Sport

Ndeshja e mbetur e xhiros së parë të Superligës në futboll luhet të enjten

Ndeshja e mbetur e xhiros së parë të Superligës së Kosovës në futboll, ndërmjet Dritës dhe Llapit do të zhvillohet të enjten. Ky duel do të luhet në Gjilan prej orës 13:00.

Kjo ndeshje ishte shtyrë për shkak të angazhimeve të Dritës në garat kualifikuese të Ligës së Evropës. Krahas duelit me Llapin, Drita ka të pazhvilluara edhe ndeshjen me Prishtinën, e cila i takon xhiros së tretë. Kampionia në fuqi, Drita, edhe këtë edicion ka treguar formë të mirë dhe aktualisht zë vendin e dytë në tabelë me 30 pikë, pesë më pak se Ballkani që është lider.

Llapi ka pasur një start të dobët dhe zë vendin e parafundit në tabelë me vetëm 11 pikë. Në 14 ndeshje të luajtura këtë sezon, Llapi ka regjistruar vetëm tri fitore. Ndeshja ndërmjet këtyre dy ekipeve në Podujevë është mbyllur me fitoren e ngushtë të Dritës (2:1).