Sport

Zyla e Venera në Kosovë kundërshtare, në SHBA bashkëlojtare

Zyla e Venera nuk e kanë të përbashkët vetëm mbiemrin – Kadriu. Dy volejbollistet nga Kosova, njëra nga Skenderaj e tjetra nga Gjilani, kanë edhe disa të përbashkëta të tjera. Ato luajnë në ekipin e “Northwood University” në Michigan të SHBA-së e po ashtu janë edhe pjesë e përfaqësueses së Kosovës.

Ekipi i Timberwolves bën gara në ligën universitare, NCAA, përkatësisht në ligën e divizionit të dytë, GLIAC (Great Lakes Intercollegiate Athletic Confrence).

Krahas zhvillimit të tyre si volejbolliste, Zyla e Venera po e vazhdojnë edhe shkollimin në SHBA.

Në fakt, Venera, që është nga Gjilani, ishte e para që iu bashkua ekipit të universitetit amerikan në vitin 2018. Vitin e kaluar në të njëjtin universitet u regjistrua edhe Zyla, volejbollistja e talentuar nga Skenderaj.

Dy lojtaret janë me bursë të plotë të sportisteve-studente dhe synimet i kanë të mëdha si në sport ashtu edhe në shkollim. Përderisa Zyla ndjek studimet në fushën e marketingut, Venera studion për financa.

Para se të shkonin në SHBA, ato ishin volejbolliste aktive në Superligën e Kosovës.

Venera ishte pjesë e Dritës, ndërsa Zyla pjesë e ekipit të Skenderajt. Në Kosovë ishin kundërshtare, derisa në SHBA po avancojnë së bashku, si pjesë e një ekipi.

Venera Kadriu, që luan si pranuese, hapi rrugë për Zylën që të bashkohet me Universitetin amerikan.

“Pas përfundimit të vitit të parë, ekipi ynë kishte nevojë për një lojtare të pozitës së pasueses. Stafi dhe trajneri më pyetën nëse kisha një propozim të ndonjë lojtareje të profilit të tillë. Pa hezitim dhe me dëshirë e kam rekomanduar Zylën duke ditur moshën e saj të re, cilësinë dhe potencialin që e posedon”, ka treguar Venera Kadriu në një bisedë për KOHËN.

Bashkimi në ekipin e Universitetit bëri që dyshja e Kosovës të jetë edhe më efektive dhe të kenë rezultate. Të paktën kështu vlerësojnë ato.

Dy lojtaret janë në mesin e më të dalluarave dhe ndër kryesoret në ekip. Ato tregojnë përshtaten mirë me njëra-tjetrën, jo vetëm për shkak të gjuhës por edhe përvojës te përfaqësuesja e Kosovës.

“Çdo fillim është i vështirë, sidomos kur shkon në një vend të huaj për të luajtur dhe studiuar. Mirëpo, fakti që në këtë rrugëtim jam së bashku me Venerën, i bën gjërat shumë më të lehta në çdo aspekt. Kjo gjë vlen edhe për ekipin ku ne luajmë, pasi në mes të gjitha atyre vajzave amerikane, unë e kam një shoqe nga Kosova që më bën të ndihem mirë”, ka theksuar Zyla Kadriu.

Kalimi në ligën universitare në SHBA, dy lojtareve u ka ndihmuar të ngrihen në anën profesionale. Jeta si studente dhe sportiste në të njëjtën kohë, sipas tyre, është mjaft e ngjeshur. Intensiteti i lartë i stërvitjeve dhe përgatitjeve fizike ka ndikuar edhe në rritjen e performancës së tyre.

Pandemia e koronavirusit ka bërë që edicioni aktual i ligës së universiteteve, ku luan ekipi i volejbollisteve kosovare, të pezullohet për një kohë të pacaktuar. Pezullimi i sezonit ka ndikimin negativ, pasi nuk po luhen ndeshje. Por Venera e Zyla thonë se këtë kohë e kanë shfrytëzuar për përmirësime në lojën individuale.

“Shkaku i pandemisë, sezoni vjeshtor është pezulluar dhe nuk e kemi zhvilluar asnjë ndeshje. Mendoj që ky anulim i sezonit ka pasur një të mirë dhe një të keqe. E keqja është se po na mungojnë emocionet që i përjetojmë gjatë ndeshjeve, kurse e mira është se kam pasur më shumë kohë të fokusohem në detaje të lojës sime, gjë që do të ndikojë në rritjen e performancës sime për edicionin tjetër”, është shprehur Zyla Kadriu.

Të dyja pranojnë se dallimi është i madh në krahasim me nivelin e volejbollit kosovar. Loja është në nivel tjetër e mbi të gjitha kushtet për punë.

“Normalisht që me kushtet në SHBA, kualiteti dhe konkurrenca janë automatikisht më të larta”, thotë Venera.

Këtë e pranon edhe Zyla: “Për mendimin tim, ka dallime të mëdha në disa aspekte që ndikojnë në kualitetin e secilës skuadër”.

Të dy volejbollistet pritet të mbesin në SHBA edhe për disa vjet, derisa të përfundojnë shkollimin. Pas përfundimit të studimeve, synimet e Zylës dhe Venerës janë të mëdha. Natyrisht lidhen me volejbollin.

Ato ëndërrojnë që të bëhen volejbolliste profesioniste në ndonjë ligë të fortë të Evropës. Pak volejbolliste kosovare kanë arritur në liga evropiane deri më tani.

“Plani im është që pas studimeve t’i rikthehem volejbollit profesional diku në Evropë. Synim e kam të luaj në shtete që kanë ligë të fortë, por gjithçka varet se sa shumë zhvillohem si lojtare gjatë kohës që jam në SHBA”, ka thënë Zyla Kadriu që nuk e mendon kthimin në Kosovë.

“Nëse kthehem në Kosovë, do të jetë vetëm për familje, jo që shoh ndonjë të ardhme, të paktën jo pa pasur ndryshime të mëdha”.

Venera krahas planeve për të ndërtuar karrierë në Evropë, pret edhe ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës. Ftesës së bashku me Venerën do t’i përgjigjej edhe Zyla. Por, Kosova ka kohë që nuk ka pasur aktivitet dhe as që është grumbulluar. Se kur do të jetë grumbullimi i ardhshëm nuk e dinë ato.

“Synim e kam ta vazhdoj karrierën akademike në nivele të larta dhe të luaj si profesioniste në Evropë, pasi dua të jem afër familjes. Gjithashtu, do t’i përgjigjem edhe ftesës së Kosovës, sa herë të ketë nevojë”, thotë Venera. “Arritjet që unë i çmoj më së shumti janë lidhur me garat në të cilat unë e prezantoj flamurin e vendlindjes sime”.

Dy ish-skuadrat e tyre, Drita e Skenderaj, kanë rivalitet të madh në Superligën kosovare. Pa rivalitet nuk ishin as Venera e Zyla. Por, tani janë në një ekip dhe kanë synime të përafërta.