Spanja e Kosova do të përballen në kuadër të grupit B të kualifikimeve evropiane për Botërorin 2022 të futbollit. Spanja llogaritet favorite e madhe dhe nuk pritet të ketë telashe në fushën e blertë ndaj Kosovës.
Por jashtë fushës, komplikimet e natyrës politike janë të mundshme. Madje për to kanë shkruar menjëherë pas shortit, të hënën mbrëma, media të fuqishme spanjolle.
Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe në të kaluarën ka paraqitur telashe për sportistët kosovarë. Bëhet fjalë për ngjarje që janë mbajtur apo që është dashur të mbahen në Spanjë. Për shkak të telasheve të brendshme që ka, Spanja, mundohet të shmang përballjet me Kosovën, apo lidhjen me Kosovën në ndonjë mënyrë.
Në fakt në disa ngjarje Kosova është paraqitur e barabartë në territorin spanjoll. Por në disa kjo nuk ka qenë e mundur. Është varur shumë edhe nga forca dhe vendosmëria e asociacioneve ndërkombëtare të sportit, si organizatore të ngjarjeve në territorin e Spanjës.
Kualifikimet për Botëror nuk janë ngjarje që organizohet në Spanjë. Por nëse FIFA u përmbahet rregullave të saj, atëherë Kosova duhet të luaj njërën ndeshje kualifikuese për Botëror në territorin e Spanjës. Ndeshja tjetër duhet të luhet në Prishtinë. Pra Spanja duhet të vijë e të luaj në Prishtinë, të respektoj himnin e flamurin. Këtë duhet ta bëj edhe në ndeshjen si nikoqire.
Spanja ka ndikim në botën e sportit, por FIFA është edhe më e fortë. Dhe në Federatën e Futbollit të Kosovës shpresojnë që nuk do të ketë komplikime të natyrës politike sa i takon ndeshjeve me Spanjën.
Ka pasur të tilla në të kaluarën, edhe sa i takon futbollit.
Në mars të vitit të kaluar, në Spanjë është dashur të organizohej turneu i grupit të pestë të raundit elit të kualifikimeve evropiane për grupmoshën U-17. Spanja nuk kishte pranuar që të lejoj shfaqjen e simboleve të Kosovës në atë turne. Kështu UEFA ia mori të drejtën e organizimit të turneut Spanjës dhe vendosi që ndeshjet të luhen në Zvicër. Në grup pos Spanjës ishin edhe Greqia e Ukraina, dy vende tjera që nuk e pranojnë Kosovën.
Telashe për sportistët kosovarë kishte pasur në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”. Kishte pasur zhvillime dramatike, që në fakt ishin mbajtur larg publikut. Për herë të parë Kosova po paraqitej në Lojërat Mesdhetare dhe prezantimi me simbole shtetërore ishte sfidë.
Pak orë para hapjes së Lojërave Mesdhetare, organizatorët kishin thirru në takim drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës. Atyre u ishte thënë se nuk mund të parakalohet në ceremoninë hapëse me flamur të Kosovës. U ishte thënë të jetë vendim i Qeverisë së Spanjës, shkaku i mundësisë së eskalimit të disa protestave të katalonjasve që po mbaheshin në afërsi të stadiumit ku ishte ceremonia. Në fakt autoritetet spanjolle nuk kishin lënë opsion – ose parakalim pa flamur ose largim i Kosovës nga ngjarja. Drejtuesit e KOK-ut kishin pranuar që të parakalohet me flamur të Komitetit Olimpik të Kosovës, por disa sportistëve u ishin dhënë flamuj të Kosovës, fshehtas. Ata flamuj ishin shpalosur gjatë ceremonisë dhe Komiteti i Lojërave Mesdhetare kishte dënuar Kosovën për këtë, me mospjesëmarrje në disa Asamble.
Në gara, xhudistët fituan medalje që në hapje. Dhe fillimisht u shpalos flamuri dhe u intonua himni i Kosovës. Por në ditën e dytë, kur u fituan medalje tjera, u shpalos flamuri i KOK-ut e jo ai i Kosovës.
Vjet në Spanjë garoi edhe përfaqësuesja e Kosovës në hendboll. Madje hendbollistët garuan në ngjarjen më të madhe të mundshme, në Botërorin e grupmoshës së juniorëve.
“Ka pasur fjalë se mund të kemi telashe të natyrës politike. Por jemi angazhuar me kohë që mos të na bëhet ndonjë befasi e hidhur. Kemi qenë në koordinim të rregullt dhe shumë korrekt me IHF-në, por edhe Federata Spanjolle e Hendbollit ishte në nivel. Flamuri ynë është shfaqur në dy palestrat në Spanjë prej ditës së parë e deri në ditën e fundit të Botërorit. Himni ynë është intonuar para secilës ndeshje. Trajtimi ka qenë si për të gjitha përfaqësueset tjera”, ka thënë Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Mediat spanjolle kanë shkruar se shteti i Spanjës sërish do të sfidohet me ndeshjet e futbollit me Kosovën. Gazeta e njohur, AS, ka përmendur situatën politike.
“Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njeh Kosovën. Dhe kur Kosova të vijë të luaj, do të kërkoj, me ndihmën e FIFA-s, që të prezantohet me flamur e himn. Kjo do ta sfidojë Qeverinë e Spanjës, por do të jetë vështirë të shmangët dhe do të gjeneronte me konflikt”, ka shkruar AS. Gazeta spanjolle e ka përmendur edhe mundësinë që ndeshja e Spanjës me Kosovën të luhet në terren neutral.
AS ka shkruar edhe për kërcënimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për të mos i dhënë Spanjës organizimin e ngjarjeve sportive, pas telasheve që i shkaktoi sportistëve të Kosovës në Lojërat Mesdhetare dhe për Botërorin e karatesë.
Gazeta El Periodico ka shkruar se qeveria e kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez ka zbutur tensionet me Kosovën në muajt e fundit. Sipas kësaj gazete, qeveria e kaluar nuk ka dashur të dëgjojë për Kosovën, për të evituar krahasimet me Katalonjën.
Në Federatën e Futbollit të Kosovës, janë të bindur që Spanja do të vjen në Prishtinë dhe që ndeshja tjetër do të luhet në territorin spanjoll.
“Ne luajmë në Spanjë, spanjollët vijnë në Kosovë”, ka thënë kryetari i FFK-së, Agim Ademi, për KOHËN.
“Besoj që institucionet ndërkombëtare do të insistojnë, por edhe Spanja do të ketë tolerancë. Por të shohim deri në mars”, ka shtuar i pari i futbollit kosovar.
Edhe Greqia e Gjeorgjia nuk e njohin Kosovën. Por me Greqinë, Kosova nuk ka pasur telashe të kësaj natyre dhe nuk pritet të ketë. Ndërkohë ka mbetur të sqarohet situata me Gjeorgjinë.
Jo shumë kohë më parë, Moldavia kishte refuzuar të pres Kosovën. Ndeshja Moldavi – Kosovë ishte luajtur në territor neutral, në Itali. Janë disa vende që nuk njohin shtetin e Kosovës e që bëjnë probleme të natyrës politike. Por ka plot shtete që nuk e njohin Kosovën, por që në sport nuk paraqesin probleme për prezantimin e saj.
FIFA nuk lejon përballjet e Kosovës me Serbinë, Rusinë e Bosnjë-Hercegovinën, për të shmangur situata të vështira. Por lista e vendeve që mund të shkaktojnë telashe është më e gjatë.
-
Nga: Arsim Maxhera
-
8 dhjetor 2020 10:10
-
Shpërndaje në: