Sport

Gjermania përkrah Lowin pavarësisht humbjes turpëruese

Foto: Reuters

Përzgjedhësi i Gjermanisë, Joachim Low, nuk është në rrezik që të humbë vendin e tij të punës pas humbjes turpëruese nga Spanja 6:0 në Ligën e Kombeve të martën.

“Die Mannschaft” pësuan humbjen më të thellë që nga humbja 6:0 ndaj Austrisë më 1931.

Ferran Torres shkëlqeu për Spanjën me tregolësh.

Low mori menaxhimin e kombëtares gjermane pas Botërorit të vitit 2006 dhe e udhëhoqi ekipin drejt Kampionit të Botës më 2014.

Shtimi i kritikave ndaj tij për formën e fundit dhe rezultatet shokuese, ka bërë që të ketë spekulime për pozitën e tij.

Megjithatë, Oliver Bierhoff, drejtor i kombëtares, ka reaguar shpejt duke thënë se 60-vjeçari do të mbetet pjesë e kombëtares gjermane.

“Sigurisht që po. Kjo lojë s’ndryshon asgjë. Do të vazhdojmë t’i besojmë Joachim Lowit, s’ka dyshim këtu”, ka thënë ai kur është pyetur nga ARD nëse Lowi do të jetë trajner i Gjermanisë edhe në Euro 2020, por që do të luhet më 2021. “Kur bëhet fjalë për përzgjedhësin e kombëtares, duhet të mendosh dhe analizosh nga kampionati në kampionat. Duam të arrijmë maksimumin në Evropianin e ardhshëm”.

Hansi Flick është përmendur si kandidat i mundshëm për të zëvendësuar Lowin.