Sport

Prishtina thellon krizën e Gjilanit, Drita të Drenicës

Prishtina e ka arritur fitoren e katërt në pesë ndeshjet e fundit të Superligës së Kosovës në futboll. Katër fitore rresht i ka edhe kampionia në fuqi e Kosovës, Drita. Të dyja skuadrat fituan në udhëtim ndeshjet e tyre, të mërkurën në kuadër të xhiros së 17-të të elitës së futbollit kosovar.

Si Prishtina, ashtu edhe Drita triumfuan me rezultatin identik, 3:0. Prishtina kundër Gjilanit, derisa Drita ndaj Drenicës. Për këtë të fundit ishte disfata e pesë rresht, kurse për Gjilanin e katërta.

E fitore me shifrat 3:0 ka arritur edhe Feronikeli që në Drenas e mposhti Besën. Këto ishin dhe tri ndeshjet e para të xhiros së parafundit të Superligës. Me fitore ndaj Drenicës, Drita është forcuar në vendin e parë në tabelë me 39 pikë, ndërsa Prishtina është e treta me 28 pikë. Feronikeli është i katërti me 23 pikë, sa i ka edhe Gjilani që zë vendin e pestë derisa Drenica mbetet e teta me 18 pikë të tubuara. Skuadra e Besës, është e fundit në tabelë me gjashtë pikë. “Ishte ndeshje e vështirë duke parë që Gjilani ka futbollistë cilësorë. E dinim se do të ishte e vështirë, por kur e pamë fushën çdo gjë ra në plan të dytë pos fitores dhe dëshirës për të marrë pikët. Skuadrat më të mira deri më tash kemi qenë Ballkani, Drita, Feronikeli dhe ne. Kërkojmë tre pikë ndaj një rivali direkt si Ballkani edhe pse ata kanë skuadër të mirë dhe individë të rrezikshëm, si Mirlind Daku, por ne jemi Prishtina dhe luajmë vetëm për fitore”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Ramadani. Ndërkohë, Sallah Sherifi, trajneri i Gjilanit, nuk dëshiroi të prononcohej pas takimit. Sherifi e mori drejtimin e Gjilanit pas largimit të Gentjan Mezanit, që të mërkurën ishte i pranishëm për ta parë ndeshjen ndaj Prishtinës si mysafir. Prishtina kaloi në epërsi në minutën e 41-të, me autogolin e shënuar nga kapiteni i Gjilanit, Ylber Kastrati. Ai në tentim për ta larguar topin shënoi në portën e tij. Katër minuta më vonë, Prishtina ngriti epërsinë në 2:0 nëpërmjet Leutrim Kryeziut. Kryeziu shënoi me asistim të Gauthier Mankendës. Mankenda në minutën e 84-të siguroi penallti për Prishtinën. Ai u pengua në zonë nga Franc Veliu, derisa një minutë më vonë i pagabueshëm nga penalltia ishte Sabien Lilaj. Ndërkohë, te Drita golin e parë në fitoren 3:0 ndaj Drenicës, e shënoi Almir Ajzeraj. Ai shënoi në fund të pjesës së parë pas harkimit të kapitenit Ardian Limani. Ajzeraj dy në minutat shtesë të pjesëlojës së parë, u pengua në zonë nga Shkëlzen Lushtaku i Drenicës. Në minutën e 48-të, i pagabueshëm ishte Fidan Gërbeshi nga penalltia për të dyfishuar epërsinë e mysafirëve. Golin e tretë për Dritën e shënoi Betim Haxhimusa. Ai shënoi në minutën e 89-të. “Meqenëse orari është shumë i ngjeshur, në këtë takim kemi luajtur një lojë të mirë, teksa kemi bllokuar edhe kundërshtarin në pikët më të forta. I përgëzoj futbollistët për ndeshjen e mirë dhe të përgatitemi për ndeshjen e radhës”, tha trajneri i Feronikelit, Ardian Nuhiu. Ndërkohë, në fitoren e Feronikelit serinë e golave e hapi Ademi Maliqi në minutën e tetë pas asistimit të Mendurim Hotit. Golin e dytë e shënoi Argjend Malaj (46’), kurse rezultatin përfundimtar e vulosi Marko Simonovski (83’). “Jam i kënaqur jo vetëm me këtë ndeshje, por në përgjithësi në ndeshjet e fundit. Skuadra vazhdon të luajë mirë taktikisht dhe kjo më gëzon më së shumti. Kemi ende punë për të bërë dhe jam i sigurt që do të vazhdojmë me hapa të sigurt drejt kreut të tabelës dhe fitimit të Kupës”, ka thënë trajneri i Feronikelit, Klodian Duro. Të enjten, do të luhen edhe dy ndeshje të xhiros së 17-të. Arbëria është vendëse ndaj Llapit, derisa Ballkani në Suharekë e pret skuadrën nga Mitrovica, Trepça ’89.

Image