Sport

Barcelona nuk ka humbur nga Atletico në 20 ndeshjet e fundit në ligë

Barcelona do të udhëtojë te Atletico Madridi të shtunën në mbrëmje dhe synon ta vazhdojë serinë pozitive kundër këtij ekipi në La Liga.

“Blaugrana” nuk di për humbje kundër Atleticos në 20 ndeshjet e fundit në ligë, një seri që ka nisur para se Diego Simeone ta marrë drejtimin e “Los Rojiblancos”. Hera e fundit që Atletico Madridi mposhti gjigantin Katalan në ligë ka qenë në shkurt të vitit 2010, kur Simao dhe Diego Forlan shënuan për Atleticon, e Zlatan Ibrahimoviqi realizoi për Barcelonën. Duhet nënvizuar se Atletico e ka mundur Barcelonën në tri ndeshje, përfshirë duelet në Ligën e Kampionëve në fazën e nokautit në vitin 2014 dhe 2016. Atletico fitoi ndaj Barcelonës edhe në edicionin e kaluar, por në Superkupën e Spanjës, që ishte ndeshja e fundit e trajnerit Ernesto Valverde në krye të Barcelonës në muajin janar.