Sport

Mustafiq shpreson të arrijë në majat e boksit botëror

Remzo Mustafiq ka dhjetëra foto të postuara në profilin e tij në “Facebook”. Të gjitha i ka me shkas. Por, një që e ka postuar thotë se ka më shumë për zemër. Është fotoja e postuar muajin e shkuar me medalje të bronztë të fituar në Kampionatin Evropian për të rinj që u mbajt në Budva të Malit të Zi. Në foton e bërë para panos së Kampionatit Evropian, boksieri shihet se me shumë krenari mban flamurin e Kosovës, të shtrënguar fort dhe të ngritur lart. Medalja e bronztë e fituar në kategorinë deri në 91 kilogramë për gjeneratën U18, është e arritura e tij më e madhe deri tash. Por, ai insiston se është vetëm fillimi.

“Ky është vetëm fillimi i sukseseve të mia. Do të ushtroj më shumë ditë për ditë dhe do të luftoj derisa ta ngre flamurin tim të Kosovës në majat më të mëdha të botës”, thotë boksieri 18-vjeçar, që jeton në veri të Mitrovicës.

Synimin për të arritur majat e botës, Mustafiq e ka që nga fëmijëria. Ai thotë se është inspiruar nga yjet botërore të boksit.

“Duke i shikuar ata, kam menduar edhe unë pse të mos ëndërroj që një ditë të ngjitem në ring dhe të korr suksese. Kam menduar pse edhe unë të mos jem aty. Kam filluar me stërvitje dhe nuk jam ndalur më asnjëherë. Kur kam dalë për herë të parë në ring kam ndier lumturi. Kam shikuar thellë se tash nis rruga e sukseseve të mia. E kuptova se dëshira ime është plotësuar, por tani e kuptova se ajo ëndërr imja ka qenë vetëm fillimi”, ka theksuar ai.

Fillimi thotë se ka qenë goxha i vështirë. Por, me ndihmën dhe mbështetjen e familjes, thekson se i ka kaluar të gjitha sfidat që i ka pasur para vetes.

“Më kanë përkrahur gjithmonë, por edhe i kam kuptuar edhe kur kanë pasur frikë që unë të mos merrem me këtë sport, pasi boksi si sport nuk është aspak i lehtë. Por, unë kam vazhduar dhe do të vazhdoj me plot vullnet ta ndjekë ëndrrën”, është shprehur Mustafiq.

Ai insiston se nuk do të ndalet, pavarësisht vështirësive që i ka rrugës. Rrugë të vështirë bën gati çdo ditë, ku nga pjesa veriore shkon tek ajo jugore e Mitrovicës për t’u stërvitur me trajnerin Mehmet Haxhani. Para se të merrej me boks, Mustafiq bashkë me vëllanë e tij kanë stërvitur kikboks. Por ai pranon se nuk u ka ecur mirë dhe se veten tashmë e kanë gjetur në boks.

“Por, ka pasur kohë kur jam nervozuar me veten dhe po të mos ishte vëllai të shkojmë bashkë në ushtrime, nuk do të isha tash duke u marrë me boks. Por, ai më ka shtyrë, e po ashtu edhe motra jonë e madhe, Sellima, e cila na ka udhëhequr gjithmonë edhe kur kemi qenë fëmijë. Është kujdesur gjithmonë për ne, na ka dërguar në ushtrime, ndërsa babi ynë ka punuar, derisa nëna është dashur të përkujdeset për ne në shtëpi. Por, mbështetëse të fortë e kemi pasur dhe e kemi motrën, e cila pos obligimeve në shkollim dhe punë, ka gjetur kohë për t’u përkujdesur edhe për ne”, ka thënë Mustafiq.

Sakrifica për të arritur suksesin

Ai bashkë me familjen e tij jeton në lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës. Thotë se të jetuarit në atë pjesë të Kosovës është e vështirë. E më e vështirë ishte vite më parë kur situata nuk ka qenë e normalizuar, sidomos lëvizja gjatë orëve të vona. Ai thotë se ka qenë periudhë e vështirë dhe e rrezikshme të lëvizë çdo natë nga pjesa veriore në atë jugore.

“Si çdo qytetar që jeton në atë pjesë ka vështirësi të jetesës, por jemi duke u përballur me të gjitha problemet dhe situatën e përditshme. Jeta në veri nuk është aspak e sigurt, kjo është normalisht e kuptueshme, por tani jemi mësuar me këtë pjesë të jetesës. Por, janë kaluese për secilin prej nesh”, ka deklaruar ai.

Lëvizja nuk ka qenë dhe nuk është problemi i vetëm për Mustafiqin e klubit të boksit “Diakonia”. Ai ende përballet me mungesë të kushteve.
“Për fat të keq nuk kemi mundësi të mjaftueshme për stërvitje. Nuk kemi as sallë të rregulluar. Tash pas suksesit tim shpresoj dikush të vijë për të na mbështetur. Falënderoj të gjithë që më kanë përkrahur, duke nisur nga familja e deri te shoqëria. Mirëpo, falënderim të veçantë kam për trajnerin, Mehmet Haxhani për sukseset e mia”, thotë ai duke iu kthyer bisedës në fillimet e tij të karrierës.

Ai thotë se është pritur mirë në klubin ku ende është – “Diakonia”. Tregon se bashkë me vëllain e tij i kanë bindur trajnerët që në ditën e parë.

“Babai im ka qenë futbollist shumë i mirë dhe ka pasur shumë dashuri për futbollin, ka ushtruar shumë. Por, për fat të keq nuk ka mundur ta ndjekë ëndrrën. Nuk kanë qenë mundësitë, siç janë tash. Me boks nisi edhe vëllai i vogël 13-vjeçar, por e la sepse nuk i ka pëlqyer”, është shprehur ai.

Fitues i turneut “Pavarësia e Kosovës”

Sukseset e Mustafiqit në Kosovë nisën nga viti 2018. Ai për herë të parë u shpall kampion për kadet (U16). Po në fund të atij viti, ai është zgjedhur edhe boksieri më i mirë i gjeneratës U16.

“Në vitin 2019 sërish u shpalla kampion i Kosovës, por i gjeneratës U18. Kam arritur ta fitoj epitetin e teknikut më të mirë në turneun ‘Dita e Çlirimit të Obiliqit’. Pas sukseseve, fitova edhe epitetin e boksierit më të mirë të vitit 2019 të gjeneratës U18. E kam mbyllur vitin 2019 pa asnjë humbje”, ka thënë ai.

Dy vjetët e kaluar ishin motivuese për Mustafiqin që qysh në muajin e dytë të këtij viti arriti një tjetër sukses. Ai është fitues i turneut “Pavarësia e Kosovës”. Por, atij dhe boksierëve tjerë, e po ashtu sportistëve në përgjithësi që nga muaji mars u është dashur t’i ndërpresin aktivitetet shkaku i situatës me koronavirus. Boksierët i vazhduan aktivitetet në tetor të këtij viti, pra pas tetë muajsh pauzë. Megjithatë, Mustafiq nuk e ndërpreu punën. Ai thotë se është stërvitur maksimalisht në natyrë. Se e kishte ruajtur formën e tregoi edhe pjesëmarrja në turneun “Lah Nimani”, që ishte edhe i pari pas pauzës së detyruar shkaku i pandemisë.

“E kam besuar se mund të fitoj dhe sigurisht fitoren e mora me vete, e njëkohësisht edhe kupën për çiftin më luftarak të turneut. Pas sukseseve isha i vetëdijshëm se më priste një sfidë edhe më e madhe. Pas këtyre turneve erdhi momenti të ngjitem në ring në një ngjarje të madhe dhe ta përfaqësoj denjësisht vendin tim, Kosovën. Kosovës ia sigurova medaljen e bronztë dhe për mua ishte ditë krenarie e po ashtu edhe një ditë me emocione të përziera. E kujtova periudhën e fillimit me plot vështirësi e sakrifica dhe momentin e ngjitjes në podium për ta marrë medaljen”, ka thënë Mustafiq.

Ai insiston se ka qenë në formë të lartë dhe se ka besuar se Kosovës do t’i siguroj një medalje.

“Kam qenë i përgatitur dhe i motivuar sepse jam i nderuar që përfaqësoj vendin tim. Jam krenar që kam arritur t’ia siguroj Kosovës një medalje. Me plotë të drejtë, një nga trajnerët e mi tha se kjo fitore është historike në konkurrencën e meshkujve. Është medalje e parë pas 35 vitesh në Kosovë, derisa në Mitrovicë nuk ka ndodhur asnjëherë. Më bën të ndihem mirë që pas shumë vjetësh arritëm të bëjmë vendin tonë krenar dhe të tregojmë se në Kosovë ka shumë talente, por që duhet përkrahje”, është shprehur ai.

Mustafiq është i bindur se do t’i arrijë majat e boksit botëror.

“Unë do ta përfaqësoj me dinjitetin më të madh Kosovën. Synimet e mia janë që t’i zbardhi fytyrën Kosovës dhe e ngritur në rangjet botërore. Besoj fuqishëm në fitore të tjera. Jam i dashuruar me këtë sport dhe ushtroj për t’i arritur synimet. Me vullnet, ndihmë dhe përkrahje, unë do të arrij suksese të mëdha botërore”, ka thënë Mustafiq.

{gallery}