Sport

Peja e vendosur për fillim të furishëm

Pas eliminimit që në çerekfinale të turneut të Superkupës së Kosovës në basketboll, te Peja janë të vendosur për fillim të mbarë në kampionat. Këtë e thotë trajneri nga Kroacia, Edi Xhelalija, që tashmë ka nisur punën me skuadrën pejane.

Peja ka pretendime të mëdha në edicionin 2020/2021 të Superligës, që fillon të mërkurën (sot).

Skuadra pejane në Superkupë u eliminua nga Bashkimi (105:79), kurse kampionatin do ta hapë kundër Sigal Prishtinës, që e fitoi Superkupën.

Ndeshja mes Pejës dhe Prishtinës zhvillohet të mërkurën (sot) në palestrën “Karagaçi” dhe nis në orën 19:00.

Trajneri Xhelalija ka vetëm pesë stërvitje me ekipin pejan. Ai pret paraqitje më të mirë se në Superkupë. Sipas tij, e rëndësishme në këtë përballje është që ekipi të angazhohet dhe basketbollistët të japin më të mirën nga vetja ndaj Prishtinës.

Prishtina nuk ka angazhuar asnjë lojtar të huaj derisa Peja ka angazhuar Sedin Karavdiqin e Robert Cartwrightin. Të martën Peja ka prezantuar edhe përforcimin e ri, qendrën nga Mali i Zi, Marko Peroviq.

“Ka disa ditë që kam ardhur dhe me ekipin kam mbajtur disa stërvitje, por sa i përket ligës dhe ekipeve tjera, mund të them se i njoh, për shkak së i kam përcjellë, përfshirë këtu edhe ndeshjet e fundit. Ndaj Prishtinës synojmë të paraqitemi më mirë se kundër Bashkimit. Ekipi po formohet gradualisht dhe do t’i bëjmë edhe disa rokada, por shpresoj që virusi mos të na ndalojë. Me vjen shumë keq për tifozët, të cilët janë shumë të rëndësishëm për ekipin tonë”, ka thënë Xhelalija që ka zbuluar edhe synimet e Pejës për sezonin e ri. “Pres të luajmë mirë, të angazhohemi, lojtarët të japin maksimumin për qytetin e Pejës. Me rëndësi është të bëjmë të ditur se Peja si ekip ende po ngrihet dhe jemi në rrugë të mirë. E nëse nuk na ndërpret koronavirusi, atëherë kur do të luftohet për trofe në muajin mars apo prill, dua të jemi më të mirët. Ky është synimi i përgjithshëm këtë edicion, e deri atëherë do të shkojmë ndeshje pas ndeshjeje duke ngritur formën gradualisht”.

Të mërkurën (sot) në të njëjtën kohë do të zhvillohet edhe ndeshja në palestrën “Mizahir Isma” ndërmjet Rahovecit dhe Vëllaznimit, ekipit të rikthyer në Superligë pas tre vjetësh në Ligën e Parë. Si Rahoveci ashtu edhe Vëllaznimi kanë angazhuar nga tre të huaj dhe synojnë rezultate të mira në edicionin e ri. Vëllaznimi në Superkupë u eliminua në çerekfinale nga Prishtina, skuadër që e mposhti edhe Rahovecin në gjysmëfinale.

Te Prishtina kanë paralajmëruar se ndaj Pejës do të kërkojnë fitore për ta nisur edicionin në mënyrën më të mirë të mundshme. Te kryeqytetasit nuk është e sigurt paraqitja e Edmond Azemit e Fisnik Rugovës, që janë të lënduar.

“Pas triumfit në Superkupë, ekipi ende nuk është rikuperuar mirë pasi nuk dihet nëse do t’i kemi në dispozicion dy lojtarët me përvojë, Azemin e Rugovën. Nuk do të jetë ndeshje e lehtë, Peja është tepër e fortë, mirëpo ne nuk do të dorëzohemi deri në fund. Na nevojiten ndeshje edhe më të forta në fillim të kampionatit që të përgatitemi edhe më mirë pasi ende nuk jemi gati edhe pse gjatë katër javëve të fundit kemi punuar shumë”, tha trajneri i Prishtinës, Andin Rashica.

Xhiroja e parë do të mbyllet të enjten në palestrën “Sezai Surroi” të Prizrenit, ku do të zhvillohen dy ndeshje. Prej orës 17:00, skuadra e Ponte Prizrenit e pret Golden Eagle Yllin. Këto ekipe u përballën edhe në çerekfinale të Superkupës, me Ponte Prizrenin që triumfoi. Ndërsa, nga ora 19:30 do të përballen Bashkimi dhe Trepça. Të mërkurën (sot) do të startojë edhe Superliga e femrave.

E mërkurë

Peja – S. Prishtina (19:00)

Rahoveci – Vëllaznimi (19:00)

E enjte

P. Prizreni – G.E. Ylli (17:00)

Bashkimi – Trepça (19:30)