Sport

“Mbrojtja shqiptare” e Serie A

Një kohë ishin portierët më të mirë shqiptarë në Serie A. Tani pos portierëve janë edhe mbrojtësit më të mirë në kampionatin italian. Madje ngritja e tyre është shumë e madhe.

Të enjten Marash Kumbulla firmosi me Romën, njërën prej top-skuadrave italiane. Kumbulla kaloi te Roma nga Hellas Verona, skuadër tjetër e Serie A, por dukshëm më e vogël. Të tjerë mbrojtës të Shqipërisë e Kosovës kanë lëvizur para këtë verë dhe thuajse të gjithë në Itali, shkruan KOHA.

Si shumë herë në Itali, Kumbulla 20-vjeçar ka kaluar te Roma si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë. Është huazuar për dy vjet, ndërsa nëse plotësohen kushtet më pas do të firmosë deri në vitin 2025. Tre lojtarë janë huazuar nga Roma te Verona, si pjesë e shkëmbimit. Edhe shuma finale të transferimit do të varet nga faktorë të ndryshëm. Por nuk ka dilema që Kumbulla do të jetë pjesë e rëndësishme e mbrojtjes së Romës. Ai tashmë është pjesë e një top-skuadre italiane. Për Kumbullën, që shkëlqeu te Verona, janë interesuar shumë skuadra.

“Roma përfaqëson një mundësi dhe po ashtu një sfidë. Ishte e pamundur ta refuzoja. Jam bindur nga plani i klubit dhe nuk kisha hezitime për të bërë këtë zgjidhje. Do të bëj çdo gjë për të mos i dëshpëruar njerëzit që kanë shfaqur besim ndaj meje”, ka thënë Kumbulla.

Kumbulla pritet që për shumë vjet ta udhëheqë mbrojtjen e Shqipërisë. Ai ka luajtur për U-17, U-19 e U-21 të Shqipërisë. Tashmë është pjesë e Kombëtares A.

“Marashi ishte një prej synimeve tona kryesore dhe jemi të lumtur që kemi firmosur me të. Ne po sjellim te Roma një talent që është shquar kampionatin e kaluar. Ai i ka të gjitha atributet për të qenë pjesë e rëndësishme e grupit që po e ndërtojmë për të ardhmen”, ka thënë shefi ekzekutiv i Romës, Guido Fienga.

Kumbulla është treguar modest duke theksuar se shpreson që të ftohet sërish nga Shqipëria.

“Dua ta ndihmoj vendin tim të arrijë disa synime të rëndësishme”, ka thënë Kumbulla.

Te Shqipëria ai do të luajë në mbrojtje me të tjerë lojtarë që bëjnë karrierë në Serie A. Ardian Ismajli së fundi është transferuar nga Hajduku i Splitit te Spezia, që do të garojë në kategorinë e parë italiane.