Sport

Enis Xhemaili nderohet me çmimin e KOHËS, “Majlinda Kelmendi”

Shumë emocionues ishte takimi i futbollistit të ri të Dritës, Enis Xhemaili, me kampionen olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi.

Xhemaili, i shoqëruar nga familjarë, u prit në një takim nga xhudistet më të mira të vendit dhe trajneri i tyre, Driton Kuka.

Me shumë emocione ishte fjalimi i trajnerit Kuka, që e lavdëroi të riun gjilanas për punën të cilën po e bën.

"Shpresoj që ti me punë do të mbërrish rezultate të mëdha. Njësoj siç ka arritur Majlinda dhe sportistët e tjerë. Vetëm mos u ndal. Ti je shembull për të gjithë të rinjtë se si duhet të punosh dhe të vazhdosh me sport, sepse sporti është shëndet, edhe në aspektin psikologjik, edhe në aspektin fizik. Të ndihmon të kesh një jetë të mirë, të lumtur dhe të arrish rezultate, normalisht. Ajo është gjëja kryesore. Është kënaqësi që të kemi këtu në klubin tonë, ndërsa herën tjetër kur të kemi kohë, ne do të organizohemi dhe do të vijmë t’ju vizitojmë ju në stërvitje", ishin fjalët e mirëseardhjes të trajnerit Driton Kuka, ndërsa Enisi tha se ekipi i xhudistëve është i mirëpritur në Gjilan.

Enisi e dëgjonte me vëmendje njërin prej trajnerëve më të mirë në botë. Takimin me Majlindën, Enisi e ka përjetuar shumë.

Takimi ishte për një rast të veçantë.

Grupi KOHA ka formuar çmimin “Majlinda Kelmendi” për kontributin e saj për vendin dhe për arritjet në sport. Për këtë vit, KOHA ka vendosur që çmimi “Majlinda Kelmendi” t’i ndahet Enis Xhemailit, për inspirim në sport. Njëjtë si Majlinda, Enisi, frymëzon të rinjtë që të merren me sport.

Enisi u ndje i privilegjuar dhe i befasuar për çmimin me peshë. Por, edhe ai pati një befasi të këndshme për xhudistet. Nuk kishte udhëtuar nga Gjilani për në Pejë, duarthatë.

"Edhe unë e kam një dhuratë timen. Një fanellë timen që kur të rritem, nëse bëhem një futbollist i madh, të keni diçka të vogël prej meje", ishin fjalët dhe dhurata e Enisit, që e bën edhe xhudisten e artë olimpike, Majlinda Kelmendin, të ndihet jashtëzakonisht mirë.

"Për mua është kënaqësi jashtëzakonisht e madhe sot që po e pres Enisin këtu. Enisi është shembull dhe duhet të jetë model për të gjithë të rinjtë këtu në Kosovë, sepse shumica e të rinjve, moshatarëve të tij, e dimë që pjesën më të madhe të kohës e kalojnë nëpër rrjete sociale, nëpër lokale ku luhet Sony. Realisht e harxhojnë kohën e tyre kot. Kështu që Enisi, pavarësisht gjendjes në të cilën është, vazhdon t'i përcjellë ëndrrat e veta, vazhdon të ushtrojë, vazhdon të bëjë sport dhe të ushtrojë futboll. Jam shumë e sigurt që Enisi në të ardhmen do të jetë një futbollist shumë i mirë. Po shpresoj shumë që do të jetë pjesë e ekipit të parë të Kosovës dhe të na bëjë krenarë. Gjithmonë them që talenti nuk është asgjë. Ajo që është më e rëndësishmja është që të jesh punëtor, të punosh shumë, t’i përkushtohesh asaj që e do. E gjitha kjo është ajo çfarë kam bërë unë Enis. Thjesht kam ushtruar shumë, e kam dashur xhudon dhe kam arritur këtu ku jam sot. Ti vetëm mos u ndal dhe jam shumë e sigurt që në një të ardhme shumë të afërt do të jesh një sportist, një futbollist që e gjithë Kosova do të dëgjojë për ty", theksoi Kelmendi.

Pasi shkëmbyen dhuratat, Enisi bashkë me trajnerin Driton Kuka, xhudistet Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi e Laura Fazliu, bënë një fotografi të përbashkët me xhudistë të rinj në prapavijë.

Majtaku gjilanas vlerësohet lart për talentin që e ka në fushën e futbollit, pasimet e sakta e gjuajtjet e fuqishme. Është edhe golashënues i spikatur.