Sport

Shpërthimi i Dakut erdhi pas periudhave shumë të vështira tek Osijeku e Kukësi

Descriptive Text

Sulmuesi i Ballkanit, Mirlind Daku, po kalon momente të mira të karrierës. Në nëntë ndeshje ai ka shënuar 15 gola, shifër që nuk e ka arritur asnjë futbollist në rajon e ndoshta edhe më gjerë.

Sulmuesi nga Gjilani ka shënuar më shumë se gjysmën e golave për skuadrën e tij, e cila në total ka realizuar 26 gola. Falë golave të Dakut dhe pjesës tjetër të ekipit, Ballkani renditet në vendin e parë me 22 pikë, pas fazës së parë të garave, me gjashtë pikë më shumë se Drita, që megjithatë, ka dy ndeshje më pak të luajtura.

Daku e pranon se nuk e kishte pritur një start kaq të mirë, shkruan KOHA.

“Një start kaq të mirë nuk e kam pritur. Por, kam qenë i bindur se do ta kem një sezon më të mirë sesa më herët që kam pasur. Në formën time kanë gisht bashkëlojtarët, trajnerët dhe drejtuesit e klubit”, tha Daku.

Jo gjithnjë ka ecur mbarë për Dakun. 22-vjeçari kishte menduar që të tërhiqet nga futbolli. Ai tregon se nuk donte që të ishte më barrë e familjes.

“Kam pasur mendime që ta fillojë një punë tjetër, pasi e kisha bërë një moshë kur nuk ishte më koha që të kërkojë para te shtëpia, por të filloj të mbaj veten. Kam pasur momente të këqija, pasi besimin nuk ma kanë dhënë këtu (në Gjilan v.j.) që të vazhdoj me futboll. Kam pasur momente kur kam thënë mos të vazhdoj me futboll, edhe pse unë kam besuar gjithmonë në vete”, u shpreh futbollisti i Ballkanit.

Daku ishte pjesë e grupmoshave të reja të Gjilanit, si dhe për gjashtë muaj luajti me të rinjtë e Dritës. Ai thotë se nuk gjeti përkrahje në klubet e qytetit të lindjes. Madje, kur bëheshin përzgjedhjet për ndeshje dhe Daku nuk ishte pjesë e ekipit, ai menjëherë ikte drejt shtëpisë duke qarë.

“Në ato raste kur bëheshin ato seleksionimet dhe të tregonte trajneri që nuk je pjesë e ekipit, unë e kam pasur shtëpinë afër, dhe nuk shkoja fare në stadium për t’u ndërruar, teshat në krah edhe kam shkuar duke qarë deri në shtëpi. Ka pasur momente tmerruese për mua, por falë Zotit ia kam dalë”, deklaroi Daku, i cili theksoi se ata që nuk besuan në talentin e tij, po e kanë problem t’i dalin përballë.