Sport

Vëllazërorja Shqipëri – Kosovë, e padëshiruar në këtë fazë nga Reja dhe Challandesi

Descriptive Text

Shqipëria dhe Kosova do të përballen në miqësoren e së mërkurës, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”. Ky duel vjen para ndeshjeve të rëndësishme që do t’i kenë “kuqezinjtë” dhe “dardanët” në kuadër të Ligës së Kombeve.

Por miqësorja, që ndryshe quhet edhe vëllazërore, nuk ka qenë e dëshirueshme në këtë fazë për trajnerin e Shqipërisë, Edi Reja, por edhe atë të Kosovës, Bernard Challandes.

Në konferencën për media, një ditë para ndeshjes, Reja ka deklaruar se nuk ka qenë momenti i miqësores dhe po të pyetej nuk do të luante ndaj Kosovës në këtë moment.

se nuk do të doja të luaja me Kosovën në këtë moment. Por të them të drejtën ishte e vetmja skuadër në dispozicion, pasi e dini që ne patëm një ndeshje me Gjibraltarin dhe humbëm edhe miqësore me Armeninë shkaku i situatës jo të mirë. Kjo ishte data e përcaktuar nga UEFA dhe ne duhej të luanim dhe na erdhi mundësia të luanim me Kosovën, por nuk ishte momenti ideal”, tha Reja, i cili theksoi se dueli ndaj Kosovës do të shërbejë edhe për eksperimente në formacion.

“Tifozët e ndiejnë shumë këtë ndeshje. Unë do të hedh në fushë një ekip kompetitiv, për të bërë disa teste para ndeshjeve zyrtare në Ligën e Kombeve që janë shumë të rëndësishme për ne. Unë pres që të jetë ndeshje miqësore dhe lojtarët të jenë sa më të motivuar, pa kaluar limitet e ndeshjes miqësore dhe uroj të jetë atmosferë e mirë”, theksoi italiani.

Portieri i Shqipërisë, Etrit Berisha, ka deklaruar në konferencën për media se po të ishte ndeshje kualifikuese kjo ndaj Kosovës, do të ishte e vështirë për të dhe lojtarët e tjerë. Ai është ithtar që shqiptarët ta kenë një ekip.

“Nuk është e lehtë, por kur kemi parasysh se është një vëllazërore ashtu siç thuhet, atëherë gjërat janë më të qeta. Mirëpo nëse do të kishim luajtur në një kualifikim apo ndeshje shumë të rëndësishme, e që mund të ndodhë shumë shpejt, atëherë do të ishte shumë e vështirë, pasi për mua Kosova dhe Shqipëria janë një vend dhe gjithmonë kam shkuar me atë bindjen që t’i përfaqësoj të gjithë shqiptarët. Dhe shpresoj që në të ardhmen të bëhet një ekip, pasi emrat që janë te Kosova dhe Shqipëria po të bëheshin një ekip, do të bëhej ekip super dhe do ta kishin respektin dhe frikën gjithë Evropa. Fatkeqësisht, gjendemi në një moment tjetër dhe duhet ta luajmë vëllazëroren e cila do të jetë një ndeshje e mirë”, u shpreh Berisha.

Një ditë para ndeshjes miqësore kundër Shqipërisë, në konferencë për media doli edhe përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, i cili deklaroi se dueli me Kombëtaren e Shqipërisë nuk ka qenë i domosdoshëm që të zhvillohet në këtë fazë, për shkak të situatës me pandeminë.

Ai e ka vlerësuar lart Shqipërinë dhe pret ndeshje të vështirë. Për rezultate jo të mira në ndeshjet e fundit, Challandesi fajin ia ka lënë përballjes me Maqedoninë e Veriut.

"E kemi të qartë, nuk është aspak një situatë e lehtë, po përballemi me koronavirusin. Besoj nëpër vështirësi të njëjta është duke kaluar edhe Kombëtarja e Shqipërisë. Për mua nuk ka qenë patjetër që të zhvillohet kjo ndeshje. Shqipëria është një ekip shumë i mirë, ka lojtarë që luajnë në liga të forta dhe ka lojtarë që janë shumë kualitativë", theksoi trajneri i Kosovës. “Është e qartë se pse nuk kemi fituar në ndeshjet e këtij sezoni të Ligës së Kombeve, pasi që kemi qenë të fokusuar vetëm te Maqedonia e Veriut", tha Challandes.

Trajneri zviceran ka folur edhe për sulmuesin Mirlind Daku, i cili ka shënuar 17 gola në 10 ndeshje, duke e fituar një vend në Përfaqësuesen A për duelet e nëntorit.

“Daku ka luajtur ndeshje të mira, është i ri dhe ka shënuar shumë gola. Kështu që më duhej ta ftoja. Për mua është e rëndësishme t’i ftoj lojtarët më të mirë, jo për t’u dhënë kënaqësi. Pasi nuk kemi shënuar shumë gola me Kombëtaren dhe ai ka shënuar, kjo është arsyeja që e kemi ftuar. Dua të kem konkurrencë sa më shumë në ekip”, u shpreh Challandes.

Challandes ka shtuar se qendërmbrojtësi Betim Fazliji do të mungojë në ndeshjet ndaj Sllovenisë dhe Moldavisë në Ligën e Kombeve, për shkak të mungesës së dokumentacionit. Megjithatë, nuk ka përjashtuar mundësinë e aktivizimit të tij ndaj Shqipërisë.

Qendërmbrojtësi Amir Rrahmani e ka vlerësuar përballjen me Shqipërinë si ndihmë për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Rrahmani mungoi në ndeshjet e muajit tetor, pasi nuk u lirua nga autoritetet shëndetësore të Napolit.

“Secila ndeshje do të jetë e rëndësishme. Dueli me Shqipërinë do të na ndihmojë të përgatitemi për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve. Kështu që të gjitha ndeshjet do të na ndihmojnë të përgatitemi edhe më mirë për kualifikimet e Kampionatin Botëror”, tha Rrahmani.

Shqipëria dhe Kosova nuk po kalojnë formë të mirë. “Kuqezinjtë” kanë dy brazime dhe një humbje në tri ndeshjet e fundit, duke mos arritur të realizojnë asnjë gol.

Në anën tjetër, “Dardanët” nuk kanë shënuar fitore në tetë takime radhazi, ku kanë pësuar gjashtë humbje dhe kanë arritur dy brazime. Triumfi i fundit ishte para më shumë se një viti ndaj Malit të Zi, më 14 tetor 2019.

Ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës do të luhet të mërkurën nga ora 16:00 në stadiumin “Elbasan Arena”.