Sport

Achraf Hakimi, “çelësi” i suksesit të synuar nga Interi

Achraf Hakimi mund të jetë lojtari që do ta ndihmojë skuadrën e Interit këtë edicion të bëjë hapin e fundit – ta fitojë sërish titullin e kampionit në Serie A, që i mungon tashmë një dekadë.

Hakimi iu bashkua Interit nga Real Madridi gjatë këtij afati kalimtar - pasi kishte kaluar dy vjetët e mëparshëm në huazim te Borussia Dortmundi - dhe mbrojtësi i krahut tashmë është përfshirë në tre gola në dy ndeshjet e para me fanellën e ekipit italian, transmeton KOHA shkrimin e AP.

Ai dha një asistim në fitoren e Interit ndaj Fiorentinës (4:3) në ndeshjen e xhiros së parë, me t’u futur nga banka e rezervistëve, kurse paraqitje edhe më të mirë pati të mërkurën ndaj Beneventos, kur ishte titullar. Këtë ndeshje Interi e fitoi me rezultatin 5:2. Hakimi asistoi për golin e Romelu Lukakut me të filluar ndeshja, kurse pa përfunduar pjesëloja e parë ai regjistroi edhe golin e parë për skuadrën e trajnerit Antonio Conte.

“Unë jam i lumtur për mënyrën se si po përshtatem në ekip dhe si jam mirëpritur”, tha Hakimi 21-vjeçar. “Mund të them se jam përshtatur mirë edhe me kërkesën e trajnerit dhe stilin e lojës që ai dëshiron. Shpresoj ta ndihmoj ekipin për të kthyer titullin e kampionit pasi te Interi kam ardhur për trofe”.

Përderisa Benevento nuk doli të ishte edhe aq kundërshtarë i vështirë për Interin, Hakimi ishte i pandalshëm në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe vazhdimisht kërcënonte edhe në fazën ofensive.

Reprezentuesi i Marokut sipas të gjitha gjasave me kalimin e ndeshjeve do të rrisë edhe më shumë mundësitë e shënimit për Lukakun dhe Lautaro Martinezin, që formuan një partneritet mbresëlënës gjatë edicionit të fundit.

“Hakimi është një lojtar që ka shumë potencial. Ai ka karakteristika shumë të rëndësishme sulmuese, por ai duhet të përmirësohet shumë në mbrojtje”, pranoi trajneri i Interit, Conte. “Ai ishte investimi ynë këtë vit - një lojtar i ri që është një talent me të vërtetë premtues. Ai duhet të punojë shumë dhe shpresoj që të vazhdojë me paraqitje të mira, sepse kemi nevojë për të këtë edicion”.

Interi edicionin e fundit në Serie A doli nënkampion me një pikë më pak se Juventusi, që triumfoi për vitin e nëntë rresht. Interi edicionin e fundit pësoi humbje edhe në finalen e Ligës së Evropës nga Sevilla. Në fakt Interi nuk ka fituar trofe që nga viti 2011, kur pati triumfuar në Kupën e Italisë.