Sport

Derbi gjerman i gjen ekipet me pikë të barabarta

Foto: Reuters

Të shtunën, në orën 18:30, do të luhet derbi gjerman ndërmjet Borussia Dortmundit dhe Bayern Munichut, takim ky që i takon xhiros së shtatë në Bundesligë.

“Der Klassiker” i gjen skuadrat me nga 15 pikë në krye të tabelës, por që Bayerni është i pari me goldallim më të mirë se Dortmundi.

Për shkak të rritjes së rasteve me koronavirus në Gjermani, kjo ndeshje do të luhet pa praninë e shikuesve.

Ekipet e Bundesligës janë mësuar me një gjë të tillë, dhe kjo nuk do të jetë hera e parë që këto dy skuadra do ta zhvillojnë një “ndeshje fantazmë”.

Në muajin maj të këtij viti Bayerni e mposhti Dortmundin 1:0, falë golit të shkëlqyer nga Joshua Kimmich.

Ballafaqimi i së shtunës do të jetë i 103-ti në total ndërmjet Dortmundit dhe Bayernit në Bundesligë.

Bavarezët kanë 48 fitore, Dortmundi ka 25, ndërsa 29 herë skuadrat janë ndarë baras. Në vitet e fundit Bayerni ka qenë shumë dominues ndaj “verdhezinjve”. I ka fituar shtatë nga dhjetë takime.

Trajneri i Dortmundit, Lucien Favre, beson në mbrojtjen e fortë, më të mirën në ligë. I ka pranuar vetëm dy gola në gjashtë ndeshje. Megjithatë, përballë do ta ketë skuadrën me sulmin më të fortë, atë që drejtohet nga Hansi Flick. Bayerni ka shënuar 24 gola në gjashtë ndeshje në elitën e futbollit gjerman.

Të dyja skuadrat kanë në përbërje sulmues të klasit botëror. Lewandowski i ka shënuar 10 gola në pesë ndeshje të Bundesligës. Mungoi në duelin e kaluar të Bayernit. Edhe kundër Dortmundit, polaku ka formë të mirë me 18 gola në 21 paraqitje kundër ish-skuadrës.

Dortmundi e ka Erling Haalandin, norvegjezin që është kthyer në makth për skuadrat kundërshtare. Ish-futbollisti i Red Bull Salzburgut u transferua në janar te milionerët dhe e mbylli sezonin me 13 gola në 15 paraqitje. Në sezonin e ri i ka pesë gola në pesë lojë në Bundesligë.

Bavarezët në vitin 2020 kanë lëshuar pikë vetëm në dy ndeshje, ndërsa humbjen e vetme e pësuan në shtator kundër Hoffenheimit. Duhet përmendur faktin se trajneri Hansi Flick në vitin e parë në krye të Bayernit i fitoi gjithë titujt e mundur.