Sport

Juve në garë për Depayn

Pas Barcelonës, edhe Juventusi është futur në garë për shërbimet e sulmuesit holandez Memphis Depay, ka shkruar të hënën “Diario Sport”.

Depay do të largohet në janar nga Lyoni pasi ka refuzuar rinovimin e kontratës që i skadon në fund të këtij edicioni, dhe Juventusi po e sheh si përforcim ideal për sulmin. Në fakt, Lyoni ditë më parë i ka caktuar çmimin Depayt, duke kërkuar vetëm pesë milionë dëmshpërblim për të mos e humbur si lojtar të lirë në verën e ardhshme.

Juventusi është në kërkim të një sulmuesi dhe trajneri Andrea Pirlo ka dhënë dritën jeshile për transferimin e Depayt. Sulmuesi 26-vjeçar, ishte pranë kalimit te Barcelona para fillimit të këtij edicioni por Lyoni refuzoi ofertën prej 25 milionë eurosh duke kërkuar më shumë. Depay këtë sezon ka shënuar tetë gola në 16 ndeshje në të gjitha garat.