Sport

Humbja e rastit të artë

Descriptive Text

Fillimisht të gjitha rrethanat shkonin në favor të Kosovës. Më pas shumë rrethana u kthyen kundër saj. Dhe një rast i madh u humb. Një rast i artë madje.

Kosova mbeti jashtë Evropianit të futbollit që është dashur të mbahet në vitin 2020 e është shtyrë për vitin 2021. Ishte dy fitore pranë. Apo dy fitore larg Evropianit. Mund të shkojë kohë që “dardanët” të kenë një rast tjetër të tillë. Një mundësi ideale për të siguruar pjesëmarrjen në ngjarje të madhe.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll për herë të parë kërkoi kualifikimin në kampionatin kontinental. Pas pranimit në UEFA e FIFA, në vitin 2016, Kosova fillimisht mori përvojë në kualifikimet për Botërorin 2018. Rezultatet ishin dëshpëruese, por përvoja po fitohej. Pasoi një seri e rezultateve pozitive, që nisi më 13 nëntor të vitit 2017, zgjati 15 ndeshje dhe nuk përfundoi deri më 10 shtator të vitit të kaluar. Entuziazmi u rrit jashtëzakonisht shumë rreth përfaqësueses së futbollit, kërkesa për biletë ishte shumë e madhe. Lojtarët ngritën nivelin, duke luajtur në skuadra më të mëdha e liga më të forta. Me shumë peshë u vlerësua që përfaqësuesja nisi të luajë në Prishtinë. Bernard Challandes erdhi në postin e selektorit dhe çdo gjë dukej në rregull.

Rrethanë favorizuese për Kosovën ishte edhe fillimi i garës së re të UEFA-s, Liga e Kombeve. Kosova gjatë vitit 2018 luajti në Ligën D (niveli i katërt dhe i fundit) të Ligës së Kombeve dhe fitoi grupin. Kjo i mundësoi vend në plejof për kualifikim në Evropian. Liga e Kombeve erdhi në skenë thuajse në të njëjtën kohë me Kosovën e konsoliduar. Dhe Kosova përfitoi prej saj në shumë drejtime.

Përfaqësuesja u paraqit mirë edhe në kualifikimet e rregullta për Euro 2020. Por, disa pikë të lëshuara rrugës dhe humbjet në fund nga Çekia e Anglia bënë që Kosova të përfundojë e treta në grup, pozitë që nuk siguronte kualifikimin.

Kështu kualifikimi në Evropian mbeti të sigurohet përmes plejofit të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Ishte një mundësi e jashtëzakonshme – kërkohej “vetëm” triumfi ndaj dy përfaqësueseve të Ligës D, pra nivelit më të ulët evropian.

Image

Rëndimi i rrethanave

Humbjet në mbyllje të kualifikimeve të rregullta nuk zbehën entuziazmin. Kishte besim të madh se Kosova do të fitonte dy ndeshjet e plejofit dhe do të kualifikohej në Evropian. Ndërkohë u shfaq koronavirusi dhe situata te Kosova ndryshoi plotësisht, jo vetëm për shkak të pandemisë. Ndeshjet e plejofit, të parapara për në mars 2020, u shtynë për në tetor 2020. Gradualisht forma e lojtarëve të Kosovës në klubet e tyre ra. Disa bënë transferime të rëndësishme në karrierë, por jo menjëherë gjetën veten në mjediset e reja dhe nuk po e gjejnë ende. Pandemia bëri që ndeshjet të luhen pa shikues dhe përkrahja nga tribunat u mungoi shumë lojtarëve të Kosovës. Dhe ngadalë dolën në pah telashe të akumuluara për kohë më të gjatë te përfaqësuesja dhe te federata.

Më 12 janar Kosova me ekipin B e luajti një miqësore me Suedinë B dhe humbi 1:0 në Doha të Katarit. Ajo ndeshje nuk kishte të bënte me ecurinë e synuar. Pasi ndeshjet e plejofit u shtynë për në vjeshtë dhe për shkak të pandemisë, Kosova ndeshjen e parë të vitit 2020, me ekipin më të fortë, e luajti më 3 shtator, ndaj Moldavisë në Parma. Barazoi 1:1. Më pas më 6 shtator, pa shikues në tribuna, Kosova humbi 2:1 nga Greqia në Prishtinë. Ishin këto ndeshjet e edicionit të dytë të Ligës së Kombeve, që shërbyen si përgatitje për ndeshjen vendimtare, atë gjysmëfinale të plejofit ndaj Maqedonisë së Veriut. Pati telashe në ato dy ndeshje, mungesa që jo të gjithë i kuptuan e i pranuan.

Por ato ishin më të theksuara kur më së paku duhej, në gjysmëfinalen e plejofit ndaj Maqedonisë së Veriut, më 8 tetor. Në mungesë të shumë lojtarëve titullarë dhe pa atmosferën e duhur brenda dhe rreth përfaqësueses, Kosova u paraqit zbehtë në Shkup dhe Maqedonia e Veriut fitoi 2:1. Maqedonia e Veriut më pas fitoi 1:0 ndaj Gjeorgjisë në Tbilisi dhe për herë të parë në histori do të luajë në Evropian.

Image

Shumë lehtë ka mundur që Kosova të jetë në vend të Maqedonisë së Veriut. Por, rasti i artë nuk u shfrytëzua si duhet.

“Ishte një mundësi reale që nuk u shfrytëzua nga përfaqësuesja jonë. Është rast i humbur dhe mendoj që do të kalojë kohë e gjatë që një rast i tillë të na përsëritet. Ishim shumë afër një kualifikimi që do të hynte në histori dhe që do ta kishim mbajtur në mend gjithë jetën. Kampanja e bukur në Ligën e Kombeve, ku dolëm të parët, ishte një sukses i madh që na bëri krenarë të gjithë shqiptarëve. Mezi e kemi pritur duelin me Maqedoninë e Veriut dhe ishim shumë të sigurt që këtë sfidë do ta kalojmë me sukses. Por nuk ia dolëm”, thotë Milaim Rama, ish-sulmuesi i Zvicrës. Rama është i pari prej futbollistëve shqiptarë që ka luajtur për Zvicrën dhe i pari që luajti në Evropian. Ai tani punon si trajner futbolli në Zvicër.

“Mendimi im është që nuk ishim të përgatitur për këtë lojë. Nuk ishim të përgatitur sa duhet, si përfaqësuese e re nuk duhet të presim nga individët, por është dashur që suksesin ta kërkojmë si grup dhe së bashku ta mposhtim Maqedoninë e Veriut. Dëshira ishte e madhe, por na mungoi vetëbesimi. Uroj që ky rast do të na jepet përsëri dhe besoj që herën tjetër do t’ia dalim”, ka shtuar Rama.

Pritja e rastit tjetër

Edicioni i dytë i Ligës së Kombeve nuk kishte peshën e edicionit të parë. Nuk ofroi biletë për plejof për kualifikimet e Botërorit, por një mundësi dukshëm më të vogël, që nuk kishte ndikim te Kosova. Për Kosovën edicioni i dytë ishte i pasuksesshëm. Kosova garoi në Ligën C, që është niveli i tretë dhe u rendit e treta në grup me vetëm një fitore, dy barazime e tri humbje. Mbeti prapa Sllovenisë dhe Greqisë, e para Moldavisë.

Vitin e ardhshëm përfaqësuesja do të luajë në kualifikimet e rregullta për Botërorin 2022. Gjasat për kualifikim thuajse nuk ekzistojnë.

Në Ligën e Kombeve pritet të kthehet në vitin 2022, prapë në Ligën C, përkatësisht në nivelin e tretë. Natyrisht do të tentojë vendin e parë dhe sigurimin e plejofit, nëse nuk ndryshon diçka në sistemin e garës. Nëse do ta fitojë grupin, mbetet të shihet. Por rrethanat e krijuara për plejofin për “Euro 2020” ka pak gjasë të përsëriten.

Përfaqësuesen e presin shumë punë për t’u kthyer në rrugën e duhur. Konsolidimi i grupit, tejkalimi i përplasjeve të brendshme dhe rritja e konkurrencës, vlerësohen prej prioriteteve.

“Humbja ka qenë shumë e dhimbshme. Na kanë munguar disa lojtarë të rëndësishëm në ndeshjen më të madhe në historinë tonë të re. Jam shumë i bindur se me të gjithë lojtarët do ta kishim fituar ndeshjen”, thotë Enis Alushi, ish-mesfushor i rëndësishëm i Kosovës.

“Tash varet prej ekipit se si i përballon këto rezultate të dobëta të këtij viti dhe sa shpejt u kthehet vetëbesimi lojtarëve të përfaqësueses. Mendoj se vetëm të gjithë së bashku në fushë dhe me angazhim 100 për qind në secilën ndeshje, në ofensivë dhe në defensivë, kemi prapë gjasa në të ardhmen për kualifikim. Nëse nuk e kuptojnë këtë lojtarët, mund të kemi edhe Juergen Kloppin trajner dhe nuk do të arrijmë asgjë”, ka shtuar Alushi.

Edhe shumë njohës të tjerë, e sidomos opinioni, kanë fajësuar lojtarët për rastin e humbur. Kritika ka pasur edhe ndaj selektorit Bernard Challandes. Madje, disa lojtarë janë akuzuar se nuk kanë dhënë maksimumin që të jenë në dispozicion të përfaqësueses për ndeshjen vendimtare. Situata me koronavirus komplikoi gjendjen, sidomos në tetor. Jo të gjithë lojtarët u vunë në dispozicion të përfaqësueseve. Te Kosova, për fat të keq, kjo ishte më e theksuar.

Disa vlerësojnë se tani kualifikimi është shtyrë për të paktën një dekadë.

“Kam thënë dhjetë vjet, por ndoshta edhe 15 të themi nuk është shumë. Unë kam dëshirë që kjo të ndodhë për katër vjet, por realiteti është i tillë. Tani na presin kualifikimet e rregullta për Botëror dhe rikthehemi atje ku ishim në vitin 2016, që është shumë vështirë, për të mos thënë e pamundshme. Gjasat e Kosovës për kualifikim janë përmes Ligës së Kombeve”, thotë ish-përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki.

Shumë do të varet nga reagimi i ardhshëm i lojtarëve të Kosovës. Për këtë nuk duhet të pritet shumë. Ndeshjet e para kualifikuese për Botëror janë menjëherë në mars.

Image