Sport

Besimin dhe shkëlqimin që nuk i kishte te Prishtina, Selmani i gjeti te Llapi

Për shumë sportistë, viti 2020 nuk ishte i mirë, kryesisht për shkak të pandemisë COVID-19. Megjithatë, kjo nuk mund të thuhet për futbollistin e Llapit, Kastriot Selmani. Pikërisht në vitin e pandemisë, sulmuesi i krahut e gjeti shkëlqimin te skuadra nga Podujeva.

21-vjeçari ishte ndër më të mirët te Llapi dhe si rezultat i paraqitjeve mori edhe ftesën e Kosovës U-21. Për KOHËN, Selmani tregon se besimin që nuk e pati te Prishtina, e gjeti te Llapi.

“Kam qenë pjesë e Prishtinës tre vjet dhe aty nuk më është dhënë mundësia dhe kam ardhur këtu në Llap. Nuk e di pse nuk më është dhënë mundësia te Prishtina. Unë isha te kategoritë e reja, ku kam luajtur, por nuk më është dhënë mundësia. Ndoshta edhe me pretekstin se kam qenë ende i ri, ndoshta edhe kjo ka qenë arsyeja”, deklaroi Selmani.

Majtaku thotë se kaloi te llapjanët edhe për faktin se trajneri Tahir Batatina ka dëshmuar se u jep hapësirë lojtarëve të rinj.

“Kryesia e Llapit dhe trajneri Tahir Batatina më kanë pritur shumë mirë, më kanë besuar tej mase dhe i falënderoj shumë që ma kanë dhënë mundësinë. Falë tyre, kam arritur këtu ku jam sot, kam shkëlqyer në këtë sezon. Te Llapi më ka pëlqyer plani që më është prezantuar. Trajneri Tahir Batatina u jep hapësirë lojtarëve të rinj dhe kjo më ka shtyrë më së shumti që t’i bashkohem Llapit”, u shpreh sulmuesi.

Për Selmanin flet edhe Tahir Batatina, i cili është dëshmuar në dy vjetët e fundit si trajner që u jep hapësirë lojtarëve të rinj. Falë punës së tij, nga Llapi në klubet e elitës së futbollit të Kroacisë ishin transferuar Mirlind Daku tek Osijeku, Festim Alidema te Slaven Belupo dhe Hajdin Salihu te Lokomotiva e Zagrebit.

“Kastriot Selmanin e kam parë që ka një super-talent, një djalë i lënë pas dore te disa skuadra dhe mendoj që ardhja e tij në Llap ka bërë që ai të shkëlqejë. Mendoj që Kastrioti ka një potencial të jashtëzakonshëm, një lojtar që edhe në Kombëtaren U-21 është paraqitur shumë mirë. Në ditët në vazhdim do të shohim edhe pozicionin e Kastriotit. Unë si trajner nuk i pengoj të rinjtë që të dalin jashtë vendit. Mundësia e parë që më jepet unë i marr talentet dhe ata që e tregojnë veten dhe kërkohen nga ndonjë klub evropian, unë nuk i pengoj”, tha Batatina.

Kastriot Selmani është i kënaqur me paraqitjet te Llapi dhe thekson se pozita aktuale e skuadrës në renditje nuk është reale. Ai nuk harron të falënderojë të gjithë që e kanë përkrahur që nga dita e parë që iu bashkua klubit nga Podujeva. Llapi renditet i teti në Superligë.

“Në fillim ka qenë pak vështirë, sepse ishte emocion të luaj në sezonin e parë te Llapi. Por, me ndihmën e bashkëlojtarëve dhe stafit të Llapit, ia kam dalë me mjaft sukses. Të gjithë më kanë ndihmuar shumë. Të them të drejtën, kemi merituar më shumë në stinorin vjeshtor. Nuk e di, si duket na ka munguar edhe fati, sepse kemi bërë ndeshje të mira dhe ka qenë një krizë e rezultateve. Në ndeshjet e fundit të vjeshtës jemi komponuar si ekip dhe kemi dalë nga kriza duke arritur rezultate pozitive. Mbetja në Superligë as që do të diskutohet. Ne do të luftojmë për dalje në Evropë, aq sa do të kemi gjasa matematikore përmes kampionatit. Po ashtu, jemi edhe në Kupë dhe do ta synojmë Evropën nga kjo garë”, tha Selmani.

Ai mori ftesën e Kosovës U-21 pas paraqitjeve të mira që pati me Llapin. Për të ishte momenti më i mirë i karrierës. Ftesa e ka befasuar.

“Ëndrra ime më e madhe ka qenë që një ditë të luaj për Kosovën U-21 dhe ajo u arrit falë paraqitjeve të mira që kam pasur me Llapin. I falënderoj shumë, së pari trajnerin Batatina dhe të gjithë bashkëlojtarët, sepse pa ta nuk do të ftohesha nga Kosova. Nuk e kam besuar, ishte gjithçka e shpejtë dhe tani është ëndërr e bërë realitet. Është shumë e vështirë të përshkruhet ndjenja që të luash për Kosovën, por mund të them se është ndjenja më e mira që kam përjetuar deri më tani”, u shpreh Selmani.

Për të është i interesuar klubi nga Austria, Tiroli. Sulmuesi i krahut mund të transferohet në elitën e futbollit austriak këtë muaj.

“Është një ofertë që ka ardhur nga Austria. Jemi duke biseduar dhe do të shohim në ditët në vijim se çka do të ndodhë, a do të largohem këtë muaj apo në verën e ardhshme. Unë jam i gatshëm ta bëj një hap të madh në karrierën time. Mesazhi im për të gjithë lojtarët e rinj është që të mos dorëzohem, sepse me punë mund të arrihet gjithçka”, përfundoi Selmani.

Tri gola e tri asistime me Llapin në këtë edicion në të gjitha garat është bilanci i Selmanit. Me Kosovën U-21 është paraqitur në pesë ndeshje kualifikuese për Evropian, kundër Turqisë, Andorrës, Austrisë, Shqipërisë dhe Anglisë.

Si futbollist, Kastriot Selmani është rritur te Prishtina. Ai ishte i huazuar te Vushtrria, pasi nuk kishte hapësirë në ekipin e parë të klubit prishtinas. Te Llapi u transferua në verën e vitit 2019 dhe qysh në sezonin e parë kishte realizuar katër gola e po aq asistime.

Te Llapi ka shpërthyer këtë edicion dhe është në pritje të hapit të radhës.