Sport

Hamiltoni ende po rritet brenda dhe jashtë shtegut të garave

Descriptive Text

Fjalët “Ende në ngritje” gjenden në tatuazhin e madh në shpatullën e Lewis Hamiltonit dhe kanë qenë dëshmi për këtë vit, si në aspektin sportiv ashtu edhe më të gjerë, shkruan Reuters.

Piloti i Mercedesit sot ka siguruar titullin e shtatë të Formula 1, tri gara pa mbaruar stinori, duke u ngritur në lartësi të reja dhe u bërë garuesi më i suksesshëm i të gjitha kohërave. Sigurisht se gjëra tjera pritet të vijnë nga ai.

“Unë po ndjej sikur vetëm sa kam filluar”, ka thënë Hamilton, pasi fitoi garën e të dielës, që ishte fitorja e 94-të në karrierë në F1, një rekord.

Vetëm legjenda Michael Schumacher ka fituar shtatë tituj, shifër që e arriti sot Hamilton. Por, Hamilton e ka kaluar Schumacherin sa i përket fitoreve në gara në Formula 1, triumfe në gara kualifikuese e po ashtu ngjitje në podium.

Mirëpo, shifrat tregojnë një pjesë të stories së madhe – ngritjes së Hamiltonit nga një garues në një figurë botërore, nga një sportistë në një zëdhënës.

Para fillimit të stinorit, 35-vjeçari tregoi dizajnin e ri të helmetës – në të cilën kishte të shkruar “Prapë ne ngrihemi”.

2020 ka qenë vit ku britaniku ka përdorur platformën e tij si mundësi për të bërë që zëri i tij të dëgjohej në tema nga padrejtësia racore, deri te diversiteti e po ashtu ambienti.

Hamilton tash është vetëm një pjesë e botës që ulet në një gju para çdo gare, duke mbajtur fanellën “Black Lives Matter” dhe duke bërë kampanjë për padrejtësitë racore.

Ai ka krijuar një komision të ekspertëve për të ndihmuar që të rritet përfaqësimi i zezakëve në motorsporte në Britani dhe ka marrë një ekip në serinë me vetura elektrike Formula E për të vënë në pah temën e ngrohjes globale.

Në një intervistë së fundi për Sky Sports, ai ka treguar për ndikimin e legjendës së boksit Muhammad Ali, dhe ai ka thënë se nuk e ka ndërmend të jetë vetëm më i madhi, por edhe të ngre zërin për diçka.

“Nuk dua të shpenzojë kohën time këtu, vetëm për të fituar çmime e tituj. Sigurisht se fitimi i titullit është diçka e mirë, por nuk ka qenë gjëja më e rëndësishme për mua”, ka thënë Hamilton.

I pyetur javën e kaluar për mundësinë e fitimit të titullit të shtatë, Hamilton ka thënë se është më krenar me fushatën e tij.

Shefi i Mercedesit, Toto Wolff, ka thënë se Hamilton është rritur si personalitet.

“Ka tema që i ka shumë për zemër dhe për shkak të audiencës së madhe që ka, e ka kuptuar se ka zë dhe se dëshiron të dëgjohet zëri i tij. Mendoj se kjo është e pranueshme absolutisht”, ka thënë Wolff.

Piloti i Ferrarit, Sebastian Vettel, e ka quajtur Hamiltonin më të madhin të epokës së tij, por se është e vështirë të krahasohen epokat.

“Ai është më i madhi i epokës sonë, kjo është e sigurt. Por është e vështirë të krahasohen epokat – si mund të krahasosh Juan Manuel Fangion e Striling Mossin me gjeneratën tonë? Nuk mundesh. Për mua emicionalisht Michael Schumacheri gjithmonë do të jetë më madhi, por nuk ka dyshim se Lewisi është më i madhi sa i përket asaj që ka arritur. Ka barazuar rekordin e titujve, ka fituar më tepër gara dhe ka fituar dukshëm më tepër gara kualifikuese”.