Sport

Juventusi kërkon fitore ndaj Barcelonës

Descriptive Text

Trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo, sheh gjëra pozitive tek ekipi italian, edhe pse është përgatitur për ndeshjen e tij më të madhe, pa yllin kryesor, portugezin Cristiano Ronaldo.

Juventusi të mërkurën (sot) e pret në “Allianz Stadium” skuadrën e Barcelonës në ndeshjen që i takon raundit të dytë të Grupit G, të Ligës së Kampionëve. Paraqitja e Ronaldos në këtë ndeshje është e dyshimtë pasi portugezi ka më shumë se dy javë që ka qëndruar i izoluar për shkak se ishte prekur nga koronavirusi derisa ishte grumbulluar me Përfaqësuesen e Portugalisë për Ligën e Kombeve.

Ronaldo u testua javën e shkuar dhe sërish rezultoi pozitiv, gjë që pamundësoi përfshirjen e tij në ekip për ndeshjen kampionale kundër Veronas, të dielën, në të cilën Juventusi barazoi 1:1. Ronaldo është testuar sikurse pjesa tjetër e ekipit të Juventusit, të martën, dhe rezultatet pritet të dalin në ditën e ndeshjes me Barcelonën. Rezultatin e Ronaldos skuadra italiane ka të drejtë ta deponojë deri gjashtë orë para fillimit të ndeshjes me Barcelonën. Nëse portugezi rezulton negativ, atëherë do të përfshihet në ekip. Mirëpo Ronaldo gjithashtu do të duhej t’i nënshtrohej kontrollimit mjekësor për përgatitje fizike përpara se të marrë autorizimin për t’u paraqitur kundër Barcelonës. Portugezi nuk është stërvitur fare me pjesën tjetër të ekipit përgjatë dy javëve të fundit dhe trajneri Pirlo ka thënë se nuk ka asnjë opsion tjetër veçse të presë rezultatet e testeve.

Në të vërtetë Pirlo ka pranuar se edhe nëse Ronaldo del negativ, vështirë se portugezi do të mund ta përballonte ritmin e lojës për 90 minuta. Nëse Ronaldo do të paraqitej te Juventusi, atëherë do të ishte kjo përballja e tij e parë me Lionel Messin prejse u largua nga Real Madridi në vitin 2018.

“Ronaldo është testuar sikurse gjithë të tjerët dhe kur t’i marrim rezultatet përfundimtare do të kuptojmë nëse e ka tejkaluar virusin. Tani për tani gjithçka është në ajër dhe pasqyrën përfundimtare besoj se do ta kemi ditën e ndeshjes”, është shprehur Pirlo. “Në fakt, ditën e ndeshjes do të numëroj futbollistët në dispozicion. Gjithçka do të varet nga rezultati dhe pastaj do të veproj. Edhe nëse Ronaldo rezulton negativ, është vështirë që të luajë gjatë tërë ndeshjes për shkak se ka më shumë se 15 ditë që ai nuk ka qenë aktiv”.

Ronaldo, i cili ende nuk ka shfaqur simptoma, i ka munguar Juventusit në tri ndeshjet e fundit, përfshirë këtu edhe atë në kuadër të Ligës së Kampionëve javën e shkuar, të cilën e fitoi në udhëtim ndaj Dynamo Kievit (2:0) me golat e sulmuesit spanjoll Alvaro Morata. Juventusi nuk mund të llogarisë në mbrojtësit Girgio Chiellini, Leonardo Bonucci e Matthijs De Ligt, që të tre të lënduar.

“Kemi mungesa në mbrojtje derisa Weston McKennie që është shëruar nga koronavirusi nuk besoj se mund të aktivizohet në mbrojtje për shkak se ende nuk është mirë i përgatitur fizikisht”, është shprehur Pirlo. “Megjithatë, pres të kemi një paraqitje të mirë pasi gjatë përgatitjeve kam parë disa gjëra pozitive. Nuk është ndeshje vendimtare, por unë dua të shoh vlerat e këtij Juventusi”.

Për dallim prej Pirlos, mbrojtësi i Juventusit, braziliani Danilo në konferencën për shtyp është shprehur optimist para duelit me Barcelonën. Danilo ka insistuar se edhe nëse nuk paraqitet Ronaldo, ka besim se Juventusi mund ta fitojë këtë ndeshje. Edhe Barcelona e ka nisur me fitore Ligën e Kampionëve, javën e shkuar triumfoi në udhëtim ndaj Ferencvarosit (5:1).

“Është e natyrshme se mungesa e Ronaldos do të ndihet, por ne kemi lojtarë që mund të na ndihmojnë të kemi një paraqitje të mirë kundër Barcelonës dhe të triumfojmë. Ne duam të fitojmë këtë ndeshje dhe besoj se jemi të gatshëm”, është shprehur Danilo.

Ronaldo dhe Messi në të shkuarën janë përballur 35 herë mes vete në të gjitha garat, me argjentinasin që ka 16 fitore karshi dhjetë të portugezit derisa nëntë të tjera kanë përfunduar pa fitues. Sa i përket Ligës së Kampionëve, Ronaldo është më i suksesshëm se Messi. Ronaldo ka triumfuar pesë herë në këtë garë – katër herë me Realin dhe një herë me Manchester Unitedin – derisa Messi ka katër trofe me Barcelonën. Ronaldo ka shënuar 130 gola në Champions derisa Messi ka 116. Mirëpo Messi ka fituar gjashtë herë “Topin e Artë”, një herë më shumë se Ronaldo. Krahas duelit të Messit dhe Ronaldos që mbetet në dyshim, në Torino do të spikasë edhe ai i mesfushorëve Arthur Melo e Miralem Pjaniq. Këta të dy, para fillimit të këtij edicioni u shkëmbyen me Arthurin që iu bashkua Juventusit dhe Pjaniqin që shkoi te Barcelona. Pjaniq, që ka luajtur katër edicione te Juventusi dhe ka fituar katër tituj kampioni, ka thënë se është i gatshëm të përballet me ish-ekipin e tij. Ai ka thënë se ndihet krenar që gjatë karrierës ka pasur rastin të jetë bashkëlojtar me Ronaldon dhe tani me Messin.

“Jam shumë i lumtur që jam kthyer në Torino, por këtë herë është moment emocional sepse jam kundërshtar i Juventusit. Kam kaluar katër vjet fantastike te ky ekip, por këtu jam si lojtar i Barcelonës dhe i gatshëm për ta dhënë më të mirën për ekipin tim. Është një ndeshje normale, por e vështirë për shkak se po përballen dy skuadra të forta”, është shprehur Pjaniq. “Juventusi këtë edicion nuk ka pasur një start të mirë, por kjo nuk do të thotë se kundër nesh nuk do të bëjë një paraqitje madhështore. Edicioni është i gjatë, por ne duam më herët të sigurojmë kalimin nga faza e grupeve”.

Skuadra e Barcelonës në këtë ndeshje futet pas disfatës në “El Clasico”. U mposht në “Camp Nou” nga Real Madridi me rezultatin 3:1.

E mërkurë

Grupi E

Krasnodar – Chelsea (18:55)

Sevilla – Rennes (21:00)

1. Krasnodar 1 1

2. Rennes 1 1

3. Sevilla 1 1

4. Chelsea 1 1

Grupi F

Borussia D. – Zenit (21:00)

C. Brugge – Lazio (21:00)

1. Lazio 1 3

2. C. Brugge 1 3

3. Zenit 1 0

4. Borussia D. 1 0

Grupi G

Ferencvarosh – Dynamo K. (21:00)

Juventus – Barcelona (21:00)

1. Barcelona 1 3

2. Juventus 1 3

3. Dynamo K. 1 0

4. Ferencvaros 1 0

Grupi H

Istanbul B. – PSG (18:55)

Man. Utd – RB Leipzig (21:00)
 

1. RB Leipzig 1 3

2. Man. Utd 1 3

3. PSG 1 0

4. Istanbul B. 1 0