Sport

Klubet e volejbollit po “përfitojnë” nga pezullimi i sportit në Shqipëri

Klubet kosovare të volejbollit në të dyja konkurrencat, kanë pasur mundësi që të përforcohen me lojtarë dhe lojtare të huaja që nga gushti i vitit të kaluar dhe këtë e kanë shfrytëzuar disa prej tyre. Deri tani në Kosovë kanë ardhur 27 volejbollistë dhe volejbolliste nga Shqipëria, të cilët klubet e tyre i kanë regjistruar në Federatën e Volejbollit të Kosovës (FVK). Arsyeja e ardhjes së një numri kaq të madh të lojtarëve nga Shqipëria, është se në Shqipëri nuk po zhvillohen garat e volejbollit. Autoritetet në Shqipëri nuk po lejojnë zhvillimin e aktiviteteve sportive, përveç Superligës së futbollit. Dhe prej këtij fakti kanë përfituar klubet kosovare.

Afati kalimtar në volejbollin e Kosovës do të mbyllet më 31 janar.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Valon Nikqi, ka deklaruar për KOHËN se numri i lojtarëve nga Shqipëria ka shkuar duke u rritur vazhdimisht. Sipas tij, nëse në Shqipëri nuk lejohen në pranverë aktivitetet sportive, atëherë numri mund të rritet edhe më shumë.

“Afati kalimtar për lojtarë të huaj është i hapur që nga gushti dhe klubet kanë pasur mundësi të sjellin lojtarë gjatë gjithë kohës. Deri më tani janë 27 lojtarë që kanë ardhur në klubet kosovare nga Shqipëria. Kjo ka ndodhur për shkak se në Shqipëri nuk janë duke u lejuar aktivitetet sportive, po flas në këtë rast për volejboll. Numri mund të rritet edhe më shumë, nëse në Shqipëri vazhdojnë të jenë të mbyllura palestrat. Afati kalimtar do të mbyllet më 31 janar”, tha Nikqi.

Ai shtoi se ende nuk dihet saktë se kur do të nisë stinori pranveror.

“Ende nuk e kemi caktuar datën se kur do të nisë stinori pranveror. Kjo edhe për faktin se do të ketë Kuvend Zgjedhor. Zakonisht në fund të shkurtit ka startuar stinori pranveror”, u shpreh sekretari i FVK-së, Valon Nikqi.

Njëra nga shumë lojtaret që ka ardhur për të luajtur në Kosovë është Esmeralda Tuci.

Ajo ka thënë për KOHËN se ka ardhur të luajë në Kosovë te skuadra e Kastriotit, për shkak të situatës me koronavirus që është në Shqipëri, e si rezultat i kësaj nuk lejohen aktivitetet sportive. Tuci është paraqitur në vetëm një ndeshje me Kastriotin.

“Në Kosovë kam pasur çdo vit oferta për të luajtur atje. Por për shkak të punës nuk kam pranuar. Këtë vit ardhja në Kastriot ishte për shkak të situatës me COVID-19 dhe që ishte vetëm një ndeshje. Në Kosovë kam ardhur për atë ndeshje dhe për qejf, sepse Kosova është e dashur për mua. Kam kaluar shumë mirë, janë vajza të shkëlqyera”, tha Tuci, e cila ende nuk e di nëse do të luajë në Kosovë në stinorin pranveror.

“Nëse nuk do të ketë kampionat në Shqipëri, do të mendoj, por asgjë nuk është e sigurt. Deri në fund të janarit besoj se do të merret një vendim nga shteti”, tha Tuci.

Trajneri i volejbollit, Xhavit Kajtazi, që drejton Prishtina Volleyn në konkurrencën e meshkujve, tha se do të shqyrtojnë mundësinë që të sjellin volejbollistë nga Shqipëria. Sipas tij, shumë klube tashmë e kanë bërë një gjë të tillë.

“Jemi në konsultim me stafin dhe do të shohim. Hapin e parë e ka bërë Peja e më pas edhe disa klube të tjera që kanë sjellë lojtarë nga Shqipëria”, shtoi Kajtazi.

Ai e sheh pozitive ardhjen e volejbollistëve nga Shqipëria. Sipas tij, do të rritet konkurrenca.

“Sigurisht që e ka anën pozitive, sepse rritet konkurrenca si në ekip e po ashtu rritet edhe rivaliteti në kampionat”, u shpreh Kajtazi.

Në Shqipëri ende nuk ka asnjë vendim se kur do të mund të hapen palestrat për t’u zhvilluar aktivitetet sportive. Kjo do të varet nga numri i rasteve me COVID-19.

Përveç klubeve të volejbollit, të njëjtën gjë kanë filluar ta bëjnë edhe ato të basketbollit.

Në konkurrencën e femrave, Prishtina ka transferuar dy basketbolliste nga Shqipëria, kurse Bashkimi pritet të finalizojë një. Te meshkujt, Bashkimi ka dy lojtarë nga Shqipëria dhe nga një e kanë Ylli, Prishtina dhe Vëllaznimi.

Derisa në volejboll lojtarët nga Shqipëria regjistrohen si të huaj, në basketboll lojtari i parë nga Shqipëria regjistrohet si vendor.

Kampione e stinorit vjeshtor në konkurrencën e femrave në volejboll është Drita nga Gjilani, kurse te meshkujt ky epitet i ka takuar Ferizajt.

Në stinorin pranveror garën për titull të kampionit do ta vazhdojnë gjashtë ekipet e para në Superligën A, ndërsa katër ekipet e renditura më poshtë dhe dy ekipe nga Liga e Parë do ta vazhdojnë garën në Superligën B.