Sport

Heritier, portieri që u bë i famshëm në Kosovë me pritjen akrobatike

Marly Prince Heritier duhej të vepronte shpejt. Nuk kishte shumë kohë për t’u menduar. Vendimin e mori. Mënyrën që zgjodhi për ta larguar topin nga vija fatale e portës doli të ishte vendim i qëlluar.

Bëhet fjalë për momentin e fundit të ndeshjes ndërmjet Vushtrrisë dhe Prishtinës (0:2), që u zhvillua më 13 qershor të këtij viti në kuadër të edicionit 2019/20 të Superligës së Kosovës në futboll. Heritier hoqi topin nga vija fatale në mënyrë akrobatike, me gërshërë. Atëbotë ai luante për Vushtrrinë, derisa tash është portier i parë edhe te Trepça ’89. Veprimi i Heritierit vlerësohet i ngjashëm me atë të portierit legjendar të Kolumbisë, Rene Higuita. Ai në një ndeshje të botërorit të vitit 1990 pati vendosur të mos e kapte topin me dorë, por ta largonte atë me këmbë, në mënyrë akrobatike.

“Unë mendoj se ishte vendimi i duhur për mua ta evitoja autogolin, sepse pasimi nga mbrojtësi im ka qenë i fortë dhe më ka sjellë në situatën që vetëm në këtë mënyrë do të mund të largoja topin nga vija e fundit. Po ta kapja topin me dorë, do ta evitoja sërish golin, por do të ishte arbitri ai që do të vendoste të jepte gjuajtje indirekte”, thotë Heritier.

Ai nuk e fsheh se largimi i topit në atë formë e bëri të famshëm në futbollin e Kosovës.

“Në momentin që e kuptova që nuk mund të intervenoja me duar, gjëja e vetme për të mos lënë topin të hyjë në portë ishin këmbët dhe koka. Kështu që, u përgatita dhe vendosa që në atë formë ta largoja topin dhe shkojë gjithçka mirë”, tha 21-vjeçari.

Ai insiston se po ta kishte sërish situatën e njëjtë, do të vepronte në të njëjtën mënyrë. Heritier shpreson të mos vijë më puna deri aty, por nëse ndodh sërish, është i gatshëm të veprojë njësoj. Falë pritjeve të tij, Vushtrria atëbotë pati humbur vetëm me rezultat 2:0 nga Prishtina. Edhe këtë edicion si pjesë e Trepçës ’89, Heritier ka bërë disa pritje të mira. Ai vlerësohet goxha lart edhe në klubin mitrovicas.

Edhe vetë Heritier thotë se është i kënaqur me paraqitjet e tij, por thotë se po mundohet çdo ditë të përmirësojë lojën e tij që t’i sjellë siguri Trepçës ’89 në portë.

“Enver Salihi, trajneri me të cilin po punoj, më ka shtyrë shumë të punoj edhe më fort, prandaj e shoh se mund të përmirësohem edhe më shumë”, ka thënë ai.

 E nisi si sulmues, përfundoi si portier

Heritier u lind në qytetin Pointe Noire të Kongos. Ka një familje të gjerë me pesë vëllezër e katër motra. Ai thotë se në familjen e tij janë marrë me sport edhe dy prindërit dhe dy vëllezërit.

“Babi im ka qenë futbollist, kurse nëna ime portiere e hendbollit. Ndërsa, dy vëllezërit e mi gjithashtu ishin futbollistë. Ata kanë luajtur për një periudhë të gjatë, por më pas vazhduan një drejtim tjetër”, është shprehur portieri afrikan.

Ai tregon se si i ri nisi të luante futboll. Në fillimet e tij thotë se ka luajtur si sulmues, më vonë si mbrojtës dhe së fundi si portier. Kjo pozitë thotë se i fle më shumë.

“Unë kam filluar të luaja futboll që në moshë shumë të re. Arsyeja që më ka shtyrë të luaja këtë sport ishte sepse ndihesha shumë i lumtur sa herë që isha në një fushë loje. E nisa karrierën si sulmues, pastaj si mbrojtës dhe në fund u bëra portier, pozicion që më pëlqen shumë”, ka deklaruar Heritier.

Ai ka theksuar se në Kongo si i ri e ka fituar Kupën, derisa thotë se disa herë ka qenë edhe portieri më i mirë i ri.

“Gjithashtu kam qenë edhe në listën e ngushtë të ekipit kombëtar për të rinj të Kongos”, ka thënë ai.

Por Heritier ka edhe një synim tjetër. Ai synon që në një të ardhme të afërt të jetë pjesë e Përfaqësueses A të Kongos.

“Unë vazhdoj të ëndërroj që një ditë do ta përfaqësoj vendin tim”, ka thënë ai.

Kosova, histori e re e jetës së afrikanit

Heritier pranon se nuk ka ndonjë ofertë për t’u larguar nga Kosova për ndonjë klub tjetër. Mirëpo, ai nuk përjashton mundësinë që në një të ardhme të afërt të kërkojë të bëjë karrierë në ndonjë shtet tjetër. Kosova thotë se do të jetë trampolinë për të vazhduar karrierën në ndonjë shtet me kampionat më të fortë futbolli.

“Për momentin nuk kam ndonjë ofertë nga jashtë Kosovës, por nga këtu besoj se do të jetë e mundur. Për momentin jam këtu dhe i përqendruar maksimalisht te 89-shi. Për të ardhmen ende nuk kam vendosur, por do të shoh pse mos ta provoj edhe ndonjë kampionat tjetër”, ka deklaruar Heritier.

Por ai thotë se në Kosovë për aq kohë sa është ka arritur t’i përjetojë disa momente shumë të rëndësishme.

“Kam kaluar shumë nga karriera ime duke luajtur në vendin tim, por që kur kam ardhur në Kosovë kam pasur disa momente shumë të rëndësishme. Momentet më të mira në karrierën time në kampionatin e Kosovës”, ka thënë ai.

Transferimin nga Vushtrria te Trepça ’89 thotë se ia ka mundësuar menaxheri, Ymer Stanovci.

“Në Vushtrri kam kaluar një periudhë të mirë dhe i falënderoj për besimin. Është menaxheri im Ymer Stanovci që më ka drejtuar te Trepça ’89. U largova nga vendi im, sepse dëshiroja të zbuloja një garë dhe kampionat tjetër. Aspiratat e mia ishin të larta dhe takova një ekip të shkëlqyer, prandaj edhe vendosa të largohesha dhe të vija në Kosovë”, ka thënë Heritier.

Heritier thotë se futbolli për të është gjithçka. Në Kosovë thotë se nuk ka ardhur për punë, siç ka dëgjuar nga njerëzit, por për të luajtur futboll.

“E kam dëgjuar edhe unë dhe nuk ka asgjë të vërtetë për këto thashetheme. Unë kurrë nuk kam kërkuar punë tjetër përveç futbollit, ku, siç e kam thënë, futbolli është pasioni im. Unë nuk do të largohem nga futbolli për një punë tjetër dhe e vetmja gjë që më mori në Kosovë është futbolli”, ka insiston ai.

Ai thur lavde për Kosovën. Thotë se është pritur ngrohtë nga populli i Kosovës.

“Kosova është një vend shumë i mirë me njerëz miqësorë. Gjithçka është në rregull”, ka deklaruar ai.

Portieri kongolez shkon edhe më larg.

“Kosova është një histori e re e jetës sime dhe këtë e vlerësoj maksimalisht”, ka deklaruar Heritier, që shpreson me ekipin mitrovicas të arrijë suksese, pse jo edhe daljen në Evropë nëpërmjet triumfit në Kupë.