Sport

Trajnerët nga Turqia po rikthehen fuqishëm në basketbollin kosovar

Klubet e basketbollit në Kosovë kanë filluar të kthejnë besimin te trajnerët nga Turqia. Brenda pak ditëve, dy skuadra të Superligës kanë zyrtarizuar marrëveshjet me trajnerë të këtij vendi. Fillimisht Golden Eagle Ylli angazhoi turkun Fatih Emre Gezer, derisa të enjten në mbrëmje edhe drejtuesit e KB Trepçës ia besuan ekipin një trajneri nga Turqia. Bëhet fjalë për Serhat Sehitin, që në këtë post ka zëvendësuar kroatin, Neven Plantak, me të cilin Trepça u nda po të enjten.

Sipas njoftimit të klubit mitrovicas, Sehiti ka punuar si ndihmëstrajner i Përfaqësueses A të Turqisë dhe ka udhëhequr disa ekipe të kategorisë së dytë të këtij vendi.

Edhe në të shkuarën trajnerët e Turqisë ishin ndër të preferuarit e skuadrave kosovare. Para Gezerit e Sehitit, i cili do të fillojë së shpejti punën te Trepça, në Kosovë kanë punuar edhe Ekrem Memnun, Ahmet Kandemir, Ceyhun Cabadak (Sigal Prishtina) dhe Ali Burgul (Mabetex), i cili pati fituar titullin e kampionit në vitin 2005.

Trajneri Gezer u prezantua javën e shkuar te Golden Eagle Ylli, kurse të mërkurën debutoi me fitore të thellë. Gezeri në ndeshjen e parë e udhëhoqi Yllin drejt triumfit ndaj Trepçës me rezultatin 91:54 dhe një ditë pas kësaj fitoreje ai tha se ishte më se e mirëpritur tek ekipi suharekas.

Për Yllin, kjo ishte fitorja e parë pas një serie prej katër humbjeve rresht, e cila edhe solli ndërrimin e trajnerëve. U largua Dragan Radoviq për t’u zëvendësuar me turkun Gezer. Ky i fundit para se të vinte tek Ylli ka punuar nëpër ekipe të ndryshme të Evropës. Ishte ndihmëstrajner i ekipit Pertevniyal Istanbul (2011-2015), pastaj asistent i parë tek Anadolu Efes (2014-2016) dhe Alba Berlin të Gjermanisë (2016-2017).

“Ishte shumë e rëndësishme që të startojmë me fitore pasi ekipi ishte disi i dëmtuar pas serisë së rezultateve negative. Kështu që, pas këtij starti, do të ndryshojmë gjërat dhe gradualisht do të rritemi nëpërmjet punës”, theksoi Gezer, i cili falënderoi trajnerin paraprak të Yllit, Radoviqin, për punën e tij. “Unë do të mundohem të bëj punën time dhe shpresoj që gjërat të shkojnë mirë. Kemi lojtarë të mirë vendorë, të rinj dhe me përvojë dhe mund të bëjmë diçka me këtë ekip solid”.

Gezeri ka pranuar se ekipi i Yllit duhet të përmirësohet shumë, sidomos në mbrojtje dhe insiston se ekipi reagoi shumë mirë në duelin ndaj Trepçës. Në fakt, Ylli limitoi Trepçën në vetëm pesë pikë në çerekun e parë dhe nëntë të tjera në të dytin.

Gezeri insiston se ekipi i tij duhet të vazhdojë me paraqitje të tillë. Ai ka kontratë me Yllin deri në fund të këtij edicioni, me opsion që ta vazhdojë edhe për një vit tjetër. Natyrisht, Gezeri ka synime për këtë edicion, por thotë se është e rëndësishme që ekipi të ngrihet hap pas hapi apo ndeshje pas ndeshjeje.

“Ekipi dha një reagim të mirë ndaj Trepçës, sidomos në dy çerekët e parë. Shpresoj të reagojnë kështu edhe në ndeshjet e tjera. Nuk kam plane për të ardhmen, por unë jam trajner i projekteve afatgjata dhe për një gjë të tillë kam ardhur edhe tek Ylli. Jam adaptuar me ekipin dhe qytetin pasi më kanë pritur shumë mirë. Nuk e shikoj kontratën, shpresoj që klubi në fund të edicionit të mbetet i kënaqur. Pra, dua ta përfundoj edicionin mirë”, thotë Gezeri që shton se i pëlqen jeta në Suharekë edhe pse ka pak ditë që është vendosur aty. Ai vlerëson se i gjithë qyteti frymon me sportin.

“Do të shkojmë hap pas hapi, kështu që synimi është gjithmonë ndeshja e ardhshme. Gjithmonë dua të luaj në finale, pra dua të luftojmë dhe të tregojmë paraqitje të mira. Për të arritur këtë duhet të luftojmë dhe të luajmë mirë”.

Gezeri ka pasur njohuri për basketbollin e Kosovës dhe thotë se liga është në nivel të mirë, ku pothuajse të gjitha ekipet luftojnë për trofe.

“Jam i interesuar për të gjitha ligat në Evropë dhe gjithashtu kam pasur njohuri për basketbollin e Kosovës, pasi disa të rinj kosovarë kanë luajtur nëpër klubet e Turqisë. Kështu që nëpërmjet agjentit tim erdha tek Ylli dhe menjëherë më pëlqeu ideja të punoj në këtë ligë ku niveli është i mirë dhe ekipet gjithashtu”, shtoi Gezeri. “Respektoj të gjithë kundërshtarët pasi pothuajse të gjitha ekipet mund ta fitojnë titullin. Nëse na jepet mundësia, do të isha shumë i lumtur dhe nuk do ta harroja kurrë në jetën time këtë sukses që do të kishte domethënie të madhe edhe për drejtuesit e klubit. Jam trajner i ri dhe kam synime individuale për karrierën time, por duhet shkuar gradualisht”.

Ai e di shumë mirë që në të shkuarën në basketbollin kosovar kanë punuar trajnerë nga Turqia, kurse shpreson që ta vazhdojë rrugën e tyre duke bërë punë të mirë tek Ylli, që do të mbahet mend nga të gjithë.

“E di edhe lidhjen e klubeve të Kosovës me trajnerët nga Turqia, të cilët janë të respektuar dhe të suksesshëm. Natyrisht që do të mundohem edhe unë të bëj një punë të mirë sikurse ata për shkak se dua ta vazhdoj atë trashëgimi. Është shumë e rëndësishme për të gjithë”.