Sport

Trajnerit të APOEL-it i pengojnë pyetjet për futbollistin serb

Trajneri i APOEL-it, Marinos Ouzounidis, nuk ka qenë i qetë në konferencën për media, kur është pyetur për lojtarin serb Vujadin Saviq, i cili ka thënë për mediat në Serbi se arsyeja kryesore se pse nuk ka udhëtuar drejt Kosovës, është sepse nuk e njeh si shtet.

Ouzoundis ka theksuar se kanë ardhur për të luajtur futboll, e jo të merren me politikë.

Sipas tij, lojtari ka qenë me koronavirus dhe nuk është i përgatitur fizikisht për duelin ndaj Gjilanit.

Ai hezitoi të përgjigjet edhe kur u pyet se a do të ishte dështim për skuadrën që ai drejton, nëse do të humbte nga Gjilani.

Kurse sa i përket ndeshjes, trajneri nga Greqia ka thënë se nuk ndjen asnjë presion dhe do të hyjnë për të fituar.

“Nuk ndjemë kurrfarë presioni pas barazimit në kampionat, pasi ka qenë ndeshja e parë e sezonit. Ne do të japim 100 për qind nga vetja në ndeshjen e së enjtes, do të bëjmë maksimumin dhe natyrisht se ndihemi favoritë për shkak se i kemi bërë të gjitha përgatitjet e mundshme gjatë kësaj kohe. Do ta marrim këtë ndeshje me seriozitet dhe me angazhimin e të gjithë lojtarëve besoj që do t’ia dalim. Shanset që do të kemi do të mundohemi t’i shfrytëzojmë dhe t’ia dalim. Do ta marrim këtë lojë shumë seriozisht dhe ta fitojmë për ta kaluar në raundin tjetër”, u shpreh Ouzoudis, duke shtuar se e njohin Gjilanin.