Sport

Fillim i vështirë për Kosovën - në shtëpi me Suedinë, në udhëtim me Spanjën

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do t’i nisë kualifikimet për kampionatin botëror “Katari 2022”, me ndeshjet ndaj përfaqësueseve që synojnë dy vendet e para në grupin B, Suedisë e Spanjës.

Orari i ndeshjeve është caktuar të martën, një ditë pas shortit, kurse fillimi i kampanjës do të jetë shumë i vështirë për Kosovën.

Ndeshja ndaj Suedisë, që për Kosovën është hapëse në kampanjën e dytë kualifikuese për botëror, do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”, më 28 mars të vitit të ardhshëm nga ora 20:45. Tri ditë më vonë Kosova luan në udhëtim kundër ish-kampiones së botës, Spanjës.

Në fakt, ndeshjet e para në grupin B luhen më 25 mars, por Kosova do të jetë e lirë. Spanja e pret Greqinë, kurse Suedia e pret Gjeorgjinë.

“Ne jemi takuar me Kosovën në miqësoren e luajtur këtë vit. Janë të freskëta kujtimet. Në janar, Suedia fitoi 1:0 në takimin e vetëm deri më tani kundër Kosovës”, shkruan në njoftimin e faqes zyrtare të Federatës së Futbollit të Suedisë.

Suedia në atë ndeshje luajti me ekip të dytë. Njëjtë edhe Kosova u paraqit me lojtarë kryesisht të klubeve të vendit.

Në fakt, te Kosova kanë pranuar se kanë pak gjasa që ndaj Spanjës, favorites së grupit dhe Suedisë, të nxjerrin ndonjë pikë. Shpresat e “Dardanëve” për të marrë pikë janë për ndeshjet me Gjeorgjinë dhe Greqinë.

Shorti është tërhequr të hënën në Zuerich, derisa Kosova bashkë me Suedinë, Spanjën, Greqinë dhe Gjeorgjinë janë në grupin B. Me t’u hedhur shorti nisën edhe reagimet e ndryshme me theks të veçantë për takimin kundër Spanjës, shtet që nuk e ka njohur Kosovën. Është në dyshim nëse Spanja do të pranojë që ta luajë ndeshjen me Kosovën në territorin e saj. Në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) shpresojnë që çështjen me Spanjën ta zgjidhë FIFA.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, shpreson po ashtu që deri në mars të ketë përfundim të pandemisë dhe të lejohet prania e shikuesve në tribuna. Ndeshjet e këtij viti, Kosova i ka luajtur pa shikues.

“Shpresojmë të mos kemi pandemi dhe ndeshjen kundër Suedisë ta luajmë në shtëpi me stadium të stërmbushur dhe me përkrahje të fuqishme të ‘Dardanëve’”, ka thënë të martën për KOHËN i pari i shtëpisë së futbollit kosovar.

Para dy ndeshjeve kualifikuese, më 25 mars, Kosova do ta luajë një ndeshje miqësore. Pas dy ndeshjeve më të vështira të saj, Kosova do të vazhdojë kampanjën në shtator, kur do t’i luajë tri ndeshje.

Më 2 shtator, Kosova luan në udhëtim ndaj Gjeorgjisë, derisa tri ditë më vonë e pret Greqinë. Më 8 shtator në “Fadil Vokrri”, Kosova luan kundër Spanjës, favorites absolute të grupit.

Në tetor Kosova do t’i ketë dy ndeshje. Luan kundër Suedisë në udhëtim më 9 tetor, dhe ndaj Gjeorgjisë në shtëpi më 12 tetor.

Kampanjën e dytë kualifikuese për botëror, Kosova e mbyll më 14 nëntor, kundër Greqisë në udhëtim.

Spanja e Suedia e kanë siguruar kualifikimin në Evropianin që do të mbahet verën e vitit të ardhshëm. Spanja ishte kampione e botës në vitin 2010, kurse Greqia kampione e Evropës në vitin 2004.

Në kampanjën e parë kualifikuese për Botëror, Kosova kishte marrë vetëm një pikë, ndaj Finlandës në udhëtim. Ndeshjet e tjera i kishte humbur. Këtë herë synohen shumë më tepër pikë. Ndërkohë, arritja në plejof do të ishte sukses i jashtëzakonshëm. Plejofin e garanton pozita e dytë, kurse e para dërgon në Botëror.

Edhe përzgjedhësi, Bernard Challandes, shpreson që në këtë cikël kualifikues për botëror, Kosova të mos përfundojë e fundit në grup.

“Nëse mund të luajmë me lojtarët më të mirë, atëherë mund të bëjmë një kampanjë të mirë kualifikuese. Një kampanjë të tillë e kemi pasur edhe në kualifikimet për Kampionatin Evropian, ku deri në dy ndeshjet e fundit kualifikimi ynë ishte i mundur. Kështu që shpresoj të njëjtën gjë ta bëjmë edhe në këto kualifikime për Botëror. Në përgjithësi është një grup i mirë dhe jam i kënaqur me të pasi e di saktësisht se në secilin grup kualifikimi do të ishte i vështirë. Mendoj se mund të bëjmë një punë shumë të mirë dhe mund ta ëndërrojnë edhe njëherë tjetër kualifikimin”, ka thënë Challandes për KOHËN.

Orari i ndeshjeve për të Kosovës për kualifikimet e Botërorit 2022: 

28 mars 2021 / Kosovë - Suedi

31 mars 2021/ Spanjë - Kosovë 

2 shtator 2021 / Gjeorgji - Kosovë 

5 shtator 2021 / Kosovë - Greqi 

8 shtator 2021 / Kosovë - Spanjë 

9 tetor 2021 / Suedi - Kosovë 

12 tetor 2021 / Kosovë - Gjeorgji 

14 nëntor 2021 / Greqi - Kosovë

Image