Sport

Ballkani u kthehet fitoreve, Llapi vazhdon serinë pozitive

Ballkani ka lënë pas vetes humbjen nga Drita, për t’iu kthyer fitores pesë ditë më vonë. Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi ka triumfuar në Suharekë ndaj Trepçës ’89, të enjten. Ndeshja që i takoi xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës përfundoi me rezultatin 2:0 në të mirë të ekipit vendas.

Mesfushorët Edvin Kuç (62’) dhe Nazmi Gripshi (90’+4) shënuan golat për fitoren e Ballkanit, që me këtë trepikësh forcoi pozitën e dytë në tabelë me 38 pikë, një më pak se Drita që kryeson. Ndërkohë, Trepça ’89 mbetet në kuotën e 20 pikëve dhe zë vendin e shtatë në tabelë. Për ekipin nga Mitrovica, kjo ishte humbja e pestë në shtatë ndeshjet e fundit.

Ballkani të dielën humbi nga Drita dhe kështu lëshoi pozitën e parë në tabelë.

“E kemi ditur se do të jetë një ndeshje e vështirë, duke pasur parasysh se përballë kishim një ekip të fortë si Ballkani. Pavarësisht kundërshtarit, ne patëm një paraqitje të mirë. Në përgjithësi jam i kënaqur me angazhimin dhe lojën e ekipit pasi mund të merrnim ndoshta një pikë, por ky është futbolli”, tha trajneri i Trepçës ’89, Shpëtim Idrizi.

Pjesëloja e parë përfundoi me rrjeta të paprekura. Në pjesëlojën e dytë, Ballkani realizoi dy herë për të siguruar fitoren dhe për t’iu revanshuar Trepçës ’89 për humbjen e shkaktuar javë më parë në Mitrovicë (4:3), kur ishte në avantazh prej tri golave. Fillimisht në minutën e 64-t, Kuç zhbllokoi rezultatin me një gjuajtje të fortë nga distanca derisa në minutën e katërt të kohës shtesë, ishte Gripshi që realizoi edhe golin e dytë për Ballkanin nga gjuajtja e lirë.

“Më pëlqeu mënyra se si luajti ekipi. Luajtëm me përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe dhe vetëm në këtë mënyrë kemi mundur ta mposhtim Trepçën ’89, që në radhët e veta ka individë të mirë dhe aplikon një lojë të bukur. Jam i kënaqur me fitoren dhe tani fokusin do ta kthejmë te ndeshja e vështirë që na pret me Prishtinën, në të cilën do të futemi për fitore”, u shpreh trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi.

Edhe skuadra e Llapit shënoi fitore në xhiron e parafundit të pjesës së parë të këtij edicioni, duke e vazhduar serinë e rezultateve pozitive. Llapi, të enjten triumfoi në udhëtim kundër Arbërisë së Dobrajës, me rezultatin 2:1. Elvis Prençi (30’) dhe Kastriot Selmani (39’) shënuan për Llapin. Prençi shënoi edhe në portën e tij (57’).

Me këtë fitore, Llapi u ngrit në kuotën e 17 pikëve, por nuk u largua nga pozita e parafundit në tabelë derisa Arbëria është e gjashta dhe ka dy pikë më shumë se ekipi llapjan. Për Llapin kjo ishte fitorja e tretë rresht dhe trajneri Tahir Batatina pas ndeshjes paralajmëroi se ekipi i tij po jep sinjale për një rikthim të fuqishëm pas startit të dobët.

“Kemi pasur nevojë për pikë ndaj një Arbërie që po luan futboll të mirë. Fusha ishte në gjendje të rënduar, andaj edhe e morëm atë golin nga ndërprerja, por nuk rrezikuam. Mendoj që lojtarët treguan karakter të fortë dhe gjithë merita i shkon atyre. Gjithmonë kam thënë që Llapi ka cilësi, skuadra është komponuar dhe tashmë kemi edhe rezultate. Plani kryesor ndaj Arbërisë ishte të marrim tri pikë dhe jo të luajmë futboll të bukur”, është shprehur Batatina.

Arbëria ndeshjen e mbylli me një futbollist më pak pasi në minutën e 78-të, Qlirim Avdulli u ndëshkua me karton të kuq pas dy të verdhëve. Dhe, sipas trajnerit Arbnor Morina largimi i tij ndikoi në humbjen e Arbërisë që këtë edicion për herë të parë po luan në Superligë. Ndeshja u luajt në stadiumin e Flamurtarit në Prishtinë.

Superliga – XVII

Ballkani – Trepça ’89 2:0

Arbëria – Llapi 1:2

Gjilani – Drenica 0:3

Drenica – Drita 0:3

Feronikeli – Besa 3:0

Image