Sport

Kosova e trimëruar, shpreson në përballje me dinjitet ndaj superfuqisë së futbollit

Përzgjedhësja Afërdita Fazlija dhe futbollistet e përfaqësueses së Kosovës pranojnë se i pret përballja më e vështirë në ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian të vitit 2021, ajo ndaj Holandës.

Por si Fazlija ashtu edhe futbollistet kanë thënë se kundër nënkampiones aktuale të botës dhe kampiones aktuale të Evropës nuk do të futen me flamur të bardhë.

Këtë “trimëri” e kanë fituar pas rezultateve pozitive në dy ndeshjet e fundit, barazimit pa gola ndaj Turqisë në udhëtim dhe fitores së mëhershme në Prishtinë kundër Estonisë.

Megjithatë Fazlija thotë se kundër Holandës do të jetë krejtësisht ndeshje tjetër.

Kosova të martën (19:00), në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, e pret Holandën që e ka siguruar si e para e Grupit A kualifikimin në “Euro 2021”.

Holanda është lidere me 24 pikë derisa Rusia është e dyta me 15 pikë. Sllovenia është e treta me 12 pikë, kurse Kosova zë vendin e katërt me dhjetë pikë.

“Holanda është një ndër kombëtaret që vitet e fundit ka pasur një rritje të madhe, është kampione e Evropës dhe nënkampione e botës. Është një kundërshtare tejet e vështirë për ne pasi jemi një kombëtare e re dhe problemet të cilat i kemi shkaku i pandemisë. Megjithatë për ne është një nder që të luajmë ndaj kampiones së Evropës”, ka thënë Fazlija në konferencën për media të mbajtur të hënën.

Holanda nuk ka stërvitur fare në Prishtinë.

“Atmosfera është shumë e mirë, ne do të japim maksimumin dhe shpresoj të arrijmë rezultat pozitiv”, është shprehur kapitenia e Kosovës, Edona Kryeziu.

Në të vërtetë shmangia e humbjes së thellë, përkatësisht përballja me dinjitet, mund të vlerësohet sukses për Kosovën.

Natyrisht fitore përballë Kosovës pret Holanda. Përzgjedhësja e “tulipanëve”, Sarina Wiegman, ka theksuar se do të luajnë me energji të njëjtë ashtu si kundër Estonisë, të cilën Holanda e mposhti 7:0.

“Ne duam të fitojmë. Do t’i kemi disa ndryshime, por nuk do ta ndërrojmë komplet ekipin. Duam të luajmë me energjinë që e patëm ndaj Estonisë dhe të arrijmë synimin tonë”, ka thënë Wiegman.