Sport

Zyra të vogla me shumë federata

Descriptive Text

Arian Zogu është sekretar në Federatën e Peshëngritjes së Kosovës, ndërsa Ardall Celina, në atë të Aeronautikës.

I kanë të ndara punët, por ato i kryejnë në një zyrë shumë të vogël e të përbashkët. Në të, punët i kryen edhe Federata e Gjimnastikës e Kosovës.

Ka edhe zyra të tjera në Shtëpinë e Sporteve, po ashtu, të vogla, që ndahen nga dy, tri e madje edhe nga katër federata sportive.

“Fatmirësisht nuk kemi pasur probleme deri tani dhe besoj se do të vazhdojë e njëjta. Asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë pengesë për hapësirën për shfrytëzim. Edhe pse është hapësira shumë e vogël, kemi arritur ta shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë. I kemi të ndara, secili e ka pjesën e vet ku i mban dokumentet të cilat janë të mbyllura, kanë qasje vetëm federatat përkatëse”, thotë Zogu.

Ndërkohë Federata e Shigjetarisë, ajo e Taekwondos, e Bowlingut, si dhe ajo e Triathlonit funksionojnë në një zyrë të vetme. Për Federatën e Triathlonit nuk ka vendim për të funksionuar në atë zyrë, por zyrtarë të saj punojnë në të, ndonëse jo çdo ditë.

Zogun e Celinën nuk i pengon fakti që e ndajnë një zyrë, kurse janë të sporteve të tjera. Hapësira e vogël nuk lejon komoditet dhe kushte të duhura për punë, por ata kalojnë mirë së bashku.

“Siç po e shihni, dollapët i kemi të ndara kështu që pak a shumë shihet se cila federatë ku e ka vendin, edhe pse tash e shfrytëzojmë komplet së bashku. I kemi tre dollapë. Secila federatë i ka dokumentet aty. Nuk e kemi bërë me short apo diçka tjetër, por jemi pajtuar që secili ta ketë një kënd të vetin. Nuk kemi pasur ndonjë problem dhe nuk besoj se do të kemi”, thekson Celina.

Kur Zogu e Celina kanë takime, merren vesh mes vete që të mos ketë numër të madh të personave në zyrën e përbashkët. Thonë se kujdesen edhe për shkak të koronavirusit.

“Zakonisht mundohemi të jemi vetëm njëra palë në zyrë, sidomos në kohën e pandemisë tash, që të mos kemi kontakte me të tjerët. Por, në momentin që kemi, u përmbahemi masave të cilat janë të caktuara. Kryesisht mbledhjet dhe takimet që i mbajmë me federatë dhe anëtarët e bordit i mbajmë në zyrë, por kryesisht edhe në sallë të sporteve të cilën e kemi për ushtrime, takohemi edhe me sportistët, edhe me klubet”, tregon Zogu i peshëngritjes.

Ndonëse kalojnë mirë, thonë se më efektivë do të ishin nëse secila federatë do ta kishte zyrën e saj.

“Do të kishim dëshirë që ta kishim secila federatë të paktën nga një zyrë. Por, për momentin këto janë kushtet”, ka thënë Celina.

Federatat funksionojnë në një zyrë në mungesë të zyrave të tjera në Shtëpinë e Sporteve. Nga ai objekt tashmë janë larguar FFK-ja dhe FBK-ja, por shtimi i federatave ka ngufatur disa prej tyre.

“Po mundohemi të bëjmë presion pak në Ministri të Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të na trajtojnë pak më mirë, që të na japin një hapësirë më të madhe, por të shohim se si janë mundësitë”, thotë Celina i Aeronautikës.

Më i zëshëm për shfrytëzim më të mirë të zyrave brenda objektit është sekretari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Nazmi Gashi.

Zyrës së kësaj federate i është shtuar Federata e Pikados, e krijuar së fundmi.

“Federata e Karatesë e Kosovës funksionon në këtë zyrë me 16 metra katrorë. Jemi katër punonjës që punojmë. Jemi tre zyrtarë të Federatës së karatesë, dhe kemi këtu brenda zyrës sekretaren e Federatës së Pikados për shkak të hapësirës që nuk e ka. Normalisht, me kërkesë të federatës, ua kemi mundësuar që edhe ajo të jetë pjesë përbërëse e zyrës sonë”, ka thënë Gashi.

Ai thotë se është një numër i vogël i federatave që janë aktive vazhdimisht, kurse drejtues të disa të tjerave thuajse nuk vijnë kurrë në ambientet e shtëpisë së sporteve.

“Janë diku rreth 5 zyre të federatave që mund të themi që janë të hapura ditëve të punës, ndërsa zyrat e tjera janë me korrespodencë. Kjo me korrespodencë i bie që mund të vijnë një herë në vit, ose nuk vijnë fare. Por, zyra si hapësirë është e mbyllur dhe nuk menaxhohet nga askush”, përfundoi Gashi.

Pos karatesë, federatat e tjera janë të vogla. Nëse në vend rriten sportet e tyre, ato mund të shpërblehen me zyra më të mëdha.