Sport

Shpresat sërish me shumë mungesa shkaku i COVID-19

Alban Ajdini qëndroi për dy javë i izoluar me t’u kthyer në Zvicër pas grumbullimit me përfaqësuesen U-21 të Kosovës për dy ndeshjet e muajit të kaluar, atë kundër Austrisë dhe Andorrës. Ajdini u ftua sërish nga përzgjedhësi Rafet Prekazi për ndeshjen kundër Shqipërisë, që e luan të premten në “Fadil Vokrri” dhe atë kundër Turqisë në Samsun. Por Ajdini, që luan për Servetten, do t’iu mungojë “Dardanëve” të rinj këtë muaj, pasi në testin për koronavirus ka rezultuar pozitiv. “Kam dalë sërish pozitiv”, ka thënë Ajdini të mërkurën për KOHËN.

Shkaku i koronavirusit nuk ka mundur të grumbullohet me Shpresat e Kosovës as Donat Rrudhani i ekipit tjetër nga Zvicra, Aarau. Rrudhani është izoluar dhe nuk është lejuar të udhëtojë drejt Kosovës me arsyen se disa bashkëlojtarë të tij kanë rezultuar pozitivë në testin për COVID-19. Por këta dy futbollistë nuk janë të vetmit që shkaku i koroanvirusit do t’i mungojnë Kosovës për ndeshjet e këtij muaji në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2021”. Menaxheri i përfaqësueses së Kosovës U21, Zgjim Sojeva, ka theksuar se para se të shpallej lista e lojtarëve, pozitiv në njërin prej testeve të bëra për koronavirus ka dalë edhe Ermal Krasniqi i Ballkanit. Pozitiv ka dalë edhe Fuad Rahimi i Vaduzit, që po ashtu është një mungesë e madhe.

“Edhe Gëzim Pepsi ka qenë i paraparë të vinte për këtë ndeshje, por nuk është lëshuar nga klubi për shkak të mungesave dhe të infektuarave me koronavirus. Klubi i tij ka ndeshje këto ditë dhe synon të ngrihet në elitë. Ndërkohë, Edi Sylisufaj nuk ka ardhur me arsyetimin se dëshiron të mbetet pjesë e klubit dhe të stërvitet për ta kthyer vendin e titullarit. Destan Bajselmani është në listë, por është lënduar dhe do të mungojë dhe shkaku i mungesave janë ftuar Ramiz Bytyqi, Almir Kryeziu dhe Valmir Veliu. Kemi edhe mungesat e konfirmuara më herët të Eris Abedinit, Kreshnik Hajrizit, Lirim Kastratit dhe Mirlind Dakut”, është shprehur Sojeva.

Në fakt, në grumbullimin e muajit të shkuar Eris Abedini, Florian Smakiqi, Kreshnik Hajrizi dhe Lirim Kastrati dolën pozitiv në COVID-19, kurse Daku është grumbulluar me përfaqësuesen A të Kosovës, tek e cila debutoi në miqësoren ndaj Shqipërisë. Kosova për dy ndeshjet e këtij muaji ka tri ditë që ka nisur përgatitjet, por vetëm të mërkurën ka qenë e kompletuar. Në stërvitje i janë bashkuar Valmir Veliu, Qëndrim Zyba, Bujar Pllana dhe Florian Smakiqi. Të gjithë futbollistët janë bashkuar me vonesë shkaku i angazhimit në ndeshjet e xhiros së 12 të Superligës së Kosovës në futboll që u luajtën të martën dhe mërkurën. Stërvitjen e fundit para ndeshjes kundër Shqipërisë, Kosova do ta zhvillojë të enjten (17:30) në stadiumin “Fadil Vokrri”, në të cilin të premten edhe do të zhvillohet ndeshja.

Para stërvitjes të së mërkurës, lojtarët dhe stafi i përfaqësueses janë testuar për koronavirus derisa rezultatet do t’i marrin të enjten në mëngjes. Frika te Kosova është se mund të dalë edhe dikush tjetër i infektuar me koronavirus.

“Prej klubeve të Kosovës janë ftuar plot 12 lojtarë, që është ndoshta edhe numri më i madh ndonjëherë. Por këtë na ka diktuar edhe situata me koronavirus. Frika sigurisht se ekziston, derisa jemi në kohë pandemie dhe prandaj kemi ftuar 25 lojtarë. Madje, të mërkurën na janë bashkuar edhe dy portierët Agron Kolaj dhe Laurit Beluli, pikërisht për të mos ardhur deri te një situatë që mund të na rrezikohej ndeshja. Ka qenë një sfidë e madhe për ne kjo kohë pandemie. Kemi pasur mungesa të mëdha që janë ndier”, ka thënë Sojeva.

Ai ka shtuar se shumica e futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet e fundit të ciklit aktual kualifikues për kampionatin Evropian “Euro 2021” janë ftuar lojtarë të lindur në vitet 2000, 2001 dhe 2002. Edhe vetë përzgjedhësi i Kosovës, Rafet Prekazi, thotë se dy ndeshjet e fundit do të jenë testuese për disa lojtarë që të bëhen gati për ciklin e ardhshëm kualifikues.

“Nuk e di si do ta kemi situatën me koronavirus. Do ta shoh pasi t’i pranojmë rezultatet e fundit. Por secili që do ta ketë rastin të luajë, pres të japë maksimumin. Janë futbollistë të rinj, por dua ta shoh situatën si do ta kemi për ciklin e ardhshëm. Qëllimi është ripërtërija e ekipit. Pres rezultate pozitive në dy ndeshjet”, ka thënë Prekazi për KOHËN.

Kosova është e katërta në Grupin 3. Në tetë ndeshje ka fituar nëntë pikë, derisa lidere e grupit është Anglia me 22 pikë të mbledhura. Austria është në pozitë të dytë me 15 pikë, kurse Shqipëria e treta me 11 pikë. Në pozitë të parafundit është Turqia me shtatë pikë, kurse Andorra e fundit me pesë pikë.