Sport

Dallku: Udhëtojmë të motivuar për të kaluar tutje

Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku, ka deklaruar se nuk i frikësohen kundërshtarit të parë në ndeshjen paraeliminatore në Ligën e Evropës, Lincoln Red Imps.

Klubi nga kryeqyteti i Kosovës do të udhëtojë në Gjibraltar për të zhvilluar këtë sfidë, për të cilën Dallku shprehet se janë shumë të motivuar që të kalojnë tutje, transmeton KOHA.

“Kundërshtari me koeficientin më të lartë prej kundërshtarëve të mundshëm. Mirëpo kjo neve nuk na frikëson aspak, megjithatë shpresonim të luanim në shtëpi. Por, ky është fati ynë që për të treten herë radhazi të udhëtojmë në të njëjtin vend. As që diskutohet se udhëtojmë maksimalisht të motivuar për të kaluar tutje”, ka thënë Dallku për faqen zyrtare të klubit.

Megjithatë, Dallku, ka thënë se u mungojnë informacionet rreth skuadrës aktuale të Lincolnit, pasi qe një kohë futbolli është ndërprerë në Gjibraltar.

Prishtina kundër Lincolnit e Gjilani kundër Tre Pennes në Ligën e Evropës

“Sa i përket njohurive për kundërshtarin e kemi të vështirë të dimë saktësisht se me çfarë lojtarë apo përbërje disponojnë, sepse nga fillimi i pandemisë futbolli atje është ndal dhe është kohë e gjatë që nuk kanë luajtur. Ne do të bëjmë përpjekje maksimale të gjejmë edhe informacionet e nevojshme për këtë rival të radhës", ka thënë Dallku.

Armend Dallku është paraqitur në tetë ndeshjet evropiane të Prishtinës si futbollist, dhe është golashënuesi më i mirë i saj me tre gola të shënuar.

Që të gjitha golat i kishte shënuar nga penaltia pikërisht kundër skuadrave nga Gjibraltari.

Kurse tani do të udhëheqë skuadrën si trajner.

Lincolni e Prishtina luajnë më 20 gusht, derisa s’do të ketë ndeshje kthyese.