës do t’i ringjallte ekipin e tij në këtë sezon të Serie A.

Pavarësisht se e kaloi fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve pa humbje, forma e Lazios në ligë nuk ka qenë shumë impresive.

Skuadra e Inzaghit pozicionohet në vendin e tetë në ligë.

Një fitore në “Stadio Olimpico” të premten, do të bënte që Lazio t’i afrohej rivalit Romës në tri pikë. Lazio ende nuk i ka bërë tri fitore rresht këtë edicion.

“Nuk jemi mirë në renditje”, ka thënë Inzaghi në konferencën për shtyp para duelin me Romën. “Nuk i kemi fituar tri ndeshje rresht këtë vit, dhe nëse e bëjmë një gjë të tillë do të ishte e mirëseardhur për ne. Ne e dimë të gjithë se çfarë do të thotë derbi në Romë. Të dyja ekipet do të rrezikojnë. Për ne do të jetë më e rëndësishme”, ka thënë Inzaghi.

Roma është në formë të mirë para derbit. Tri fitore e një barazim në katër ndeshjet e fundit kanë bërë që Roma të renditet e treta në ligë me gjashtë pikë më pak se Milani lider.

Fitorja të premten do të bënte që Roma të barazohej me pikë me Interin e vendit të dytë. “Nerazzurrët” do të luajnë të dielën kundër Juventusit.

“Ambiciet duhet të jenë të pranishme gjithmonë”, ka thënë trajneri i Romës, Paulo Fonseca, në konferencën për shtyp. “Në Itali të gjitha skuadrat janë të forta. Lazio gjithmonë del fuqishëm në kundërsulme, por ne kemi punuar si t’u kundërpërgjigjemi. Ne duhet gjithmonë të luajmë për fitore, nuk mund të mendojmë ndryshe. Duam t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, gjithmonë”, nënvizoi Fonseca.